E Diel, 1 Nëntor 2026

Elektra, thirrja nga antikiteti që tronditi skenën teatrore

Tragjedia e Sofokliut vjen suksesshëm në Teatrin Kombëtar

Rikthimi i veprave të mëdha nga dramaturgjia botërore në skenën e Teatri Kombëtar ka sjellë dhe suksesin radhës në skenën e tij. Pas dy vitesh që me vënien e Trojaneve, në skenën teatrore erdhi një tjetër kryevepër e antikitetit grek. Tragjedia Elektra erdhi për publikun nga një kast i zgjedhur aktorësh. Në rolin kryesor ishte aktorja e njohur e skenën

dhe filmit shqiptar Luiza Xhuvani, por ajo që bie në sy është rikthimi në Teatrin Kombëtar pas 14 vjetësh i aktores së mirënjohur Roza Anagnosti në rolin e Klitemnestrës, nënës së Elektrës. Tragjedia e Sofokliut Elektra në skenën shqiptare dhe trupa e përzgjedhur së bashku me protagonisten Luiza Xhuvani kanë mundur tia rrëmbejnë duartrokitjet spektatorit në Teatrin Kombëtar. Në rreth një orë e 30 minuta në një skenografi të Fatbardh Markut, që jepte idenë e një tempulli u luajt tragjedia e shpagimit të bijve të Agamemnonit. Një Elektër e interpretuar mjeshtërisht nga Luiza Xhuvani, e mbytur nga dhimbja për humbjen e të atit, por plot urrejtje për dorën vrasëse nënën e saj Klitemnestra, që ktheu në skenën teatrore aktoren Roza Anangnosti. Ndërkaq Oresti ka qenë për aktorin Laert Vasili një emocion i rrallë ta luante atë në shqip, pasi ai më parë e ka interpretuar dhe në gjuhën greke. E konsideruar një vepër për të cilën duhet kurajo ta marrësh përsipër, Elektra në skenën e Teatrit Kombëtar erdhi nën regjinë e të mirënjohurit Adonis Filipit, i cili vuri në dukje vlerat e tragjedisë së Sofokliut, ato morale, estetike dhe filozofike. Tragjedia Elektra ende mbetet e pëlqyeshme për regjisorët dhe për repertorët e teatrove të sotëm botërorë, pasi ajo nuk është personazh, është fenomen dhe si e tille erdhi në interpretimin e fuqishëm të aktores Luiza Xhuvanit. Ndërkaq tragjedia ishte veshur nga dora e kostumografit maqedonas Blagoj Micevski, i cili solli jo vetëm sharm aktorëve, por elementë cilësor skenografik. Veç Xhuvanit dhe Anagnostit, Bujar Asqeriu, Vasjan Lami, Ahmet Pasham, Elida Janushi, Violeta Trebicka, Monika Lubonja, Ermela Teli, Klea Konomi janë aktorët e roleve të tjera të kryeveprës së Sofokliut në skenën shqiptare. Tragjedia Elektra vazhdon të jetë edhe sot e kësaj dite një pikë referimi, që tërheq vëmendjen dhe grishjen artistike të mjaft krijueseve, kërkuesve, artistëve dhe regjisorëve. Për vetë regjisorin Andonis Filipi përgatitja e kësaj shfaqjeje ka qenë një përgjegjësi e madhe. Ai  pohon se: Elektra thërret për vlera morale. Është simboli i sfidës njerëzore. Për publikun kjo kryevepër do të jetë dhe këtë fundjavë në skenën teatrore, e ndërkohë që mësohet se publiku gjatë shfaqjes së saj ka mbushur sallën e TK.

Çfarë sjell Elektra?
Subjekti i tragjedisë Elektra është marrë nga cikli mitologjik mbi Atridët. Ngjarjet e tragjedisë shtjellohen në situata të ngjashme të "Koeforeve" të Esikilit: Në të dyja veprat Oresti rritet e bëhet burrë në dhe të huaj. Ai është vazhdimisht i shoqëruar nga miku i tij besnik, Piladi. Tek të dy tragjeditë Oresti vë në provë të motrën, duke iu shfaqur në fillim si i huaj, pastaj ndodh çasti i rinjohjes. Por secili nga këta dy poetë të mëdhenj ka vënë në vepër vulën e personalitetit të tij si artist. Ndërsa te Eskili rolin kryesor e ka Oresti, Sofokliu vë motrën e tij, Elektrën, në qendër të vëmendjes. Oresti nuk është veç krahu, shpirti është e motra. Të dy janë të vendosur dhe skanë asnjë luhatje në çastin kur ngre dorën dhe vrasin nënën e tyre, Klitemnestrën. Elektra është shumë e afërt me Antigonën për nga forca e vullnetit, nga vendosmëria për të kryer atë detyre që ajo e quan të shenjtë.

Nga Julia Vrapi

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›