“Ligji i ri “Antimafia”,shkel liritë e njeriut”
TIRANE – Unioni i Gjyqtarëve Shqiptarë shprehet kundër ligjit Antimafia, pasi sipas kësaj shoqate, ligji bie ndesh me liritë dhe të drejtat themelore të njeriut. “Unioni i Gjyqtarëve Shqiptarë i kërkon Kuvendit të Shqipërisë që të rishikojë Ligjin Për Antimafian, me qëllim që të mos cenohen parimet standarde të Procedurës Penale. Ky draft nuk mund të shkelë liritë dhe të drejtat themelore të Njeriut”, thuhet në deklaratën zyrtare të shpërndarë nga UGJSH, mesditën e djeshme pas mbledhjes që zhvilluan anëtarët e kësaj shoqate. Duke argumentuar këtë pretendim UGJSH, pohoi zyrtarisht se ligji antimafia, i cili u miratua pak kohë më parë nga Kuvendi, në mënyrën se si është hartuar, vjen në kundërshtim me aktet ndërkombëtare penale dhe për këtë arsye ky projektligj duhet të rishikohet. Miratimi i draftit “Antiamfia” është bërë objekt debatesh kohët e fundit në vend. Shkak për këtë është shtimi i kompetencave të organit të akuzës për të vendosur sekuestro mbi prona, poseduesit e të cilave nuk arrijnë të justifikojnë origjinën e ligjshme të tyre. Po kështu përfaqësuesve të akuzës u jepet kompetencë për të pasur objekt të tyre çdo person, ku niveli i të ardhurave të tij nuk justifikon shpenzimet e shumta, llogaritë bankare apo standardet e një jetese luksoze. Duke huazuar dhe përshtatur praktika të vendeve të zhvilluara në këtë drejtim, sipas ligjit Antimafia, tashmë parashikohet se mosjustifikimi i të ardhurave për ngritjen e aseteve mund të sjellë konfiskimin e menjëhershëm të pronave. fa.ma