Shteti ngre flamurin e bardhë, dorëzohet përballë FIFA-s
Ministri Pango pranon firmosjen e statutit të Federatës Shqiptare të Futbollit brenda së hënës.
Dash Frashëri
Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë e Sporteve pranoi të plotësonte vetëm një nga kërkesat e FIFA-s, pak ditë përpara përfundimit të ultimatumit të saj, të përcaktuar më datën 21 shkurt. Ministri Pango pranoi faktin se do të firmosë statutin e Federatës Shqiptare të Futbollit brenda javës së ardhshme, por se grupi i auditit nuk do të heqë dorë nga kontrolli i financave të FSHF-së. Shteti shqiptar ka ngritur flamurin e bardhë pas kërcënimit të pak orëve më parë, bërë nga organizmat më të lartë futbollit, FIFA dhe UEFA dhe në harkun e pak ditëve do të pranojë statusin e pafirmosur të Federatës së Futbollit. Ka qenë vetë ministri i Sporteve, Ylli Pango, që e ka pranuar një fakt të tilli. Pango, ndryshe nga ligjërimet e mëparshme, ka folur me tone më të zbutura dhe me më shumë frymë bashkëpunimi.
“Drejtuesit dhe specialistët e Drejtorisë së Sporteve në Ministri kanë marrë porosi nga unë sot (dje) për të hyrë menjëherë në bisedime me Federatën Shqiptare të Futbollit, me drejtuesit e saj dhe ekspertët që brenda dy ditësh të arrijnë në një konvergjencë mendimesh për statutin të cilin unë do ta firmos javën që vjen. Nuk ka asnjë arsye që të mos gjejmë gjuhën e përbashkët. Unë besoj se nuk ka pika që të pengojnë në marrëveshjen dhe nënshkrimin që unë do ta bëj brenda ditës së hënë”, - tha ministri Pango. Por, pavarësisht se Pango është treguar i gatshëm për të firmosur statutin përpara datës limit të vendosur nga ndërkombëtarët, auditimi në FSHF nuk do të ndërpritet, ndonëse institucioni që ai drejton nuk do të kalojë kompetencat.
“Kontrolli duhet të vazhdojë. Nuk do të prekë absolutisht asnjë fond që vjen nga FIFA apo UEFA, në formë donacioni apo të çdo forme tjetër”, - tha Pango për Televizionin Top Channel.
Në këto kushte duket se beteja 3-vjeçare mes Ministrisë dhe Federatës ka arritur në kapitullin e fundit, ndërsa presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ka fituar një tjetër raund me palën shtet, pas asaj që arritur kur Ministria e Sporteve drejtohej nga Bujar Leskaj. Përgjatë këtyre 3 viteve numri një i Federatës së Futbollit është akuzuar për korrupsion, abuzimet me fondet, madje edhe paracaktim i rezultateve të ndeshjeve të ekipit kombëtar, edhe pse asnjëherë nuk ka pasur fakte për ti vërtetuar.
Qartësohen të tjera detaje nga konflikti MTKRS-FSHF në lidhje me statutin e Federatës së Futbollit. “Ministri do ta firmosë statutin brenda ditës së hënë, ose maksimumi të martën, por ai do të bëhet në bazë në ndryshime të bëra në Ligjin e Sportit”, - tha zëdhënësja e ministrit Pango, e cila nuk përcaktoi se për cilat ndryshime bëheshin fjalë. Të hënën do të mblidhet Komiteti Ekzekutiv i Federatës Shqiptare të Futbollit për të dëgjuar raportimin e presidentit Duka nga takimet e tij në Kongresin e 31-të UEFA-s në Zagreb dhe në mbledhjen e Komisionit të Federatave të FIFA-s më Zyrih dhe për të ripërcaktuar qëndrimet e mëtejshme. Zyrtarët e lartë të Ministrisë së Sporteve u shprehën se mbledhja e komitetasve nuk do të ndikojë aspak në kontrollin që kanë kërkuar të kryejnë Ministria e Financave dhe ajo Sporteve, së bashku edhe me grupin e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve. “Kontrolli i auditit do të bëhet dhe qëndrimi tani është i pakthyeshëm për të”. Më datë 27 janar, gjashtë zyrtarë të Auditit shtetëror kryen një vizitë pune në selinë e FSHF-së, por pas dy orësh e gjysmë dolën në përfundimin se duhej pritur rikthimi i presidentit Duka nga Zagrebi dhe Zyrihu. Sipas drejtorit të Përgjithshëm të Auditit, Pajtim Shehu, FSHF-ja rezulton me një evazion fiskal prej 12 milionë lekësh vetëm për vitin 2007.
Edhe KOKSH pa statut të firmosur
Problemet e bëra publike me Federata Shqiptare të Futbollit po krijojnë një reaksion zinxhir nga ku do të përpiqen të gjitha federatat apo organizma sportivë, të cilët aderojnë në organizma ndërkombëtarë. Një nga këto është edhe Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar, që gjithashtu nuk e ka të firmosur statutin e tij nga ana e Ministrisë së Turizimit, Kulturës, Rinisë e Sporteve. Deklarata u bë nga ana e Fidel Yllit. Statuti i KOKSH-së prej shtatë vjetësh është neglizhuar nga ana e përfaqësuesve të qeverisë. “Kemi shtatë vjet që funksionojmë pa firmën e ministrit. Ju e keni mbi tavolinë”, - iu drejtuar zyrtari i lartë i KOKSH-së ministrit Pango. “Statuti ynë është firmosur nga CIO (Komiteti Ndërkombëtar Olimpik) dhe në bazë të Kartës Olimpike”, - theksoi Ylli. “Unë do ta shoh menjëherë atë dhe besoj se nuk ka asgjë që nuk zgjidhet. Është një problem shumë i zgjidhshëm”, - iu kundërpërgjigj ministri Pango gjatë vizitës së tij të parë në Komitetin Olimpik Shqiptar.
9 Shkurt 2008