E Shtunë, 31 Tetor 2026

As balta s’e shpëton Apoloninë

 

Leonard Karaj

Fitojnë Tirana dhe Gramozi, ndërsa Kastrioti bën surprizën në “Loni Papuçiu” ndaj Apolonisë së Esad Karishik. Apolonia është stopuar në fushën e vet nga Kastriotit teksa ka pësuar humbjen e parë në shtëpi me rezultatin 2-3. Paralajmërimi i kësaj humbje u dha që në ndeshjen e një jave më parë me Flamurtarin dhe ajo u bë konkrete në ndeshjen e djeshme me Kastriotin. Krutanët jo vetëm rezistuan mirë, por arritën dhe që të triumfonin ndaj bardhjeshilëve që sërish zhgënjyen me lojën e tyre edhe pse me një ekip të përgjysmuar për shkak të dëmtimeve dhe skualifikimeve. Askush nuk mund ta besonte përpara zhvillimit të ndeshjes në kampin fierak se Apolonia e tyre do të humbte në përballjen me krutanët kur dy golat e shënuar prej tyre janë zhvlerësuar nga ato tre të miqve. Apolonia luajti në këtë ndeshje pa 5 lojtarë titullar të formacionit të saj dhe e arnuar me lojtarët e stolit të cilët për trajnerin Karishik nuk janë të nivelit që kërkon Superliga.
Ndërsa në “Qemal Stafa” Tirana ka zhvilluar një nga ndeshjet e saj më të mira në dhjetë javë kampionati duke fituar pastër 2-0 ndaj Shkumbinit. Kapiteni Muka ishte padyshim një nga më të mirët në fushë dhe së bashku me Sefën, Ahmatajn, Lilën dhe Muzakën i dhanë tonin takimit. Më shumë se një dyzinë aksionesh sulmuese vetëm në pjesën e parë dhe një racionalitet tej parashikimeve në pjesën e dytë, treguan qartë se Tirana ka ndryshuar fytyrë (për mirë) dhe nëntë pikë në tre ndeshje janë padyshim kthim spektakolar i kampionëve në garën për titull. Të gjendur tashmë në kuotën e 17 pikëve, bardheblutë i kanë sytë nga sfida e së hënës në Kavajë, midis dy kryesueseve, Dinamos e Besës, ku kampionët dëshirojnë të frenohet “nëndetësja”. 
Ndërkaq në Ersekë, Gramozi ka arritur të marrë fitoren e parë nën drejtimin e trajnerit Agim Canaj. Dy gola të Sadikut në pjesën e parë rezultuan decizivë për vendasit të cilat lënë fundin e tabelës duke u ngjitur në kuotën e 10 pikëve në 10 javë kampionat. Sot, ata mbajnë sytë nga “kushërinjtë” korçarë të cilët do të ndeshen me Vllazninë, e fundit në tabelën e renditjes. Shkodranët, pas kualifikimit në kupë do të kërkojnë të paktën një pikë ndaj Skënderbeut për t’u ngjitur në tabelën e renditjes. në pozita aspak komode është edhe Flamurtari i cili pret sot Laçin. Për vlonjatët, çdo rezultat tjetër veç fitores do të ishte një humbje shumë e madhe. Por takimi më i rëndësishëm i kësaj jave do të luhet nesër në Kavajë ku vendasit do të presin Dinamon me synimin që t’i shkaktojnë humbjen e parë në kampionat.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›