E Diel, 1 Nëntor 2026

Elidon Laze: “Vetëm pronat me probleme do të regjistrohen nga e para”

Autori i Lajmit: Lili Saraci

Pasuritë e paluajtshme nuk do të regjistrohen nga e para. Regjistrim nga e para do të bëhet vetëm për pasuritë që kanë probleme (konflikte). Ndërsa pasuritë që tashmë janë regjistruar në regjistra manualë do të bëhet kalimi i tyre në dixhital. Kështu ka pohuar drejtori i Drejtorisë Juridike, Elidon Laze, në një intervistë dhënë për gazetën “Ballkan”. “Procesi i dixhitalizimit nuk nënkupton regjistrimin nga e para, por transferimin e dokumentacionit dhe të kryerjes së shërbimit nga manual në atë dixhital. Pastrimi i dosjeve problematike, nëse do të përdornim termin e pyetjes tuaj, është një proces ligjor që ka të bëjë me regjistrimin qoftë atë analog (manual), edhe atë dixhital. Dixhitalizimi, sigurisht që do të bëjë më të mundshëm dhe më të lehtë procedurat teknike te procesit”,- ka bërë të ditur Laze. Ndër të tjera, në intervistë drejtori i Drejtorisë Juridike dhe Apelimit në ZQRPP ka folur edhe për vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Ai thotë se “ato çështje që nuk janë zgjidhur, mbeten për tu trajtuar, pasi mbetet ende problemi, mbetet fenomeni i mbivendosjeve, ngelen çështjet për tu zgjidhur. Rastet që deri para daljes së vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ishin detyrim i Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme ti trajtonte, ngelet tashmë të trajtohen rast pas rasti nga gjykata”,- përfundon Laze.

Çështë procesi i Regjistrimit Fillestar të pasurive të Paluajtshme dhe cila është historia e këtij procesi?
Regjistrimi Fillestar i pasurive të Paluajtshme, është procesi i regjistrimit ligjor të pronës së paluajtshme në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (ZRPP). Ky është një projekt madhor, i cili aktualisht, po realizohet në bashkëpunim me Bankën Botërore (BB). Në kuadër të projektit për Administrimin dhe Menaxhimin e Tokës, një projekt i Qeverisë shqiptare në bashkëpunim me BB-në, komponenti i parë i së cilës ka të bëjë me modernizmin e ZRPP-së, ne kemi filluar Regjistrimin Fillestar të pasurive në zonat urbane të vendit.

Si po ecën procesi i Regjistrimit Fillestar të pasurive të Paluajtshme?
Marrëveshja e Qeverisë shqiptare me BB-në, për Projektin e Administrimit dhe Menaxhimit të Tokës, është miratuar nga Parlamenti shqiptar në vitin 2007. Projekti u bë efektiv po në vitin 2007, ndërsa për shkak të disa procedurave që do të ndiqeshin filloi të gjejë zbatim në lidhje me regjistrimin fillestar, në vitin 2009. Aktualisht, ky proces tashmë i filluar, është në gjysmën e tij dhe përfshin në Tiranë 10 Zona Kadastrale (ZK), në Shkodër 2 ZK, në Vlorë në 2 ZK, në Fier në 2 ZK, në Sarandë në 3 ZK..., etj. Në rang vendi, ky proces vazhdon në 22 ZK. Disa ditë më parë, sërish si pjesë e të njëjtit projekt, pas një prokurimi ndërkombëtar, u kontraktuan për regjistrim edhe 50 ZK të tjera urbane, jo vetëm në Tiranë, por në të gjitha qytetet e Shqipërisë. Në këto ZK, pritet që së shpejti të nisë procesi i Regjistrimit Fillestar të pasurive. Lidhur me këtë pjesë të projektit, objektivi ynë është që deri në fundin e vitit 2011, ky proces të ketë përfunduar.

Pak ditë më parë u publikuan të dhëna të tjera, për ecurinë e procesit të regjistrimit elektronik të pasurive të paluajtshme. Ky proces, mos do të thotë se po kryhet nga e para ky regjistrim, apo e thëne ndryshe, pastrim dosjesh problematike…?
Procesi i dixhitalizimit nuk nënkupton regjistrimin nga e para, por transferimin e dokumentacionit dhe të kryerjes së shërbimit nga manual në atë dixhital. Pastrimi i dosjeve problematike, nëse do të përdornim termin e pyetjes suaj, është një proces ligjor që ka të bëjë me regjistrimin qoftë atë analog (manual), edhe atë dixhital. Dixhitalizimi, sigurisht që do të bëjë më të mundshëm dhe më të lehtë procedurat teknike te procesit.

Kur do të përfundojë ky Projekti dhe a parashikohen shkurtime të afatit për regjistrimin e pronës, referuar skemës se re?
Projekti parashikohet të përfundojë më 31 dhjetor 2011 dhe fillimisht përfshin zyrat vendore në Tiranë dhe Durrës, që në tërësi përfaqësojnë me shumë se 50 për qind të transaksioneve që kryhen mbi pasuritë e paluajtshme. Zbatimi me sukses i këtij projekti në këto dy zyra do të mundësojë shtrirjen e sistemit në të gjithë zyrat e regjistrimit. Sigurisht që ky proces do të mundësojë si shkurtimin e afateve të shërbimeve, i cili mbetet një nga prioritetet e zyrës se regjistrimit, ashtu dhe lehtësimin e aksesit të qytetarëve në informacionin që administron zyra e regjistrimit.

Si po veprohet nga Zyrat Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme për dosjet e legalizuara që kanë ardhur nga ALUIZNI për regjistrim, kur dihet se këto dosje përfaqësojnë një vlerë të konsiderueshme edhe kolaterale...?

Për sa i takon shërbimit të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, si dokument ligjor i të cilave shërben leja e legalizimit e lëshuar nga ALUIZNI, ZRPP nuk bën një ndarje të tillë bazuar në vlerën e pasurive. Për ne çdo lloj shërbimi është i barasvlershëm. Për të dalë te pyetja juaj, mund tju them se vazhdon nga ana jonë procesi i aplikimit, verifikimit dhe regjistrimit të këtyre pasurive. Ndërkohë që për një pjesë të dosjeve, tashmë të verifikuara, rezulton që të jetë kërkuar nga ALUZNI, plotësimi i atyre mangësive që janë konstatuar gjatë analizës në këto dosje dhe për këtë procedurë, sigurisht që janë njoftuar edhe subjektet e interesuara.

Ka mjaft objekte me vlerë të konsiderueshme kolaterali, kryesisht pallate që janë legalizuar dhe që janë në proces regjistrimi. Cili është afati në të cilin procedohet me trajtimin e këtyre pasurive.

Për ti dhënë përgjigje kësaj pyetjeje, fillimisht duhet të përmend procedurën që ndiqet deri në regjistrimin e një leje legalizimi. Leja e legalizimit që lëshohet nga ALUIZNI, është titulli i pronësisë që vjen për tu regjistruar në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në rastin e ndërtimeve informale. Sigurisht që ky titull pronësie shoqërohet edhe me dokumente të tjera shtesë, të cilat janë të nevojshme për të bërë regjistrimin e një pasurie të paluajtshme. Pas dërgimit të dokumentacionit, subjekti i interesuar paraqitet për aplikim duke paguar edhe tarifat e shërbimit të regjistrimit. Në vijim ZRPP, brenda një periudhe prej 15 ditësh nga data e aplikimit, analizon dokumentet për efekt të regjistrimit. Në analizën që i bëhet rast pas rasti gjithë dokumentacionit të nevojshëm që duhet të paraqitet në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, mund të konstatohen edhe mungesa në dokumentacionin e paraqitur për regjistrim. Përgjithësisht, në raste të tilla, është i përshtatshëm të zbatohet neni 5 i Ligjit “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”, i cili parashikon se procedura e regjistrimit mund të pezullohet deri në paraqitjen e dokumentacionit të kërkuar për plotësimin e dosjes, që rezulton me mungesë në zyrën e regjistrimit. Kjo do të thotë se afati 15-ditor, sigurisht që është i detyrueshëm për zbatim, por kjo për të analizuar dosjen dhe për të konstatuar nëse në këtë dosje ka mangësi apo jo. Në rast se nuk ka, procedohet me regjistrimin, në të kundërt, në varësi të dokumenteve që mungojnë kërkohet plotësimi i tyre nga organi që ka prodhuar dokumentin ligjor, lejen e legalizimit në këtë rast. Sigurisht, për këtë procedurë, njoftohet edhe subjekti i interesuar. Pra ecja e afatit 15-ditor, pezullohet, deri në plotësimin e mangësive të konstatuara në dokumentacion.

Pas vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, i cili nuk i lë më të drejtën e fshirjes ZQRPP-së, çfarë do të ndodhë me vendimet që nuk janë fshirë që nga viti 2007, e deri tani...?
Me marrjen e këtij vendimi nga ana e Gjykatës Kushtetuese, sigurisht ndërpritet çdo veprim i mëtejshëm i Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, si organ i ngarkuar nga ligji me trajtimin e mbivendosjeve. Por ato çështje që nuk janë zgjidhur, mbeten për tu trajtuar, pasi mbetet ende problemi, mbetet fenomeni i mbivendosjeve, ngelen çështjet për tu zgjidhur. Rastet që deri para daljes së vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ishin detyrim i Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme ti trajtonte, ngelet tashmë të trajtohen rast pas rasti nga gjykata.

Ky lajm është publikuar: 30/04/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›