E Shtunë, 31 Tetor 2026

Partizani, luftë nervash me Starovën

Partizani, 15 herë kampion i Shqipërisë, do të përballet në kryeqytet me Besën e Kavajës, fituesen e fundit të Kupës së Shqipërisë në ndeshjen që do të transmetohet direkt nga Televizioni “Vizion Plus” (ora 14:30). Në takimin e fazës së parë, Besa fitoi në Kavajë 2-1, por në drejtimin e skuadrës ishte rumuni Silviu Dumitresku. Trajneri i të kuqve, Hasan Lika, do të përpiqet të fitojë ndaj Sulejman Starovës, teknikut që i ka dhënë edhe trofeun e fundit Partizanit në sezonin 1992-1993.
“Sigurisht që do të luftojmë për të marrë tri pikët nga takimi me Besën. Nuk na lejohet të gabojmë më. Besa vjen për pikë? Është e natyrshme. E vlerësoj kundërshtarin, Besa është një ekip i fortë” – tha trajneri i Partizanit, Hasan Lika.
Takimi i së shtunës në “Qemal Stafa” është ndeshja e 105-të midis dy ekipeve. Në 104 përballjet e luajtura deri tani, që nga viti 1948, Partizani ka fituar 51 ndeshje, Besa 18, ndërsa 35 takime janë mbyllur në barazim. Golaverazhi flet qartë për Partizanin: 188-90. Autorët e golave në ndeshjen e fundit midis dy ekipeve, java e 8-të, më 31 tetor 2007, të fituar nga Besa, mbajnë firmat e Enkeleid Alikajt dhe Parid Xhihanit për Besën dhe Viktor Gjylës për Partizanin. Takimi Partizani-Besa do të gjykohet nga gjyqtari Tanush Latifi me ndihmës të tij Dervishin dhe Zekën. Për gjirokastritin Latifi ky do të jetë takimi i 11-të që do të gjykojë gjatë këtij sezoni. Në dhjetë takimet e para 6 herë kanë fituar ekipet vendase dhe 4 herë ekipet mike. Latifi ka dhënë deri tani 2 penallti, 32 kartonë të verdhë dhe 2 kartonë të kuq.
Në deklaratën e tij më të fundit, presidenti i Partizanit e kontestoi fort caktimin e gjyqtarit Latifi, duke akuzuar drejtpërdrejt shefin e garave në FSHF, Ilir Shulkun. “Nuk lejoj më të tallen me Partizanin dhe bukën e fëmijëve të mi. Akuzoj drejtpërdrejt shefin e garave Ilir Shulku për kthimin e shortit të arbitrave në një farsë të ndyrë”, - pohoi Xhani, duke paralajmëruar se nuk do ta nxirrte ekipin e tij në fushë.
Ilir Shulku gjatë karrierës së tij ka luajtur me Partizanin dhe ka qenë kapiteni i fundit që ka fituar një titull me të kuqtë. Ish-lojtari i Kombëtares ka drejtuar për pak kohë Partizanin dhe përpara se të punësohej në Federatën Shqiptare të Futbollit ka punuar si trajner te Besa.
TË FUNDIT NGA KAMPET
Partizani
Skuadra e kuqe vazhdon stërvitjet në Kompleksin e Kamzës dhe trajneri Hasan Lika pritet të hedhë në fushë të njëjtin formacion që luajti edhe në ndeshjen e fituar me Skënderbeun në Korçë. Sulmi do t’i besohet Arbër Abilaliaj i mbështetur nga Elis Bakaj dhe Gjergji Muzaka. Lajmi më i fundit ka të bëjë me blerjen e vetme dimërore të Partizanit, shqiptarit nga Kosova me eksperiencë edhe në Finlandë, Ymer Xhaferri. Edhe pse ky i fundit stërvitet sistematikisht me të kuqtë, e ardhmja e tij duket shumë e zbehtë. Partizani do të përballet me katër javë të vështira që do të përcaktojnë jo pak në rrugën e titullit që mungon prej 15 vjetësh në kampin e kuq. Partizani pas përballjes me Besën do të ndeshet me Dinamon, Elbasanin dhe Tiranën në katër javët e ferrit, ku në fazën e parë grumbulloi vetëm 2 pikë nga 12 të mundshmet me 2 barazime dhe 2 humbje.
Besa
Skuadra kavajase lajmëroi blerjen e bujshme të sulmuesit shqiptar nga Maqedonia, 34-vjeçarit Artim Shaqiri. Pak e çuditshme kjo kur merkato zyrtarisht është mbyllur më 31 janar, por nga stafi i presidentit Bizhdili pohojnë se marrëveshja e futbollistit, i cili prishi kontratën paraprake me Elbasanin, është arritur më 21 janar. Nuk dihet ende vlera e kontratës së Shaqirit, por dhe fakti nëse futbollisti i njohur ka nënshkruar zyrtarisht një kontratë e cila duhej të depozitohej në Sektorin e Garave të FSHF-së. Trajneri Sulejman Starova, skuadra e të cilit humbi 2-0 me Dinamon në Kavajë, ka vendosur të lërë në stol sulmuesin haitian me pasaportë franceze Herby Fortunat, duke hedhur në fushë dyshen Xhihani-Mancaku. Nga minuta e parë pritet të luajë edhe Ilirjan Mërtiri, ish-futbollist i Skënderbeut gjatë fazës së parë. Emocione të veçanta takimi do të ketë për sulmuesin Gerhard Progri, i cili do të luajë për herë të parë kundër ish-ekipit të tij, Partizanit.
REZULTATET E FUNDIT
PARTIZANI
Partizani i vendit të dytë, me 34 pikë, 6 më pak se Dinamo kryesuese, në pesë ndeshjet e fundit ka arritur 2 fitore dhe 3 barazime, duke grumbulluar 9 pikë nga 15 të mundshmet.
Java 14: Vllaznia-Partizani 1-1
Java 15: Partizani-Kastrioti 2-1
Java 16: Teuta-Partizani 1-1
Java 17: Partizani-Flamurtari 0-0
Java 18: Skënderbeu-Partizani 1-2
BESA
Besa e vendit të gjashtë, me 27 pikë, 7 më pak se Partizani (34), në pesë ndeshjet e fundit ka arritur 1 fitore dhe 4 humbje, duke grumbulluar vetëm 3 pikë nga 15 të mundshmet.
Java 14: Flamurtari-Besa 1-0
Java 15: Besa-Skënderbeu 2-0
Java 16: Tirana-Besa 2-0
Java 17: Elbasani-Besa 2-0
Java 18: Besa-Dinamo 0-2
RENDITJET SPECIFIKE
Brenda
Partizani, së bashku me Elbasanin, janë dy ekipet që asnjëherë nuk janë mundur në shtëpinë e tyre. Partizani në 9 ndeshjet e zhvilluara brenda ka fituar 6 prej tyre dhe ka barazuar 3, duke grumbulluar 21 pikë. Në renditjen speficike për ndeshjet brenda Partizani ka grumbulluar po aq pikë sa Besa (21).
Jashtë
Besa ka një bilanc të “zi” në ndeshjet jashtë Kavajës. Skuadra e Sulejman Starovës ka arritur vetëm 1 fitore nga 9 takimet e luajtura në transfertë. Tre barazime dhe pesë humbje e bëjnë të trishtueshme aftësinë e verdhezinjve jashtë stadiumit “Besa”. Në renditjen specifike për ndeshjet jashtë, Besa zë vendin e nëntë me 6 pikë.
PËRBALLJET NGA SEZONI 2002-2003
Sezoni 2007-2008
Besa-Partizani 2-1
Sezoni 2006-2007
Besa-Partizani 0-2
Partizani-Besa 0-0
Partizani-Besa 2-1
Sezoni 2005-2006
Besa-Partizani 4-1
Partizani-Besa 1-1
Besa-Partizani 2-1
Partizani-Besa 3-1
Sezoni 2003-2004
Partizani-Besa 3-1
Besa-Partizani 2-3
Partizani-Besa 1-0
Besa-Partizani 3-4
Sezoni 2002-2003
Besa-Partizani 2-2
Partizani-Besa 4-5
Bilanci: 14 ndeshje; 7 fitore Partizani, 3 barazime, 4 fitore Besa. Golat: 28:24

9 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›