E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elektra, dhe dy net në skenën teatrore

Tragjedia Elektra erdhi për publikun nga një kast i zgjedhur aktorësh. Në rolin kryesor ishte aktorja, Luiza Xhuvani, por ajo që bie në sy është rikthimi në Teatrin Kombëtar pas 14 vjetësh i aktores Roza Anagnosti në rolin e Klitemnestrës, nënës së Elektrës. Tragjedia e Sofokliut Elektra, pas disa sukseseve në skenën e TK do të jetë dhe dy net të tjera në skenë për publikun,

i cili do të ketë mundësinë që të shijojë sërish lojën e përkryer të aktorëve të njohur të skenës. Në këtë vepër një interpretim mjeshtëror erdhi dhe nga aktorja e njohur Monika Lubonja, në rolin e motrës së Elektrës. Ndërkaq që në skenën shqiptare trupa e përzgjedhur së bashku me protagonisten kryesore Luiza Xhuvani kanë mundur tia rrëmbejnë duartrokitjet spektatorit. Në rreth një orë e 30 minuta në një skenografi të Fatbardh Markut, që jepte idenë e një tempulli u luajt tragjedia e shpagimit të bijve të Agamemnonit. Një Elektër e interpretuar mjeshtërisht nga Luiza Xhuvani, e mbytur nga dhimbja për humbjen e të atit, por plot urrejtje për dorën vrasëse nënën e saj Klitemnestra, që ktheu në skenën teatrore aktoren Roza Anangnosti. Ndërkaq Oresti ka qenë për aktorin Laert Vasili një emocion i rrallë ta luante atë në shqip, pasi ai më parë e ka interpretuar dhe në gjuhën greke. E konsideruar një vepër për të cilën duhet kurajo ta marrësh përsipër, Elektra në skenën e Teatrit Kombëtar erdhi nën regjinë e të mirënjohurit Adonis Filipit, i cili vuri në dukje vlerat e tragjedisë së Sofokliut, ato morale, estetike dhe filozofike. Tragjedia Elektra ende mbetet e pëlqyeshme për regjisorët dhe për repertorët e teatrove të sotëm botërorë, pasi ajo nuk është personazh, është fenomen dhe si e tillë erdhi në interpretimin e fuqishëm të aktores Luiza Xhuvanit. Ndërkaq tragjedia ishte veshur nga dora e kostumografit maqedonas Blagoj Micevski, i cili solli jo vetëm sharm aktorëve, por elementë cilësor skenografik. Veç Xhuvanit dhe Anagnostit, Laert Vasili, Monika Lubonja, Bujar Asqeriu, Vasjan Lami, Ahmet Pasha, Elida Janushi, Violeta Trebicka, Ermela Teli, Klea Konomi janë aktorët e roleve të tjera të kryeveprës së Sofokliut, e cila vjen dhe dy net të tjera në skenë. Tragjedia Elektra vazhdon të jetë edhe sot e kësaj dite një pikë referimi, që tërheq vëmendjen dhe grishjen artistike të mjaft krijueseve, kërkuesve, artistëve dhe regjisorëve. Për vetë regjisorin Adonis Filipi përgatitja e kësaj shfaqjeje ka qenë një përgjegjësi e madhe. Ai  pohon se: Elektra thërret për vlera morale. Është simboli i sfidës njerëzore. Rikthimi i veprave të mëdha nga dramaturgjia botërore në skenën e Teatri Kombëtar ka sjellë dhe suksesin radhës në skenën e tij.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›