E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kur merren kontributet shtesë të pensionit

25/02/2009  AMF harton ligjin e ri për fondet e pensionit. Paratë merren menjëherë ose çdo muaj

Shoqëria administruese që nuk informon AMF-në merr 2.5 milionë lekë gjobë ose burg

Pensionet e “luksit”, ose vjelja e kontributeve vullnetare për një pension më të mirë në moshën e pleqërisë, rregullohen me ligj të veçantë. Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka miratuar një ligj të ri për fondet e pensionit. Veç kontributeve në skemën e detyrueshme, çdo i punësuar sigurohet edhe në skemën vullnetare. Kjo është shtylla e tretë e përfitimeve për pensionet shtesë, e cila është e njohur në të gjithë botën. Masa e pensionit përcaktohet nga kontrata me punëmarrësin.

Kontributet

Në nenin 10, përcaktohen kontributet në fondin e pensionit. Në kuptimin e këtij ligji kontributet në para janë asetet e anëtarit. Ato janë derdhur në emër dhe për llogari të anëtarit. "Shoqëria administruese konverton në kuotë pensioni kontributet e investuara në fondin e pensionit dhe asetet e transferuara. Çdo kuotë pensioni përfaqëson një pjesë

përpjesëtimore pronësie në secilin nga asetet e fondit të pensioneve. Vlera totale e kuotave në fondin e pensionit është gjithmonë e barabartë me vlerën totale neto të aseteve të fondit të pensionit. 5. Kontributet dhe asetet e transferuara të fondit të pensionit mund të këmbehen me fraksione të kuotave të pensionit dhe vlera e aseteve në llogarinë e anëtarit mund të shprehet me këto fraksione të kuotave të pensionit, por jo në më shumë se 4 (katër) shifra pas presjes dhjetore”, - thekson drafti. Nëse anëtari përkohësisht ose përgjithmonë pushon së kontribuari në fondin e pensionit, ai mbetet anëtar në fondin e pensionit dhe ka të njëjtat të drejta si anëtarët e tjerë të fondit të pensionit.

Pagesa e pensionit

Anëtari i fondit të pensionit i merr paratë e tij ose të tëra ose në formën e pagesave periodike në formë pensioni. Afati është i përcaktuar. “5 vjet përpara se anëtari mbush moshën e pensionit të parashikuar me ligj për sistemin e pensionit të detyrueshëm që zbatohet për atë anëtar; ose kur anëtari bëhet i paaftë për punë në mënyrë të përhershme dhe vërtetohet si i tillë në përputhje me legjislacionin në fuqi”, - thekson drafti. Autoriteti ka të drejtë të hartojë rregullore në lidhje me mënyrat, kushtet dhe procedurat e pagesave.

Nga ana tjetër punëdhënësi mund të krijojë një plan të pensionit profesional për punëmarrësit e tij duke lidhur një kontratë me shoqërinë administruese. “Punëdhënësi mund të marrë përsipër detyrimin për të paguar kontribute për planin e pensionit profesional duke kontribuar në emër dhe në favor të punëmarrësve dhe duke bërë një ose disa pagesa të rregullta shoqërisë administruese për të mbuluar tarifat e shoqërisë administruese që duhet të paguheshin nga anëtarit”, - thekson drafti. Çdo kontribut i paguar nga punëdhënësi në favor të punëmarrësit do të konsiderohet sikur është paguar nga vetë punëmarrësi. Ligji përcakton edhe rastet kur shoqëria administruese, depozitari ose auditori shkel detyrimin për të informuar autoritetin. Në nenin 76 përcaktohet që ky detyrim është i menjëhershëm. Nëse nuk jep informacion shoqëria kryen një vepër penale dhe dënohet me gjobë deri në 2.500.000 lekë. “Po kjo vepër kur ka sjellë pasoja të renda dënohet me burgim deri në një vit ose me të dy dënimet”, - thuhet në draft. Në rast përsëritjeje të shkeljes, autoriteti i dyfishon sanksionet e këtij ligji dhe ai mund të shkarkojë personin përgjegjës nga funksioni që ai ka në shoqërinë administruese.

Vepron ligji për shoqëritë tregtare

Kur falimenton shoqëria që administron pensionin shtesë

Drafti ka marrë parasysh edhe rastet e likuidimit dhe falimentimit të një shoqërie administrative. Në nenin 83 parashikohet që likuidimi i shoqërive administruese rregullohet nga dispozitat e ligjit për shoqëritë tregtare. “Kërkesa për hapjen e procedurave të falimentimit të një institucioni të licencuar nuk do të pranohet nga gjykatat e Republikës së Shqipërisë, përveç rastit kur autoriteti ka dhënë miratimin që të paraqitet kjo kërkesë. Për të vendosur nëse kërkesa duhet të paraqitet ose jo, autoriteti duhet të vlerësojë nëse është e mundur që i licencuari të rivendosë ekuilibrin financiar të shoqërisë dhe ta sjellë atë në përputhje me kërkesat përkatëse për mjaftueshmërinë e kapitalit”, - thekson drafti. Falimentimi i shoqërive administruese rregullohet nga dispozitat e legjislacionit shqiptar për falimentimin. “Në rast falimentimi të shoqërisë administruese ose depozitarit, asetet e fondit të pensionit që zotërohen nga anëtarët do të trajtohen si çdo pasuri tjetër që i nënshtrohet të drejtës së veçimit, sipas legjislacionit shqiptar për falimentimin”, - thekson drafti. AMF-ja ka të drejtën të dëgjohet për çdo mocion, urdhër apo vendim tjetër që ka lidhje me procedurat e falimentimit të të licencuarit.

Pjesëmarrja

Në një fond pensioni pjesëmarrja është e hapur. Sipas nenit 9 të projektligjit, çdo individ mund të bëhet anëtar, vetëm pasi ka lidhur një kontratë fondi pensioni me shoqërinë administruese. “Përpara nënshkrimit të kontratës së fondit të pensionit, shoqëria administruese duhet të sigurohet që individi, i cili dëshiron të bëhet anëtar kupton që ky është investimi i duhur dhe është i informuar hollësisht për risqet që lidhen me investimin në fondin e pensionit dhe që risku i agjencisë, risku i kredisë, risku i tregut dhe çdo risk tjetër që shoqëron investimin në fondin e pensionit është shpjeguar qartë”, - nënvizohet në nenin 9. Në kuptimin e këtij drafti “anëtar” është çdo person fizik në emër dhe në përfitim të të cilit është hapur një llogari pensioni në fondin e pensionit. Ai ka të drejtë që të përfitojë në të ardhmen nga fondi i pensionit në bazë të kontratës së tij të fondit të pensionit me shoqërinë administruese.

NENI 15

Kontributet tuaja në një fond pensioni vullnetar nuk mund të humbasin. Ato i gëzojnë të afërmit tuaj, nëse ju nuk do të keni mundësi të përfitoni prej tyre për shkaqe aksidentale. Në nenin 15 të këtij projektligji është parashikuar rasti nëse anëtari i një fondi pensioni vdes para moshës së pensionit. “Nëse anëtari vdes përpara se të marrë pagesën e të gjitha aseteve vetjake sipas nenit 14, asetet në llogarinë e tij do t’i shpërndahen trashëgimtarëve në bazë të dispozitave ligjore që rregullojnë trashëgiminë ligjore”, - thekson drafti. Në këtë rast marrëdhëniet i rregullon e drejta trashëgimore.

Hartimi i draftit

Projektligji mbi fondet e pensionit vullnetar është hartuar për të vendosur standardet e nevojshme për krijimin dhe administrimin e fondeve të pensionit vullnetar. Hartimi i këtij kuadri ligjor është një mënyrë për të siguruar mbrojtjen e anëtarit të fondit të pensionit, si dhe për të nxitur qëndrueshmërinë, sigurinë dhe mirëqeverisjen e aseteve të fondit të pensionit. Projektligj i është hartuar me konsulencë të Bankës Botërore.

Përmbajtja

Drafti i hartuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare është i përbërë nga 108 nene. Nëse ky draft do të miratohet pas kalimit në të gjitha hallkat, Ministria e Financave duhet që brenda 6 muajve të nxjerrë aktet nënligjore në zbatim të nenit 88. Ndërsa si detyrë e autoritetit mbetet nxjerrja e rregulloreve për aktivet e lejuara në të cilat mund të investohet fondi i pensionit dhe kufirin maksimal të lejuar të investimit brenda 2 muajve.

Mbrojtja e aseteve të anëtarit

Asetet e një anëtari nuk mund të jenë objekt falimentimi. “Çdo përpjekje për të lënë si garanci ose për të përdorur për qëllime të ngjashme asetet në llogarinë e pensionit të anëtarit të fondit të pensionit, ose për t’i bërë objekt ekzekutimi, ose pjesë të falimentimit të mundshëm është absolutisht e pavlefshme”, - thekson drafti. Ligjvënësi mbron në këtë mënyrë depozituesin, pasi vetë fondi i pensionit nuk është pjesë e procedurës së falimentimit.

Anëtarët informohen çdo muaj

Përllogaritja e aseteve në fondin e pensionit

Çdo muaj anëtarët në një fond pensioni duhet të informohen për gjendjen e llogarisë së tyre, si dhe datat e pagesës së kontributeve. Për këtë detyrim informimi është vetë shoqëria administrative që duhet të marrë masa. “Shoqëria administruese, në periudha të rregullta kohore dhe të paktën çdo 30 ditë, duhet të informojë çdo anëtar mbi asetet, përfshirë vlerësimin e vlerës neto të aseteve në llogarinë e pensionit të anëtarit, datat e kontributeve dhe transfertat e pagesave të bëra nga ose në emër të anëtarit gjatë periudhës përkatëse dhe shndërrimin e këtyre kontributeve dhe aseteve në kuota pensioni”, - thuhet në draft. Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare mund të hartojë rregullore, në lidhje me afatet dhe mënyrat e publikimit të këtij informacioni. Gjithashtu, autoriteti mund të nxjerrë rregullore që lejojnë metoda të tjera të përllogaritjes së vlerës

neto të aseteve të fondit të pensionit. Përllogaritja e vlerës neto të aseteve të anëtarit në një fond pensioni, për qëllime të sigurisë së likuiditetit, do të kryhet në bazë të parimit të “vlerës së tregut”, ndërsa asetet më pak likuide do të vlerësohen duke ndjekur parimet e zbatueshme të “Standardeve Ndërkombëtare të Raportimit Financiar”, përveçse kur përcaktohet ndryshe në rregulloret e nxjerra nga autoriteti.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›