“Elbasanin ta kthejmë në një qytet pilot”

Kryebashkiaku Qazim Sejdini tallet me biznesin elbasanas
Ndërsa 400 biznese janë të pikë të hallit, kreu i Bashkisë se Elbasanit, Qazim Sejdini, ka ftuar në një takim mediat kombëtare dhe lokale, me qëllim shpalosjen e sërë objektivash dhe synimesh që ka institucioni që ai drejton nga viti 2007, për vitin 2014. Duke kërkuar bashkëpunimin e medias, Sejdini përmendi edhe katër synimet prioritare që do të zbatohen gjatë vitit 2014.“Kërkoj që së bashku me mediat të lobojmë që gjatë vitit që vjen të arrijmë të zgjidhim një sërë problemesh që hasen në qytet dhe këto synime nuk kanë lidhje vetëm me idenë e të qenit kryetar bashkie, por si person që përfaqësoj komunitetin elbasanas dhe se së bashku me këtë komunitet të bëjmë të mundur që Elbasanin ta kthejmë në një qytet pilot”, theksoi në fjalën e tij Sejdini. Mirëpo përpara se Qazim Sejdini ta kthejë Elbasanin në një qytet pilot duhet t’i japë zgjidhje 400 bizneseve që janë në prag të falimentit dhe kryebashkiaku i Elbasanit jo vetëm që nuk bën asgjë, por i vë lakun në fyt. Një ditë më parë kryebashkiaku Sejdini nxori zëvendësin e tij, Serafin Papën, të shprehet se shumë biznese kanë aplikuar për të mbyllur aktivitetin e tyre pasi ndodhen në gjendje të vështirë. “janë rreth 400 subjekte që kanë aplikuar në QKL-së për mbyllje biznesi. Shumë nga këto biznese i kanë bashkisë rreth 4 milion lekë borxhe ndaj i bën thirrje këtyre bizneseve që përpara se të bjënë aplikacionin për ç’regjistrim, të shlyejnë detyrimet, në bashki dhe më pas të fillojnë procedurat e mëtejshme”. Kjo është një logjikë antibiznes sepse bashkia Elbasan jo vetëm që nuk ndihmonin klimën e biznesit në këtë qytet por kërkon tu marrë edhe qindarkat e fundit në xhep.