Gjilan, gati manifestimi kulturor Flaka e Janarit 2010

Gjilan, 11 janar NOA - Gjilani po bëhet gati
për edicionin e 19-të të manifestimit kulturor, tashmë të kthyer në një traditë
të bukur të këtij qyteti Flaka e Janarit 2010.
Në këtë aktivitet të madh priten performanca,
shfaqje dhe koncerte që prekin artin skenik, pamor, muzikor dhe letrar.
Sipas informacioneve paraprake të bëra publike
për median, që nga shtatori i vitit 2009, Bordi Drejtues i Këshillit
Organizativ ka shpallur konkurs në artin
letrar, për tregim të shkurtër dhe poezi, kategori të cilat do të japin nga tri shpërblime.
Konkursi, me temë të lirë, është i hapur dhe
mund të marrin pjesë krijuesit e të gjitha trojeve etnike shqiptare, me një apo më tepër punime,
të pabotuara apo të papublikuara më parë, të cilat duhet të dërgohen deri më 20
janar, ndërsa juria përkatëse vlerësuese, rezultatet do ti shpallë në faqen
elektronike të Komunës së Gjilanit, më datë 25 janar.
Ora e Madhe Letrare është menduar të mbahet më 27 janar.
Në konkursin e artit pamor Paneli i Flakës
do të jepen tri çmime të barabarta për pikturë, skulpturë dhe grafikë, si dhe
çmimi blerës për Fondin e Galerisë në vlerën e 500 eurove. Ekspozita Peneli i
Flakës XIX hapet më 17 janar në ora 19:00 në Galerinë e Qytetit në Gjilan.
Festivali i dramës fillon më 20 janar dhe
zgjat deri më 25 janar, kurse shfaqjet fillojnë në ora 19:00, në Teatrin e
Qytetit të Gjilanit. Në këtë festival kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre trupa
nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia. Drejt lirisë, është njëra nga
shfaqjet teatrore pjesëmarrëse në këtë
festival të dramës shqipe. Pjesa është një realizim i kompanisë Era
Production, me regji nga Robert Budina, shkruar dhe interpretuar nga Erand
Sojli
Fest Flaka, koncerti i muzikës popullore,
pritet të mbahet në Teatrin e Gjilanit më 26 janar.
m.s/NOA