Te Gramshi ka sherr edhe në pankinë
Nuk ka mjaftuar vetëm humbja bindëse me Lushnjën për gramshiotët në “Roza Haxhiu”. Në fund të takimit dy futbollistë të këtij ekipi janë përplasur me njëri-tjetrin në pankinë, duke u zënë me grushta. Është dashur ndërhyrja e trajnerit Alpin Gallo që të shuante këtë sherrnajë e cila më pas ka vazhduar edhe në dhomat e zhveshjes. Edhe aty është dashur ndërhyrja e stafit teknik për të ndarë dy futbollisttë. Ndërkohë nuk është kuptuar arsyeja e kësaj zënke por sipas drejtuesve të klubit dhe trajnerit të skuadrës, ndaj të dy lojtarëve do të merren masa deri në përjashtimin e tyre nga skuadra. Ndërkohë përsa i përket takimit ai u luajt thuajse në një portë, atë të Gramshit. Vendasit të udhëhequr nga goleadori i tyre Dorian Bubeqi sulmuan nga minuta e parë, me synimin e vetëm të marrjes së tri pikëve. Tre gola dhe një lojë bindëse bënë që lushnjarët të mbeteshin në vendet e para të renditjes. Ndërsa Gramshi me këtë humbje ka zbritur në vendin e 11-të me 10 pikë.