Elektroshtëpiaket, etiketa për konsumin e energjisë
Tregtarët do të gjobiten 50-fish mbi çmimin e shitjes, nëse mashtrojnë për sasinë e konsumit të energjisë
TIRANË - Sobat me korrent, makinat larëse, kondicionerët e të gjitha pajisjet e tjera elektroshtëpiake, do të shiten të shoqëruara me një etiketë, në të cilën shënohet sasia e energjisë që konsumojnë gjatë përdorimi.
Në përpjekje për të rregulluar marrëdhëniet tregtar-konsumator, Këshilli i Ministrave miratoi dje një ligj, në të cilin detyrohen të gjithë prodhuesit apo importuesit e pajisjeve elektroshtëpiake, të pajisin me etiketë sqaruese në shqip, të gjitha produktet që do të nxjerrin në treg.
Në etiketë duhet të shënohet saktësisht sasia e energjisë që pajisja harxhon gjatë funksionimit të saj, duke i mundësuar konsumatorit zgjedhjen e atij malli, që ai mendon se është më i përshtatshëm për të.
Në etiketë, gjithashtu, duhet të përfshihet edhe një përshkrim i hollësishëm i produktit dhe informacione të tjera, që shërbejnë për t'i bërë të mundur përdorimin sa më produktiv të pajisjes nga konsumatori. Informacioni i dhënë në etiketë duhet të jetë i saktë dhe jo çorientues për konsumatorin, pasi në rast të kundërt, ligji parashikon dënime të rënda për prodhuesin apo furnizuesin e këtij produkti.
Kështu, furnizuesit duhet të bëjnë kujdes, pasi, në rast të vendosjes së të dhënave të rreme, mund të përballen me një gjobë, e cila shkon sa 50-fishi i shumës së produktit. Në rast të nxjerrjes së produktit në treg të pa pajisur me etiketën e të dhënave, duhet të paguajë një gjobë sa 30-fishi i shumës së pajisjes.
Krahas shitjeve në prani të të dy aktorëve, të tregtarit dhe të blerësit, ky ligj parashikon të njëjtat kushte edhe për mallrat e porositura, që vijnë nëpërmjet postës apo mënyrave të tjera të blerjes. Në këtë rast, blerësi duhet të vihet në dijeni të të dhënave të pajisjes, para se të vendosë përfundimisht nëse do ta blejë atë.
Masat ndëshkuese parashikojnë edhe ndalimin përfundimtar të daljes në treg të të gjithë serisë së atyre pajisjeve ku janë hasur shkelje.
Ky ligj vjen në kuadrin e përmirësimit të situatës në treg, pas shumë shkeljesh ndaj konsumatorëve. Vetëm gjatë viteve 2006-2007, dhe vetëm në Shoqatën e Konsumatorit Shqiptar, janë depozituar mbi 17 mijë ankesa, të cilat, në shumicën e rasteve, kanë të bëjnë me cilësinë dhe efektshmërinë e produkteve të blera.
"Në etiketë duhet të shënohet saktësisht sasia e energjisë që pajisja harxhon gjatë funksionimit të saj, duke i mundësuar konsumatorit zgjedhjen e atij malli, që ai mendon se është më i përshtatshëm për të."