E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjyqtarët: S‘ka imunitet, duam status

 

Fatos Mahmutaj

Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë prezantoi dje një draft mbi statusin e togave të zeza, duke pohuar se është dakord me kufizimin e imunitetit. Nisma vjen nga Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë, i cili ka përgatitur një draft për këtë qëllim. Projektligji u prezantua mesditën e djeshme gjatë mbledhjes së organizuar nga kjo shoqatë, ku anëtarët dhe grupi i punës që hartoi draftin diskutuan mbi probleme të ndryshme rreth projektit që pritet të marrë së afërmi formë përfundimtare, për t’u dërguar më pas në institucionet ligjore për miratim. Objekti i këtij projektligji, sipas UGJSH, është përcaktimi i rregullave për emërimin dhe ngritjen në detyrë të gjyqtarëve të Gjykatave të Faktit dhe Apelit,  ndalimet për gjyqtarët, si dhe përfitimet e tyre gjatë kohës që ushtrojnë këtë detyrë pas mbarimit të saj. Pas mbledhjes së djeshme, kjo Shoqatë e togave të zeza, pohoi se: “Mbështetur në zhvillimet e fundit që kanë të bëjnë me promovimin dhe anëtarësimin në institucione të rëndësishme ndërkombëtare, si dhe në debatet mbi pagat, imunitetin e gjyqtarëve shqiptarë, Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë ngriti një grup pune, i cili ka hartuar një projekt ligj ‘Mbi Statusin e Gjyqtarëve’. Për hartimin e këtij projekti UGJSH, po bashkëpunon ngushtë me Unionin Ndërkombëtar të Gjyqtarëve, si dhe me shoqata simotra nga vende demokratike. Ky bashkëpunim konsiston në marrjen e modeleve dhe praktikave solide ligjore për këtë ligj të rëndësishëm”. Duke vazhduar më tej, UGJSH pohoi dje zyrtarisht se ky projektligj do i shpërndahet të gjithë anëtarëve të Unionit, si dhe të gjithë gjyqtarëve të interesuar, dhe më pas do t’i nënshtrohet rrugës kushtetuese për miratimin e tij në Kuvendin e Shqipërisë. “Projektligji ‘Mbi Statusin e Gjyqtarëve’ është një ndërmarrje shumë serioze dhe e rëndësishme e Unionit të Gjyqtarëve të Shqipërisë, pasi vendos standarde parimore dhe të pacenueshme mbi të drejtat dhe detyrimet e gjyqtarëve shqiptarë. Drafti synon t’i japë përgjigje të gjitha mungesave dhe defekteve ligjore që shqetësojnë aktualisht gjyqtarët në vendin tonë”, thuhet në deklaratën për shtyp të Këshillit, ku përfundohet se: “Unioni është i ndërgjegjshëm që kjo është një iniciativë e vështirë që kërkon sipërmarrje intensive, ndërsa angazhohet seriozisht të ndjekë të gjitha hapat e duhura ligjore për t’i shkuar deri në fund këtij projekti shumë të rëndësishëm”. Në draftin e përgatitur nga Unioni pohohet se gjykatësit në Shqipëri mund të emërohen me konkurs, i cili organizohet nga KLD-ja dhe se në të mund të konkurrojnë juristët që ushtrojnë detyrën prej më shumë se 5 vitesh. Po kështu, në draft është shënuar se konkursi mbikëqyret nga një komision i ngritur nga KLD-ja, i cili do i marrë kandidatët në provim me shkrim dhe me gojë. Po kështu, UGJSH në draftin e përgatitur për “Statusin e Gjyqtarit”, pohon se edhe ngritja në detyrë dhe promovimi i togave të zeza duhet të bëhet me konkurs, procedurat e të cilit duhet të jenë transparente, duke u publikuar në ueb-siten zyrtare të KLD-së, njëlloj si procedurat e konkursit për emërimin fillestar të gjyqtarëve.

Pikat e Statusit të Gjyqtarëve

• Emërimi i gjyqtarëve të Faktit dhe Apelit bëhet me konkurs të organizuar nga KLD-ja.
• Konkursi bëhet me transparencë të plotë dhe mbikëqyret nga një komision 7 anëtarësh.
• Mund të konkurrojnë për gjykatës, juristë që kanë mbi 5 vjet punë.
• Konkursi për gjyqtarë ka dy faza; me gojë dhe me shkrim.
• Promovimi i gjykatësve bëhet nëpërmjet konkurseve të organizuar nga KLD-ja.
• Gjyqtarët nuk mund të punojnë në një gjykatë që i përket një rrethi ku kanë pasur zyrë avokatie 5 vitet e fundit.
• Gjykata kompetente për të kontrolluar, hetuar dhe gjykuar gjykatësit e Faktit për vepra penale është Apeli. Për ata të Apelit është Gjykata e Lartë.
• Gjyqtarët mund të mbrojnë veten e tyre, bashkëshortin si dhe pasardhësit në gjykime penale dhe civile.
• Derisa janë në detyrë, gjyqtarët mund të strehohen në banesa të posaçme për strehimin e punonjësve të sistemit gjyqësor.
• Gjykatësit e Faktit dhe Apelit duhet të marrin leje vjetore, zakonisht në gusht dhe dhjetor, 40 ditë kalendarike të pagueshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›