E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elbasani, një sezon për tu harruar sa më parë

Drejtuesit verdheblu kanë nisur që tani të bëjnë planet e sezonit të ri, ku nuk mund të përsërisin të njëjtat gabime

Elbasani pret Ilirinë këtë të shtunë në një ndeshje, ku rezultati nuk ka rëndësi, por para tifozërisë verdheblu duhet fitorja, edhe pse stafi teknik do të nxjerrë në fushë një formacion me lojtarë të rinj. Kjo skuadër dështoi këtë kampionat, duke mos arritur as në zonën e play-off-it, kështu që është e detyruar të luajë të paktën edhe sezonin e ardhshëm në kategorinë e parë.

Verdheblutë dolën nga objektivi disa javë para fundit të kampionatit, por u munduan ta respektojnë garën, duke mos lëshuar ndaj kundërshtarëve. Stafi drejtues dhe ai teknik kanë nisur të mendojnë për të ardhmen, duke lënë pas krahëve një sezon për tu harruar, madje më i keqi në 20 vitet e fundit.

Dy vjet radhazi në kategorinë e parë për një skuadër si Elbasani, që ka fituar edhe tituj në superligë, janë shumë, ndaj dhe duhen marrë masat sa më parë që sezonin e ardhshëm të mos mos përsëriten të njëjtat gabime. Të gjithë janë të vendosur për të ndërtuar një skuadër të fortë, që të jetë e aftë të ngjitet direkt në superligë. Nga drejtuesit verdheblu mësohet se Elbasani do të jetë pretendenti kryesor për vendin e parë.

Edhe pse nuk dihen ende planet e tyre konkrete për lojtarët që do të afrohen, pritet që Elbasani i sezonit të ri të jetë një skuadër e kompletuar. Mbetet për tu parë se cilët nga lojtarët e grupit aktual, përveç të rinjve që po aktivizohen javët e fundit, do të qëndrojnë te kjo skuadër. Elbasani ka nevojë për përvojën e disa titullarëve, pasi vetëm me të rinjtë nuk mund të arrihet suksesi i dëshiruar.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›