E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bujar Kokonozi nderohet me titullin Mjeshtër i Madh

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi nderoi dje me urdhrin Mjeshtër i Madh, artistin e shquar, regjisorin dhe drejtorin e fotografisë, aktualisht drejtor artistik i Televizionit kombëtar Top Channel, Bujar Kokonozi, me motivacionin: Për kontribut të rëndësishëm në krijimin dhe zhvillimin e medias elektronike shqiptare, për të komunikuar tek publiku emisione

me vlera të mëdha artistike, me përmbajtje kombëtare dhe progresive. Në këtë ceremoni zyrtare të organizuar në mjediset e institucionit të presidencës merrnin pjesë artistë, aktorë, figura dhe personalitete të shquara të skenës, kinematografisë dhe medias shqiptare. Pas ekzekutimit të himnit kombëtar dhe leximit të dekretit të dekorimit nga Sekretari i Përgjithshëm, zoti Aleksandër Flloko, Kryetari i Shtetit i dorëzoi zotit Bujar Kokonozi, Urdhrin e lartë dhe dekretin përkatës në shenjë vlerësimi. Në fjalën e tij presidenti Topi theksoi: Zakonisht nuk është në ritualin e ceremonive të dekorimit për të marrë fjalën, por kam një lloj detyrimi moral, duke e njohur Bujarin prej shumë kohësh, por ky mikrofon nuk është për ta shfrytëzuar për qëllime personale, sepse sot jemi këtu për të nderuar një artist, një mjeshtër të vërtetë. Jo pa qëllim ju e merrni sot titullin Mjeshtër i Madh. Ju jeni mjeshtër që e keni demonstruar me punë e vepra në vite. Gjatë këtyre ditëve janë bërë disa dekorime, aq sa duket sikur institucioni i Presidentit të Republikës është fokusuar te dekorimet, por natyrisht, për një kohë të gjatë nuk janë bërë dekorime, sepse vetë atmosfera politike, çështje të tjera që kanë qenë, kanë përbërë sunduesin e jetës së këtij Institucioni, ndaj dhe ky dekorim qe detyrim kushtetues, vijoi presidenti Topi. Në fjalën e tij me këtë rast, z. Bujar Kokonozi u shpreh: Ju falënderoj, që po më nderoni në këtë çast shumë të rëndësishëm për mua! Këtë titull e ndaj me ju dhe me gjithë të tjerët, që nuk janë në këtë moment, por që kemi punuar bashkë. Dëshiroj të kujtoj në këtë çast zotin Dritan Hoxha, krijuesin e kompanisë më të fuqishme në Shqipëri. Nderim për veprën e tij. Ajo që desha të thosha se kam akoma shumë për të dhënë. Besoj se koha do të më ndihmojë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›