E Diel, 1 Nëntor 2026

Sahiti vazhdon me Gjilanin

Muharrem Sahiti do të vazhdojë ta udhëheq Gjilanin. Trajneri gjilanas ishte i gatshëm të jepte dorëheqje të hënën, por kryesia e klubit, e mbledhur në orët e vona, ka vendosur që mos ta aprovojë kërkesën për dorëheqje të Sahitit. Ky i fundit megjithatë do ta vazhdojë punën e tij, me synimin që ta largojë ekipin gjilanas nga zona e ekipeve të rrezikuara për të rënë nga liga.

“Unë do ta vazhdoj punën megjithatë. Isha i gatshëm të largohesha, vetëm për të mirën e klubit. Por, pasi kryesia vendosi që të vazhdojë bashkëpunimi, atëherë do të vazhdojmë. Në këtë gjendje, nuk do të vazhdoja me ndonjë ekip tjetër, por me Gjilanin jam shumë i lidhur. Besoj se me disa përforcime në dimër, do të dalim nga kjo situatë”, deklaroi Sahiti për Express.

Drejtuesit e klubit gjilanas ndërkohë i kanë siguruar shërbimet e mesfushorit me përvojë, Arsim Plepolli. Gjilani pati rezultate zhgënjyese në fazën e parë të sezonit të ri në Raiffeisen Superligën e Kosovës në futboll. Ekipi ‘Vjollcë’ zë pozitën e fundit në tabelë, me vetëm 7 pikë të grumbulluara, duke shënuar vetëm 2 fitore, nga 11 ndeshje.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›