Elbasani, i rrezikshëm për të bërë dashuriçka
John Foster Fraser është një prej atyre udhëtarëve “paqësorë”, siç e quante llojin e tij, i cili zgjodhi t’i binte botës rreth e përqark (për aq sa pati mundësi). Rreth fillimit të shekullit XX, kureshtja nuk mund të mos e sillte edhe në Shqipëri. Ky autor udhëtimesh, i lindur në Britani në vitin 1868, u qas drejt Shqipërisë, asaj të poshtmes, për të parë e për të përshkruar elementet e eposit, etnografisë, traditës dhe dokeve shqiptare.
Të gjitha këto vijnë me një stil të këndshëm, të përshtatshëm për lexuesin anglosakson. Edhe një herë ndodh që të zbulojmë një udhëtar të huaj të pasionuar pas aventurës. Ai është një rrëfimtar e ballkanolog i njohur, i cili na përcjell detaje dhe na njeh me Shqipërinë e viteve kur jetoi. Gjithashtu sjell edhe një përshkrim për relievin, natyrën, tipologjinë, virtytet dhe psikologjinë e shqiptarëve dhe marrëdhëniet e tyre me fqinjët, detaje të cilat mbeten të rëndësishme edhe për studiues të fushave të ndryshme. Për herë të parë shtëpia botuese “Zenit” sjell në shqip “Shqipëria e Poshtme”, të autorit John Foster Fraser. Ky vëllim bën pjesë në koleksionin “Memorie” të botimeve “Zenit”.
“Pa dyshim që të tilla vepra i shërbejnë mjaft njohjes së shqiptarëve me vendin e tyre, nën optikën e atyre studiuesve, etnologëve, ballkanologëve, artistëve e poetëve mes të cilëve edhe Byron, Edward Lear, Dora D’Istria, që përmes udhëtimeve, syrit observator, me dashurinë herë për faktin e vërtetë e herë për Shqipërinë, kanë bërë që kjo të njihet aq shumë prej tyre sa edhe Rilindjes shqiptare. Përtej kësaj, ndihmesa për etnologjinë, kostumografinë, historinë, antropologjinë e më tej janë të pallogaritshme, duke u dhënë material dhe gjithë trajtimeve të mëvonshme të albanologjisë dhe deri artit si pasqyrim dhe memuar i peizazhit, relievit dhe etnosit shqiptar nga artistë të mëdhenj si Delacroix, Leon Gerome etj., apo anasjellas”, thotë botuesi Krenar Zejno. Në Shqipëri, John Foster Fraser mbërriti nga ana perëndimore e Ohrit.
Mes turqve, bullgarëve, grekëve etj., populli që më shumë i bie në sy këtij udhëtari ishin pikërisht shqiptarët. “Burrat janë shtatlartë dhe zeshkanë, me tipare të pashme dhe të rregullta. Atje dhe, në të vërtetë, në të gjithë vendin, shqiptari më la përshtypjen e një sqimatari. Ai dëshiron që xhamadani i tij të jetë i qëndisur me serm e flori. Zakonisht, fustanella e tij është borë e bardhë. Opingat, rëndom prej lëkure të kuqe, kanë nga një xhufkë të madhe në majë... për të cilën shqiptari mendon se është pjesë veçanërisht e rëndësishme e “kapardisjes” së tij”, shkruan ai. Pas një udhëtimi të vështirë mes maleve shqiptare, britaniku thotë se gjendja e Shqipërisë nuk është e pangjashme me atë të Skocisë në shekullin XVI.
“Shumë herë kam menduar për ngjashmëritë mes Shqipërisë dhe Skocisë. Ka pjesë të vendit që të sjellin ndër mend malësitë skoceze. Dashuria e zjarrtë për vendin është karakteristikë për të dyja. Mëria e malësorit skocez ndaj fyerjes mund të barazohet vetëm me ngutjen e shqiptarit për të qëlluar mbi këdo që nuk pajtohet me të. Fustanella me palë e shqiptarit, sigurisht ngjan me kiltin e malësorit skocez dhe po arritët të dëgjoni rënkimin e muzikës shqiptare në kodra, pa e sforcuar shumë imagjinatën, mund të përfytyroni sikur ajo që dëgjuat qe çirrma e një gajdeje”, vëren ai. Pas maleve, ai gjendet në Elbasan, nga ku na sjell edhe një herë një përshkrim të detajuar të vendit, njerëzve apo infrastrukturës. “Elbasani është një qytet me ndonja njëzet mijë banorë. Aty ka boll hapësirë për t’u grindur... Zakonisht çdo burrë mban në brez dy kama.
Gratë, të mbuluara thuajse krejtësisht me të zeza, rrëshqasin me sytë përdhe. Po qe se ndonjë mashkull është aq i marrë sa t’ia hedhë sytë ndonjërës prej këtyre zonjave, atë e pret një vdekje e shpejtë dhe e beftë nga fisi i të afërmve të saj. Nëse edhe asaj i pëlqen, e nis e i hedh vështrime të ëmbla, atëherë vriten që të dy. Unë nuk e provova vetë, por më siguruan se Elbasani është qyteti më i rrezikshëm në tërë Europën për të bërë dashuriçka”, vëren Fraser. Në ditarin e tij prej udhëtari rrëfimtar, Fraser ndalet në një kapitull të veçantë, ku përshkruan shqiptarët. Edhe njëherë ai i krahason me skocezët. “Sikundër skocezët, shekuj më parë, pavarësisht nga ndryshimet ndërmjet tyre, puqeshin me njëri-tjetrin nga urrejtja që ushqenin për anglezët, kështu edhe shqiptarët i bashkon urrejtja që kanë për sllavët. Kombet përreth tyre ua kanë pasur aq shumë frikën – për shkak të pasionit të tyre mbizotërues dhe të pashuar për luftën – sa i kanë lënë shqiptarët të merren me veten e tyre.
Mungesa e rrugëve, shtigjet e rrezikshme malore dhe zilitë ndërfisnore kanë bërë që çdo zonë, e mbërthyer mes malesh të pakalueshëm, të ndjehet e vetëmjaftueshme...”, vijon britaniku, ndërsa zë e flet edhe për gjuhën e shqiptarëve. Shkruan se ekziston një alfabet kombëtar, por zor se është përdorur ndonjëherë. Komenton se në një pjesë të vendit përdoren germat latine, kurse në pjesën tjetër germat greke janë krejt të zakonshme. Në disa zona, në leksik janë futur shumë fjalë italiane, në zona të tjera fjalë greke, kurse në të tjera akoma fjalë sllave. Si pasojë, shqiptarë që jetojnë pesëdhjetë a gjashtëdhjetë milje larg njëri-tjetrit, kanë vështirësi të mëdha për t’u kuptuar... Një tjetër temë të cilën prek autori britanik, është edhe pushtimi turk në Shqipëri.
Gjatë kohës që ka mbajtur shënime, ai mendonte se edhe pse shqiptari do të dëshironte të flakte tej varësinë, qoftë dhe formale nga Turqia, është pikërisht kjo varësi e cila pengon që vendi të kthehet në një arenë vrasjesh dhe plaçkitjesh ndërmjet fiseve, dhe ajo që mban larg italianët, të cilët s’ka dyshim që duan ta pushtojnë vendin. Kështu, Shqipëria nuk ka ndonjë peshë të madhe në problemin ballkanik. Sigurisht, me anë të një kryengritjeje të përgjithshme, ata do mund t’i vini në pozitë të vështirë turqit. Por për sa kohë janë të përçarë, nuk kanë asnjë ndikim politik. Ditari më pas vijon me shënime udhëtimesh nga Berati, Vlora, Përmeti, Leskoviku e Korça. Nga kjo e fundit, John Foster Fraser kthehet edhe një herë drejt Manastirit në Maqedoni.