E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pukë, katër vetë bllokohen në borë

Dështojnë tentativat për të ndërhyrë nga ajri për shpëtimin e të bllokuarve


SHKODËR - Dëbora e madhe dhe temperaturat e ulëta kanë sjellë bllokimin e katër personave në afërsi të stacionit të antenave televizive në Midë të Pukës. Paraditen e së mërkurës, një nga punonjësit e këtij sektori dhe tre ushtarakë janë nisur me mjetin e tyre fuoristradë drejt kullave transmetuese të Midës për të bërë ndryshimin e turnit. Sipas burimeve nga policia, nga dëbora e madhe që arrin në 1,5 m dhe ngrica, ata kanë mbetur të bllokuar në zonën e Krrabit në afërsi të stacionit të pompave. Kanë mundur të lidhen me telefon dhe të kërkojnë ndihmë duke thënë se nuk lëvizin dot, pasi dëbora e ngrirë në shtresa të mëdha pengonte lëvizjen e tyre. Pas njoftimit, nga ana e policisë u përpoq të realizohej ndërhyrja nga ajri për të tërhequr Nazmi Hilën, Pjerin Vocin, Angjelin Gerën dhe Arben Ndocin. Por përpjekjet e helikopterit për ndërhyrje ishin të pamundura për shkak të mjegullës. Ndërkohë, një furgon i policisë së Pukës, një fadromë dhe katër automjete të tjera u nisën aty ku kishin mbetur të bllokuar katër personat. Nazmi Hila, punonjës i Telekomit, pati bërë të ditur përmes linjës telefonike se kishin mundur të shkojnë deri tek stacioni i pompave dhe të ndiznin një zjarr. Ndërkohë, në orët e vona, punonjës të stacionit të Midës arritën deri në vendin ku ishin bllokuar katër shtetasit dhe i tërhoqën ata për në stacion, ndërsa policia nisi të veprojë nga toka për t'i kthyer ata në Pukë, duke qenë se Hila ishte në gjendje jo të mirë shëndetësore.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›