E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dosjet, Uidhers-Topi takojnë krerët e drejtësisë

Juristi amerikan, shpreh qëndrimin e SHBA-së në takimin me Ina Ramën, Vladimir Kriston, Shpresa Beçajn dhe Kreshnik Spahiun

TIRANË- Presionet e shumta të qeverisë mbi sistemin gjyqësor e Prokurorinë, aq më tepër ligji i shumëpërfolur i lustracionit, kanë mbledhur në një takim të veçantë Presidentin e Republikës, Bamir Topi, krerët e të gjitha institucioneve të drejtësisë, me ambasadorin amerikan në Tiranë, Xhon Uidhers dhe ekspertë të ardhur enkas nga SHBA-ja.

Takimi është zhvilluar pasditen e djeshme, dhe, përveç Presidentit e ambasadorit, kanë qenë të pranishëm, Kryeprokurorja Ina Rama, Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Vladimir Kristo, Kryetarja e Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj, si dhe nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu.


Burime të afërta me takimin, kanë pohuar dje se juristi amerikan, Rozher Sherard, ka zhvilluar një takim me Presidentin e Republikës, Bamir Topi. Takimi është bazuar në diskutimin për çështjet ligjore në Shqipëri, por më së shumti është diskutuar për ligjin e lustracionit.


Nisma e qeverisë për të bërë një ligj që cenon hapur Kushtetutën, është kontestuar haptazi nga të gjithë aktorët e sistemit gjyqësor në vend, por edhe nga ndërkombëtarët.


Një ndër institucionet ndërkombëtare që ka kundërshtuar më shumë këtë ligj, është Ambasada Amerikane, e cila i ka kërkuar disa herë Kryeministrit Berisha që të tërhiqet. Kalimi i ligjit në Gjykatën Kushtetuese, i ndjekur edhe nga vendimi për pezullimin e tij, ka shënuar në hap përpara, por sërish qeveria ka shprehur vendosjen e saj për ta shpënë deri në fund këtë çështje.


Burimet e afërta me takimin, pohuan se kjo ishte edhe tema kryesore e diskutuar dje. Në takim, përveç Presidentit të Republikës dhe përfaqësuesve amerikanë, janë thërritur edhe aktorët kryesorë të sistemit të drejtësisë në Shqipëri.


Kryeprokurorja Ina Rama, Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Vladimir Kristo, Kryetarja e Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj, si dhe nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu, kanë diskutuar dje me juristin amerikan, Rozher Sherard, në lidhje me ligjet shqiptare në përgjithësi, si dhe ligjin e lustracionit në veçanti.


Sipas burimeve të brendshme në takim, juristi amerikan, Rozher Sherard, ka shprehur mendimin e tij në lidhje me ligjin e lustracionit, duke mbajtur qëndrimin e thënë edhe më parë nga shteti amerikan, se ai është në kundërshtim me Kushtetutën dhe se nuk duhet të miratohet.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›