E Shtunë, 31 Tetor 2026

Playboy përuron Bodrumin e Metropolit

Komedia Me regji të Kiço Londos, vepra përmban tematikë të fortë sociale

Teatri i “Metropolit” pret sot komedinë irlandeze “Playboy i trojeve tona”. Vepra e shkruar nga John Millington Synge, vjen në skenën shqiptare nën regjinë e Kiço Londos. E përkthyer nga Sesilia Plasari, e cila njëkohësisht është edhe pjesë e kastit të aktorëve, do të interpretojë në rolin e vejushës Quin. Veç saj, do të ngjiten në skenë edhe aktorët Lulzim Zeqja, në rolin “Playboy”-t të quajtur Christy Mahon, Marsela Lena, Florian Agalliu, Xhejni Fama, Adriana Tolka, Aida Bajraktari etj., ndërkaq skenografia e kostumet për këtë komedi i janë besuar Berinda Kokonës. “Playboy i trojeve tona” vjen sot para publikut edhe për të përuruar një prej sallave më të reja të teatrit të “Metropolit”, atë të quajtur “Bodrum”. Regjisori Londo, njëkohësisht edhe drejtor i teatrit të Metropolit, ka zgjedhur pikërisht këtë vpër për ta përcjellë para publikut pasi është tërhequr nga tematika e fortë sociale e kësaj vepre. Personazhi, rreth të cilit vërtitet ngjarja, pretendon se ka vrarë të atin dhe është pikërisht ky akt që e bën atë të respektueshëm në sytë e fshatarëve të humbur. Kur përpara një gote me birrë të zezë ai rrëfen me pikëllim të rremë, ngjarjen, pavarësisht se çka e pret është litari, fshatarët e quajnë madje “trim”, edhe pse arsyeja e vrasjes nuk është edhe aq bindëse. “Playboy” vrau babanë, sepse ishte bërë i grindur kohët e fundit. Megjithatë në një vend, ku nuk ndodh asgjë, kjo është një ngjarje e madhe. Por figura e djaloshit nënvleftësohet, kur në skenë hyn i ati, i cili del se në të vërtetë nuk kishte vdekur. Kjo atmosferë ngrohet nga prania e dy “damave”, Pegeen, vajza e të zotit të pijetores dhe vejusha Quin. Komedia irlandeze “Playboy i trojeve tona” do të shfaqet sot në mbrëmje për mediat për të vijuar më pas për publikun në datat 12, 13 dhe 14 mars. Për herë të parë “Playboy i trojeve tona” u vu në skenë në fillim të shekullit XX. Vepra hasi në reagime të ashpra nga publiku, madje u quajt deri edhe e pamoralshme. Pavarësisht kësaj, komedia e shkruar nga John Millington Synge është rivënë vazhdimisht në skenë.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›