E Diel, 1 Nëntor 2026

Makina që kërkon të zbulojë grimcën e Zotit, do të ndalojë sërish

Shkencë Këtë herë, për t’u përgatitur për fazën finale të eksperimentit unik

është projekti më ambicioz dhe mbi të gjitha më i kushtueshëm i epokës moderne, e megjithatë, pavarësisht lumit të parave që është derdhur për realizmin e tij, gjërat nuk po arrijnë që të funksionojnë siç duhet. Bëhet fjalë për projektin e fundit të CERN në Zvicër, që synonte të krijonte të ashtuquajturën “grimcën e Zotit”. Sipas njoftimeve të fundit, ai do të pushojë së funksionuari në fund të vitit 2011, përreth një vit, në mënyrë që t’i nënshtrohet një rikonstruksioni për të vazhduar në fazën pasardhëse. Kjo do të bëjë që makina gjigande të mos ta arrijë potencialin e saj maksimal as gjatë 2 viteve të ardhshme. Ndërkaq, i ashtuquajtur “zbërthyes i atomeve” do të arrijë në fund të këtij muaji potencialin e tij më të lartë të arritur deri më sot nga një mekanizëm i tillë, që është 7 trilion elektron volt. Por për të pritur një shkallë më të lartë energjie duhet që lidhjet mes pjesëve magnetike të makinës të jenë më të lidhura me njëra-tjetrën dhe kjo kërkon një kohë të caktuar, e cila do të arrihet vetëm në fund të vitit 2011. Sipas shkencëtarëve, nëse një ndërprerje e tillë nuk do të bëhej, atëherë i gjithë projekti mund të vihej në rrezik. Makineria e fuqishme, e cila ndodhet në Gjenevë të Zvicrës, ka filluar vetëm së fundmi që të funksionojë rregullisht, pasi ka qenë jashtë përdorimit për një kohë të gjatë, për shkak të një defekti të rëndë dhe të paparashikueshëm. Ky moment ka zgjatur 14 muaj resht, pas një aksidenti në shtatorin e vitit 2008. Në fakt bëhet fjalë për një makineri e cila është tepër e veçantë, krejtësisht unike dhe që mund të përballet me shumë të papritura teknike. Për sa i përket fazës së dytë të ndërprerjes, ajo nuk ka të bëjë më shumë me një çështje teknologjike, se sa me përfshirjen e një sërë operacionesh të ndryshme. Pas ndërprerjes që mendohet të ndodhë në fund të vitit 2011, pritet që kur makineria të rivihet në punë të arrijë një shpejtësi maksimale për 18 deri 24 muaj dhe pastaj kjo shpejtësi duhet që të lëshohet në tunelin prej 27 kilometrash të gjatë për të bërë aty copëzimin e pjesëzës më të vogël. Vendimi për ndërprerjen e veprimtarisë është marrë në mënyrë të përbashkët nga i gjithë paneli i shkencëtarëve, që është një panel ndërkombëtar.

Makineria dërgon rreze protoni në drejtim të kundërt rreth tunelit me një shpejtësi që i afrohet shumë asaj të dritës. Ato vërtiten me shumë shpejtësi dhe përplasen me njëra-tjetrën me një energji shumë të madhe. Qëllimi final është përplasja e copëzave për të krijuar kushtet e përshtatshme të afërta me momentet e Big Bang, që janë edhe momentet e zanafillës. Shkencëtarët shpresojnë që në përfundim të këtij eksperimenti, që nuk ka ndodhur asnjëherë, ata të shikojnë krijimin e grimcave nënatomike për të pasur një ide më të qartë, tashmë edhe të provuar mbi enigmën e fillesës së universit miliarda vjet më parë. Makineria ndodhet 100 metra nën tokë, në kufirin mes Zvicrës dhe Francës.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›