Rama, i ngujuar në Shkodër
Vartësit e Ramës janë ngujuar në një hotel të qytetit, jo për ndonjë përvojë shpirtërore, por se ndjejnë se s’janë të mirëpritur në qytetin, të cilin kanë bërë çmos ta tjetërsojnë. Edhe mbledhja e qeverisë ende joqeveri, edhe darka, edhe fjetja janë organizuar në një situatë shtetrrethimi, pa komunikim me asnjë qytetar shkodran. Edi Rama ndjen se ka shkuar shumë larg me politikën e përçarjes, por më kot trembet. Shkodranët s’janë në gjak me uzurpatorin e pushtetit, por thjesht po ja përcjellin zijafetin arrogant me përbuzjen që meriton
Vëzhgimi/Ashtu si në Vlorë, edhe në Shkodër faturat e harxheve s’do bëhen publike
Iu drejtua Shkodrës, djepit të demokracisë shqiptare me 20 e ca sekserë, pasardhës të nomenklaturës komuniste, klientë dhe servilë të rëndomtë. Fyerja më e madhe që Edi Rama mund t’i bëjë një qyteti qëndrestar ndaj paraardhësve të tij, por në fakt si pjesë të Shkodrës ai preku vetëm hotelin luksoz ku kaloi 5 orët e mbledhjes. Në asnjë moment, kryesocialisti dhe banda e tij me 20 e ca sekserë s’u pa nëpër qytet, përkundrazi izolim total dhe të bunkerizuar nga informacioni, shto këtu dhe 50 bodyguard-ë të shoqëruar nga një ambient tërësisht i mbyllur. Siç duket pamundësia, për arsye të ndryshme, për ta zhvilluar këtë takim në qytetin e Durrësit, i hodhi në Shkodrën antikomuniste dhe paniku që Rama ka ndaj këtij qyteti qëndron në faktin e bunkerizimit të tij përgjatë gjithë ditës. Ndryshe nga Vlora ku ai dhe çeta e tij u pa edhe në qytet, duke frekuentuar kafe dhe drekuar përgjatë dy ditëve në restorantet pranë zonës së plazhit, në Shkodër rezulton krejt e kundërta. Izolim nga ambienti i jashtëm, mungesë informacioni dhe forca të rrepta sigurie a thua se atje po zhvillohej mbledhja e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, në tërësi na jep një tablo përcaktuese se me çfarë emocionesh e përjeton Edi Rama vizitën në atë qytet. Padyshim që sapo i shkel këmba në Shkodër, në mendje i vërtiten demonstratat e 1991-shit, të cilat shërbyen si pikënisje për t’i vënë kazmën regjimit të kalbur komunist. Si mund të ndjehet Edi Rama në vendin, të cilit i takon pesha kryesore e rrëzimit të regjimit të atit të tij shpirtëror? Sigurisht në ankth dhe panik, i rrethuar nga mirazhe demonstratash, protestash dhe revoltash kundër pasardhësve të regjimit. Kjo e tmerron dhe ndaj ai gjatë pesë orëve të pasdites s’është parë në qytet, ka qenë iu izoluar në shpellën e zgjedhur vetë. Normalisht s’ka patur ndonjë përvojë shpirtërore për të provuar ngujimin e Oso Kukës, por se ka fobi nga qyteti me histori të pasur antikomuniste, qyteti ku nisën lëvizjet e para kundër diktaturës që mbahej në këmbë nga trungu politik të cilit i përket Edi Rama. Mbledhja e djeshme përfundoi rreth orës 21:00, por nga ambientet e hotelit luksoz s’u pa të dalë asnjë prej njerëzve të kabinetit të tij. Edhe darkën kishin zgjedhur ta konsumonin në hotelin e mbledhjeve, kjo si rezultat i urdhrit të Ramës për të mos dalë asnjë sekondë jashtë perimetrit të ambienteve luksoze ku zhvillohej mbledhja e kabinetit. Dita e dytë e takimit do jetë padyshim fotokopje e të parës. Rama do lëshojë alarmin e zgjimit nëpër dhomat e hotelit dhe do i thërrasë në sallën e konferencave. Dita do të vazhdojë me po të njëjtën axhendë; izolim nga fryma e qytetit, qytetarët dhe ambienti përreth, mungesë informacioni dhe shtim të forcave të sigurisë. Shkurt, paniku i tij ndaj atij qyteti do vazhdojë gjatë, s’dihet sesa...
Edhe faturat e Shkodrës s’janë bërë transparente/Kushdo mund të ushtrojë pyetjen se çfarë fature financiare kanë mbledhjet dyditëshe të Edi Ramës nëpër qytetet e vendit dhe kush i mbulon këto shpenzime. Është e drejtë kushtuese e gjithsecilit që t’i kërkojë Edi Ramës sesa i kushtoi akomodimi në hotelin e Shkodrës, pasi për atë të Vlorës dominoi terri financiar, po aq sa edhe ai informativ. Pyetja për Edi Ramën vlen ende. Sa është fatura financiare e aktivitetit dy ditor në Shkodër? Kush i mbulon shpenzimet? Sikurse, një varg pyetjesh pa përgjigje janë edhe ato lidhur me konferencën dy ditore me arkitektë dhe urbanistë të huaj. Sa është fatura financiare e të gjithë aktivitetit? Kush i pagoi faturat e majme të tyre? Përpara se Edi Rama të ndërrojë mendje dhe të zhvillojë ndonjë takim tjetër, më mirë të bëjë minimumin e transparencës dhe të zhvillojë i qetë ngujimet dyditore ku të dojë.