Sinani: Luftëtari, sa më shumë vite në superligë
Mbrojtësi gjirokastrit, Besmir Sinani, thekson se titulli është plotësisht i merituar dhe tani e rëndësishme është që të mendohet për ekipin e ri
Në ndeshjen Kukësi-Luftëtari, një rol të rëndësishëm luajtën dy bunkerët e ekipit gjirokastrit, i lëvizshmi Devolli dhe i fiksuari Selimaj, të cilët edhe u shtrinë në tokë nga goditja me gur që morrën nga tifozët vendës, por ata u ringritën dhe e vazhduan betejën së bashku me të tjerët.
Luftëtari e mbylli atë ndeshje me rezultatin më të pranueshëm jo vetëm për vete, por edhe për kuksianët, të cilët e kanë mundësinë të shpresojnë për kalimin direkt në superligë. Dhe kjo u arrit, falë fisnikërisë gjirokastrito-shkodrane. Lojtarët e Luftëtarit, bashkë me stafin e tyre, u treguan burra të besës ndaj tifozëve gjirokastritë.
Në 15 ndeshjet e 2012-ës (14 të fazës së dytë dhe e shtyra me Kukësin e fazës së parë), kanë dhënë kontribut të çmuar portieri Selimaj, mbrojtësit Sinani, Baci, Hithi dhe Nino, mesfushorët Devolli, Ramadani, Çaço, Mersini, Strati, Lluka dhe Braho, si dhe sulmuesit Nora e Raboshta, ndërkohë që janë aktivizuar edhe Stoja (u dëmtua), Bistri, Zholi, Brahimi, Gaxhaj dhe Gërxholli. Pra, janë 20 futbollistë.
Pas 5 sezonesh mungesë, sezonin 2012-2013 gjirokastritët do të luajnë në superligë, ku nga të lartpërmendurit, duke përfshirë edhe Shalarin, i cili nuk u aktivizua për shkak dëmtimi fazën e dytë, disa me siguri nuk do të jenë pjesë e tij për arsye të ndryshme.
Nga ana tjetër, duhen blerje cilësore, në mënyrë që ekipi të bëhet forcë reale e superligës. Këtë kampionat Luftëtari do ta mbyllë në fushën e tij, ku do të presë Mamurrasin dhe që festa të jetë me ngjyra të ndezura, i duhet fitorja.
Sinani Besmir Sinani, qendërmbrojtësi i heshtur dhe punëtor, që ka dhënë edhe leksione në sulm, duke shënuar 4 gola, për arritjet e Luftëtarit shprehet: Jemi shumë të gëzuar, sepse i kthyem qytetit tonë buzëqeshjen përsa i përket asaj që lidhet me sportet. Për këtë jemi munduar jo pak, por 5 sezone.
Më në fund objektivi u realizua, pasi investimi ishte i mirë dhe, krahas Devollit dhe Norës, erdhën edhe disa futbollistë cilësorë. Të gjithë bashkë punuam dhe luftuam si një grup solid, kur të gjithë ekipet na kishin halë në sy.
Mund të kishim edhe më shumë pikë, por kjo tani nuk ka rëndësi, sepse objektivi u realizua, madje edhe pa përfunduar kampionati. Mendoj se e rëndësishme është që tani të projektohet ekipi i superligës, në mënyrë që Luftëtari të qëndrojë në elitë shumë sezone radhazi. Them se me ato që dhamë në ndeshejn me Kukësin i bindëm edhe më skeptikët, që çdo gjë e merituam plotësisht.
Në Gjirokastër kanë nisur festimet
Dje në mesditë, pranë Kalasë së Kardhiqit, u shtrua një drekë nga ana e presidencës së Luftëtarit, ku morrën pjesë futbollistët, stafi, drejtuesit, prapavijat e tij dhe donatorë të ekipit kampion të kategorisë së parë. Kjo do të thotë se në Gjirokastër ka nisur festa e titullit kampion, që do të arrijë kulmin të shtunën, pas ndeshjes me Mamurrasin.
