Bektoviç: Pas Bylisit, dal kampion edhe me Tërbunin
Futbollisti serb, Almir Bektoviç, kërkon që trofeu i titullit kampion të kategorisë së dytë të shkojë në qytetin e Pukës
Barazimi në Sukth e ka afruar Tërbunin me kategorinë e parë, pasi ka mbetur vetëm ndeshja me Korabin, ku fitorja nuk vihet në diskutim. Këtë kundërshtar Tërbuni e ka mundur edhe në fushën e tij fazën e parë, kështu që në Pukë ka nisur festa për rikthimin e ekipit në kategorinë e parë. Për Sportin shqiptar, mbrojtësi serb i ekipit pukjan, Almir Bektoviç, thotë se kërkon të fitojë titullin e dytë kampion në Shqipëri:
Me pikën që kemi marrë në Sukth, jemi në kategorinë e parë, edhe pse janë edhe 90 minuta të tjera, që vendosin zyrtarisht. Me Korabin besoj se do të fitojmë me shumë gola për ta bërë më të bukur festën pukjane. Tërbuni e ka merituar vendin e parë, sepse nuk ka pësuar asnjë humbje.
Dëshiroj që ta fitojmë edhe finalen dhe ta çojmë titullin kampion të kategorisë së dytë në Pukë. Kam fituar një titull me Bylisin para tre sezonesh, por në kategorinë e parë, ndërsa tani dua një tjetër trofe me Tërbunin. I falënderoj tifozët pukjanë për mbështetjen.
Në fillim të sezonit, kur erdha te Tërbuni, nuk besoja se do të ngjiteshim, por mbështetja e madhe e presidentit Syla, donatorëve, bashkisë dhe tifozëve, na ka bërë të ndihemi entuziastë në çdo ndeshje, – u shpreh 29-vjeçari Almir Bektoviç
