E Shtunë, 31 Tetor 2026

Festivali Folklorik Kombëtar, në Gjirokastër

Festivali Folklorik Kombëtar do të zhvillohet në kalanë e Gjirokastrës, në shtator të vitit të ardhshëm. Urdhri mësohet të jetë dhënë prej ministrit të Kulturës, Ylli Pango, bazuar në ligjin për "Trashëgiminë kulturore". Në këtë mënyrë është konfirmuar zyrtarisht organizimi i Festivalit Folklorik në Gjirokastër, e shndërruar në traditë për më tepër se 40 vjet. Sipas drejtorit të Drejtorisë Rajonale të Monumenteve të Kulturës, Spartak Drasa, tashmë në Gjirokastër ka mbërritur dosja me urdhrin e ministrit Pango, Matrica dhe Statuti i FFK të përgatitura nga ky dikaster për fillimin e përgatitjeve për organizimin e këtij eventi, i cili mendohet të ketë një përfaqësim mbarëkombëtar. Sipas urdhrit të ministrit Pango, ceremonia e hapjes së Festivalit Folklorik Kombëtar do të mbahet paraditen e datës 24 shtator 2009 dhe ceremonia e mbylljes, si edhe shpallja e fituesve, do të zhvillohet më datë 29 shtator 2009, në kalanë e qytetit muze të Gjirokastrës, në kuadrin e Ditës Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore. Qendra Kombëtare e Veprimtarive Folklorike pritet që të organizojë së shpejti mbledhjen e parë kushtuar këtij festivali, ndërsa pritet të hartohet dhe të miratohet dokumentacioni përkatës për festivalin. Ndërkaq, Këshilli Kombëtar i Restaurimeve, Instituti i Monumenteve të Kulturës, Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare në Gjirokastër janë duke hartuar të gjitha projektet e restaurimit të objekteve në qytetin muze, në qendrën historike, në skenën e festivalit dhe në kalanë e Gjirokastrës, së bashku me preventivat përkatës, brenda muajit tetor 2008. Detyrime për hartimin e kritereve shkencore në pjesëmarrjen e FFK kanë edhe Instituti i Antropologjisë Kulturore dhe Studimeve të Artit pranë Qendrës Studimore, ndërsa Drejtoria e Buxhetit, në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve do të sugjerojë mënyrën e mbështetjes financiare për realizimin e FFK-së, bazuar në preventivin e përgjithshëm financiar të paraqitur nga Qendra Kombëtare e Veprimtarive Folklorike dhe të ndërhyrjes restauruese në monumentet e trashëgimisë kulturore të Gjirokastrës, propozuar prej Institutit të Monumenteve të Kulturës.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›