Fehmiu në Shqipërinë e vitit 1972

74 vjet më parë në qytetin e Sarajevës, lind një aktor i cili edhe në ditët e sotme konsiderohet si “kremi” i aktrimit në ish – Jugosllavi. Rrugëtimi i tij lidhet mes Sarajevës, Shkodrës, Prizrenit, Prishtinës dhe Beogradit.
Ai është aktori shumë i njohur për rajonin tonë, Bekim Fehmiu.
Deri më sot Fehmiu luajti në më shumë se 40 filma të metrazhit të gjatë si në kinematografinë jugosllave atë evropiane, duke arritur madje edhe në Hollywood.
Ka bashkëpunuar ngushtë me emrat e njohur të filmit, si: John Houston, Ava Gardner, Dirk Bogart, Sharl Aznavur, Irene Papas, Claudia Cardinale, Candice Bergen.
Në vitin 1987, Fehmiu në shenje proteste kundër propagandës antishqiptare dhe përhapjes së urrejtjes ndaj shqiptarëve, braktisi shfaqjen "Madame Kolontine" të Anete Playel, ku luante Leninin dhe Stalinin.
Në fillimin e vitit 2001, u botua autobiografia e aktorit Bekim Fehmiu, me titullin "Shkëlqim dhe frikë".
Për një kohë të gjatë ai nuk dha dhe vazhdon të mos japë intervista për mediet. Sot ai jeton ne Beograd, ndërsa verës e shohim të ulur në bufenë e Kinos “ABC”, në Prishtinë.
Por, kësaj here nuk do të flasim për historinë e tij në film, por për një vizitë shumë interesante që Fehmiu ia bëri Shqipërisë në vitin 1972, vite të cilat jo shumë kush e ka pasur eksluzivitetin ta vizitojë Shqipërinë e hekurt.
Dokumentarin të cilën po e prezantojmë e disponon Instituti “Luce”, nga Italia, ndërsa ditë më parë kjo video u transmetua në një version të shkurtër edhe nga Klan Kosova. Dokumentari gjendet edhe në Arkivin Qendror Shtetëror i Filmit në Shqipëri. Rrugëtimi i Fehmiut nëpër Shqipërinë zgjat afro 10 minuta dhe është një prodhim i Kinostudios “Shqipëria e Re”. Për shkak të një bllokade totale dhe të hekurt sa i përket informimit dhe teknologjisë, duket se fytyra e Fehmiut vetëm se imagjinohej nga shqiptarët e Shqipërisë pasi dokumentari nis me këto fjalë: “Përfytyrimet për të ishin më konkrete tek njerëzit e artit dhe kinematografisë”. Ai nuk paraqitet si aktor jugosllav por kosovar.
Për të u bë një pritje e madhe nga artistët dhe njerëzit e filmit madje në fund u cakërruan edhe gotat. Në fillim të dokumentarit, sa i përket stilit të veshjes, Fehmiu dallon shumë nga rrethi i tij. I veshur me një xhaketë të lëkurës, bluzë dhe duke mos e ndalur cigaren për asnjë moment. Fehmiu viziton edhe xhirimet e filmit për fëmijë, “Kryengritja në Pallat”. Pas aktorëve vinë shkrimtarët dhe Fehmiut i organizohet një pritje në Lidhjen e Shkrimtarëve që atë kohë udhëhiqej nga shkrimtari Dhimitër Shuteriqi. Në video shihet edhe shkrimtari Ismail Kadare. Pas vizitës te shkrimtarët, Fehmiu vizitoi Ministrinë e Kulturës ku edhe ndryshoi pamjen e tij duke veshur pallto dhe kravatë. Ndërsa njëra prej pikë-ndalesave të Fehmiut ishte edhe qyteti i Krujës. Brenda dokumentarit nuk ka asnjë intervistë me Fehmiun, përveç interpretimeve të disa fjalëve të tij. Ai është pyetur nëse do te luante në ndonjë film shqiptar.
“Do të isha i lumtur”, së paku kështu interpretohet përgjigjja që ka dhënë Fehmiu në pyetjen e bërë. Në Durrës ai viziton amfiteatrin, si dhe muzeun arkeologjik. Në mbrëmje ai i kthehet stilit të tij dhe viziton Ansamblin e Valleve Popullore i rrethakuar me dhjeta valltarë. Pas kësaj vizite ai niset në qytetin e Gjirokastrës ku thuhet se i ka bërë shumë përshtypje kjo vizitë. Nga Gjirokastra vizita e tij vazhdon në qytetin antik të Butrintit derisa në video shihet duke hyrë nën “Portën e Luanit”, ndërsa legjendat thonë se nën këtë portë ka kaluar edhe Odiseu, heroi i mitologjisë greke derisa Fehmiu vetë kishte luajtur në rolin e Odiesut. Fehmiu ndalet edhe në qytetin e Shkodrës, ku për një kohë familja e tij ka jetuar. Madje ai ndalet për një moment edhe në shtëpinë e tij të dikurshme në Shkodër. Në fund ai pjesë në paradën e parvjetshme që dikur i organizonte partia komuniste.
Dokumentari përfundon kështu “Bekim Fehmiu është një aktorë realist i talentuar dhe me kulturë. Duke u larguar nga vendi i ynë, kineastët dhe artistët tanë e urojnë për një perfeksionizëm të mëtejshëm si aktorë i teatrit dhe kinematografisë”.
Vizita e Fehmiut bërë Shqipërisë përfundon me një buzëqeshje dhe me një përshëndetje para se të hip në aeroplan. Nëse dëshironi ta shikoni këtë video atëherë klikoni në: http://albania.archivioluce.com/archivioluce/albania/ita/