E Shtunë, 31 Tetor 2026

Taçi në burg, refuzohen 100 mijë euro

 

Armand Bajrami

Gjykata e Tiranës refuzoi dje garancinë pasurore prej 100 mijë euro, të ofruar nga biznesmeni Rezart Taçi, në këmbim të heqjes së masës së “arrestit me burg”. Togat e zeza lanë në fuqi dje masën e sigurisë të vendosur pak ditë më parë në mungesë ndaj të akuzuarit nga prokuroria, si dhunues i gazetarit Mero Baze. Vendimi i djeshëm i Gjykatës së Tiranës, lë në qeli në masën “arrest me burg” biznesmenin, deri në përfundim të hetimeve ose në ndryshimin e masës në Apel. Vendimi u shpall pak orë pas mesditës së djeshme nga gjyqtarja Farije Budo, ndërsa në seancë ishte i pranishëm edhe vetë presidenti i kompanisë “Taçi Oil”, Rezart Taçi. Avokatët e tij mbrojtës kërkuan një masë më të lehtë sigurie, duke ofruar dhe garanci pasurore në këmbim të saj, por kërkesa u refuzua nga gjykata.
MASA E SIGURISË
Në një seancë me dyer të mbyllura për publikun, Rezart Taçi u paraqit dje para togave të zeza të gjykatës së kryeqytetit për t’u njohur me masën e sigurisë dhënë të enjten në mungesë të tij, ndërsa ai ishte në kërkim policor. Burime nga gjykata sqaruan se të gjitha pretendimet e Taçit u artikuluan nga mbrojtësit e tij ligjorë, ndërsa zëri i tij është dëgjuar vetëm gjatë konfirmimit të gjeneraliteteve para gjykatës. U bë e ditur se avokati Maks Haxhia vuri në dispozicion të gjykatës një garanci pasurore prej 100 mijë eurosh, në këmbim të një mase më të lehtë se ajo e “arrestit me burg” për klientin e tij. Mbrojtësi i biznesmenit ka argumentuar kërkesën për ndryshim të masës së sigurisë, me faktin se vepra për të cilën Taçi akuzohet nuk përbën rrezikshmëri shoqërore. Sipas burimeve nga seanca, avokati është shprehur se mbajtja e biznesmenit Taçi në burg do t’i dëmtojë biznesin klientit të tij. Në lidhje me gazetarin Baze, mësohet se avokati ka pohuar se “Baze kishte një vit e 7 muaj që bënte presion psikologjik ndaj biznesmenit në shkrimet e tij”. Ndërsa prokurori i çështjes ka “servirur” edhe njëherë para gjykatës episodin e dhunshëm të mbrëmjes së 3 nëntorit në një nga lokalet e ish-bllokut në Tiranë, duke pohuar se “gazetari Mero Baze është qëlluar për shkak të detyrës”. Në përfundim gjyqtarja Budo ka vendosur lënien në fuqi të masës së sigurisë “arrest me burg” për Taçin, për akuzën e “goditjes për shkak të detyrës”.
AVOKATET
Avokatët e Taçit, Maks Haxhia dhe Artan Hajdari, deklaruan mbrëmë në studion e televizionit “Ora news” se vendimi i gjykatës ndaj biznesmenit ishte i paracaktuar. Sipas avokatëve, gjyqtarja e seancës kishte vendosur vetëm mbi bazën e provave të prokurorisë. “Gjykata, ndonëse mori prova të reja, nuk shqyrtoi asgjë. Provat e paraqitura nga ne, vetëm u administruan, por nuk u lexuan nga gjyqtarja”, u shprehën avokatët. Avokati Maks Haxhia tha mbrëmë se Kryeministri italian, Silvio Berluskoni, e kishte kontaktuar në telefon dhe i kishte pohuar: “Jam shumë i shqetësuar me çfarë po ndodh”. Ndërsa tregoi versionin e Taçit për ngjarjen, Haxhia tha se ishte njohur me deklarimet e Mero Bazes dhe se kishte gjetur momente kontradiktore në to. “Ka një moment ku thotë: ‘ndërsa isha pa ndjenja me godiste Rezart Taçi’. Tani ose je pa ndjenja dhe nuk dëgjon dhe shikon gjë, ose…”, tha Haxhia. Mbrojtësit e Taçit e konsideruan si të pambështetur në ligj lënien në masën me ekstreme të sigurisë ndaj Taçit, për shkak të parrezikshmërisë së tij shoqërore. Duke pohuar dëmin e shkaktuar në imazhin e kompanisë nga vendimi i gjykatës, avokatët thanë se Rezart Taçi ndodhet në qeli, ndërkohë që 18 kontrata me afat kohor të limituar duhet të firmosen prej tij, për shkak të funksionit si president i kompanisë së naftës.

“Taçi s’u njoftua për kërkimin”

Mbrojtësit ligjorë të biznesmenit Rezart Taçi thanë dje se klienti i tyre nuk kishte marrë dijeni për “kërkimin policor” derisa ka mësuar për vendimin e Gjykatës së Tiranës për lënien në “arrest me burg” pa afat. Avokati Maks Haxhia ka thënë se klienti i tij nuk ka pasur dijeni për tri ditë, derisa nga mediat ka mësuar se Gjykata e Tiranës kishte vendosur arrestin në mungesë të tij. Pas kësaj, sipas avokatit, biznesmeni Rezart Taçi është paraqitur në polici me vullnetin e tij të lirë dhe në zbatim të vendimit të Gjykatës së Tiranës, ndonëse ai nuk ishte njoftuar zyrtarisht. Avokati pohoi se klienti i tij nuk ka qëndruar asnjë minutë “në kërkim” dhe se nuk i është shmangur hetimit, por vendimi i dhënë nga Gjykata e Tiranës është i pabazuar në ligj dhe në prova.

THIRRJE E GAZETAREVE SHQIPTARE
Ne gazetarët shqiptarë të poshtëshënuar; të shqetësuar nga përkeqësimi në rritje i klimës për lirinë e shtypit në vendin tonë, të alarmuar nga thirrjet publike të përfaqësuesve të shumicës në pushtet pro dhunës ndaj medias, të shokuar nga thirrje të pronarëve të mediave pro qeveritare për dhunim të gazetarëve, të indinjuar nga indiferenca e policisë në mos arrestimin e dhunuesve të gazetarit Mero Baze, dhe të ndjerë të injoruar nga qeveria shqiptare në përpjekjet tona për të shkuar drejt të vërtetave me interes publik, bashkohemi në këtë thirrje publike që synon nisjen e një aksioni të përbashkët për të vendosur standarde të reja për lirinë e shtypit në Shqipëri. Nisur nga fakti që Shqipëria tani është vend anëtar i NATO-s dhe ka aplikuar për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, ne gazetarët shqiptarë shprehim angazhimin tonë për të rritur presionin mbi qeverinë, parlamentin dhe opinion publik, lidhur me standardet e ulëta të lirisë së shtypit në vendin tonë. Shqipëria ka bërë hapa të theksuara mbrapa në klasifikimin botëror të lirisë së shtypit gjatë vitit që shkoi, ndërkohë që ngjarje të reja e bëjnë dhe më pesimiste të ardhmen e lirisë së shtypit. Gazetarët shqiptarë po ndeshen përditë me një regjim politiko–mediatik, ku mbizotëron përpjekja për të mbajtur nën kontroll me të gjitha mjetet fjalën e lirë dhe gazetarinë kritike e investigative. Gazetarët shqiptarë janë ndeshur gjatë kohëve të fundit me dhunë fizike, me presione për ndryshim të politikës editoriale përmes paralajmërimeve apo dorëheqjeve të detyruara të gazetarëve të njohur, me qëndrime selektive të qeverisë në orientimin e tregut të reklamave për operatorët televizivë dhe shtypin e shkruar, dhe me një inkurajim të dukshëm të shumicës në pushtet për gjuhën e urrejtjes ndaj gazetarëve kritikë apo dhe dhunën fizike ndaj tyre. Në shumicën e rasteve këto fushata janë udhëhequr nga vetë Kryeministri Berisha, i cili ka agresuar me emër dhe ka fyer gazetarë të njohur të medias shqiptare, për shkak të qëndrime të tyre editoriale. Qëndrime të tilla ne i kemi parë si inkurajim dhe për akte të tjera të dhunës mbi gazetarët, të cilat qeveria ka bërë përpjekje t’i justifikojë duke fajësuar median.
Po ashtu shqetësuese kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë presionet mbi bizneset e medias kritike me qeverinë, të cilat janë shfaqur në formën e prishjes së kontratave afatgjate të investimeve, zhvendosjen së dhunshme të selive të redaksive dhe studiove televizive kritike me qeverinë si dhe prishje arbitrare të antenave të televizioneve që nuk konsiderohen nën kontroll të qeverisë.
Ne kërkojmë sa më shpejt të jetë e mundur të fillojë procesi i hartimit të një ligji perëndimor për shtypin, sipas gjithë standardeve të Bashkimit Evropian, ku të garantohet statusi i gazetarit dhe t’i garantohet atij e drejta për informim dhe akses të pakushtëzuar në informacionin zyrtar. Në kushtet e një shoqërie me probleme të forta të lidhjes së politikës me krimin dhe nivelit të lartë të korrupsionin, ne inkurajojmë një ligj i cili në rastet e ballafaqimit të gazetarëve me personat e prekur, të kalojë barrën e provës tek organet e hetimit, të cilat duhet të provojnë përmes mekanizmave të hetimit të vërtetë mbi problemet e ngritura nga media. Kjo do t’i jepte fund instalimit të një sistemi vetëgjyqësie, që qeveria duket se po inkurajon përmes shmangies së kuadrit ligjor për median dhe mbylljen e çdo aksesi për informacion zyrtar tek media.
Ne gazetarët shqiptarë angazhohemi për ndërtimin sa më të shpejt të një sistemi vetërregullues të institucioneve të medias, duke inkurajuar krijimin e një organizate ombrellë që të përfaqësojë gazetarët shqiptarë në debatin e tyre publik për lirinë e medias dhe vendosjen e standardeve të denja për një vend që aspiron të anëtarësohet në Bashkimin Evropian. Ky sistem nuk do të vetëkufizohet vetëm në organizata sindikaliste, por mbi të gjitha, në një organizatë që mbron parimet e lirisë së shtypit dhe standardet e etikën e një shtypi perëndimor.
Ne gazetarët shqiptarë angazhohemi se do të vazhdojmë të luftojmë për një cilësi të re të shtypit në Shqipëri dhe lirisë së fjalës, e cila po vihet në rrezik nga këta hapa të dukshëm mbrapa që po bën liria e shtypit në këtë vend.
Ne gazetarët shqiptarë kërkojmë mbështetje të organizmave ndërkombëtare si Bashkimi Evropian, OSBE, Departamenti Amerikan i Shtetit, si dhe institucioneve prestigjioze ndërkombëtare për lirinë e medias si Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve, Komiteti për Mbrojtje të Gazetarëve, Organizatës Reporterë pa kufij, për të na mbështetur dhe ndihmuar në përpjekjet tona për mbrojtjen e lirisë së shtypit në Shqipëri dhe arritjen e standardeve perëndimore.
Ne gazetarët shqiptarë i bëjmë thirrje qeverisë shqiptare të reflektojë në kursin e saj negativ ndaj lirisë së medias dhe në imitimin e keq të standardeve të Republikave ish-sovjetike për një vend që kërkon t’i bashkohet Perëndimit.
Ne mbetemi të vendosur deri në fund në betejën tonë!
Thirrja e gazetarëve është firmosur deri më tani nga 135 gazetarë të medias së shkruar dhe vizive.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›