E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elbasani skuq “Të kuqtë”

 

Leonard Karaj

Kreu i pandryshuar. Fiton Bylis, Elbasani dhe Lushnja, ndalet sërish Partizani.Emocione pa fund, kartonë të shumtë (1 i kuq) dhe 5 gola në harkun e vetëm 45 minutave. Sfida e “Ruzhdi Bizhutës” mes Elbasanit dhe Partizanit ka nxjerr vendasit të fituar, kjo falë dopietës së Hyshmerit dhe golit të shkodranit Raboshta. Në një terren të lagët dhe nën shoqërinë e rreshjeve të shiut nga minuta e parë e deri në fund 2 mijë tifozë kanë mbështetur skuadrën e tyre në sfidën më të rëndësishme të këtyre 10 javëve të para. Nga ana tjetër Partizani nuk di të fitojë në transfertë, edhe kur në rastin më të mirë shënon i pari. Goli i Klodian Asllanit dhe i Pashajt, duke kaluar në të dy rastet në avantazh “demat e kuq” u zhvlerësuan nga shënjestrat verdheblu. Duhet theksuar gjithashtu se Partizani luajti për më shumë se një pjesë loje me dhjetë lojtarë pas daljes me karton të kuq të mbrojtësit Luan Pinari. Gjyqtari Lorenc Jemini, nuk nguroi të nxirrte direkt të kuqen pas një ndërhyrje të rëndë të mbrojtësit të kuq ndaj Raboshtës.
Fitore të rëndësishme kanë arritur dje edhe Bylisi, jo shumë larg Elbasanit, në Cërrik ndaj Turbinës dhe Lushnja në fushën e saj. Që të tria këto skuadra kryesojnë renditjen e Kategorisë së Parë dhe janë pretendente për t’u ngjitur në Superligë.
Ndërsa duket e çuditshme por në lojë është futur edhe Ada e Velipojës. Kjo skuadër nuk njeh kundërshtarë në fushën e saj duke sigluar goleadë pas goleade. Këtë herë pre e velipojakëve kanë rënë librazhdiotët. Fitorja e thellë 5-1 ndaj Sopotit ditën e djeshme ka konfiguruar Adën si ekipi më prodhimtar i Kategorisë së Parë, ku deri tani ka shënuar 23 herë. Luftëtari ka humbur në Lezhë ndonëse ishte i pari që kaloi në avantazh. Golit të Stojës iu kundërpërgjigjën vendasit me anë të një dopiete te të riut Kulli dhe një goli të Grishit. 
Fitore nën drithërima arriti të marrë edhe Kamza e drejtuar tashmë nga i mirënjohuri Agustin Kola. Megjithëse luajtën për gati një pjesë loje me 10 lojtarë, miqtë nga Bilishti arritën që të rezistonin deri në minutën e 90-të kur Taullau shënoi golin e vetëm të këtij takimi por me mjaft vlera për kamazalinjtë. Aktualisht Kamza është në vendin e 6-të me 15 pikë po aq sa ka edhe Luftëtari dhe Ada.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›