Shkumbini mendon si "elitar"
Shkumbini fiton 1-0 me Flamurtarin dhe duke u favorizuar nga humbjet e Tiranës dhe Vllaznisë e sheh veten në vendin e pestë. Një arritje shumë e madhe për kompletimin e së cilës mungojnë vetëm 90 minuta, duke rikujtuar fjalët e trajnerit Gugash Magani, se objektivi i peqinasve ishte klasifikimi mes gjashtë të parave. Goli që vendosi sfidën me vlonjatët është realizuar në minutën e 11-të nga Klevis Dalipi. Me këtë rezultat Shkumbini konfirmohet si një skuadër "e pathyeshme" në shtëpinë e saj: gjatë 19 javëve të fundit, në 10 ndeshje të luajtura përpara tifozëve të tyre, peqinasit kanë arritur 9 fitore dhe vetëm një barazim (0-0 në javën e 28-të me Dinamon kryesuese). Humbjen e vetme në këtë sezon në fushën e saj, skuadra e Maganit e ka pësuar në javën e 13-të me Tiranën (0-2 gola të Arapit e Duros). Në fakt, në javët e mëparshme ata kishin marrë 3 fitore dhe 3 barazime. Peqinasit kanë 166 ditë pa humbje në shtëpi në kampionat (që prej 1 dhjetorit 2007), afro 4 muaj e gjysmë kalendarikë.