Elina Duni: 1. Magjia ime me xhazin dhe marrëdhëniet me prindërit e divorcuar
Në Europë e ka krijuar profilin e saj artistik si këngëtare xhazi, por edhe në Shqipëri njerëzit tashmë e njohin me emrin Elina Duni dhe gjithmonë e më pak si vajzën e shkrimtares Besa Myftiu dhe regjisorit e aktorit Spiro Duni. Elina Duni u largua nga Shqipëria drejt Zvicrës në vitin 1991 kur ishte vetëm 10-vjeç, së bashku me nënën Besa Myftiu. Gjeneva do të bëhej vendi që e rriti, e edukoi dhe i hapi dyert e mundësive në jetë, ndërsa Shqipëria ka qenë e do të mbetet gjithmonë shtëpia. Ajo është një shqiptaro-zvicerane, një miksim mes dy botëve. E tillë është dhe muzika e saj: xhaz me ritme të folkut shqiptar, por e tillë ndihet edhe vetë Elina sa herë udhëton nga Zvicra në Shqipëri e kthim. Po si arriti Elina Duni të ishte zëri më i veçantë i muzikës xhaz, siç e kanë vlerësuar në Zvicër, Francë, Gjermani etj.? Suksesi i koncerteve me grupin “Elina Duni& Quartet”, ideja magjike për të sjellë folkun shqiptar në versionin xhaz dhe marrëdhëniet me prindërit e divorcuar që kur ajo ishte 4 vjeçe, rrëfehen te “Mapo”.
Dukeni shumë e familjarizuar me Shqipërinë?
Kohët e fundit kam ardhur shumë shpesh. Kam kuptuar se kam shumë nevojë për atë kaotizmin e Shqipërisë, për atë energjinë që ka Shqipëria. Është kjo lloj energjie kaotike, natyrshmëria e njerëzve, sesa thjesht mund t’i takosh, të flasësh, të komunikosh me ta. Një lloj bashkësie që ekziston vetëm në Shqipëri edhe pse ka nganjëherë edhe individualizëm të egër, por në përgjithësi ekziston një lloj bashkësie, ku njerëzit duken shumë të afërt, gati si një familje. Gjithashtu natyra më prek shumë këtu në Shqipëri dhe dua të bëj diçka për mjedisin, sepse më dhemb. Më prekin malet, liqeni, deti dhe muzika folklorike.
Bashkë me grupin keni krijuar në repertor shumë të veçantë, duke kënduar xhaz muzikën folkloristike shqiptare…
Ata (pjesëtarët e grupit) kanë një mënyrë të tyren shumë të veçantë sesi e interpretojnë dhe sesi e ndiejnë folkun shqiptar, por dhe unë gjithashtu e kam përpunuar disi që nga mënyra si e këndoj, çfarë bëj me të, ku e çoj ose ndonjëherë kam përshtypjen që mundohem t’i marr thelbin folkut shqiptar, por pa e dhunuar, mundohem të bëj diçka me të, por duke mbajtur të gjallë atë esencën që ka folku, që është diçka arkaike, por në të njëjtën kohë është jashtëzakonisht e fortë e thellë, e thjeshtë, është poezia e popullit.
Por vetëm Elina është shqiptare në atë grup, pjesa tjetër e Quartetit janë të huaj. Sa e kuptojnë pjesëtarët e tjerë të grupit folkun shqiptar, apo thjesht të ndjekin ty?
Ata sigurisht që më ndjekin mua, sepse unë për ta personifikoj folkun shqiptar. Por edhe pse janë të huaj për ta nuk është aspak e vështirë ta kuptuar. Ata të gjithë janë muzikantë të jashtëzakonshëm dhe u intereson gjithashtu ky lloj miksimi në muzikën që ne bëjmë. Kishin filluar me disa ritme turke dhe çifute. Ishin shumë të hapur ndaj muzikës orientale dhe ekzotike. Në fakt ajo që ndodhi me folkun shqiptar ishte më shumë diçka që lidhej me magjinë, sepse unë që herën e parë që është formuar ky kuartet kam ndjerë diçka magjike.
Folkun e sollët ju në grup apo ishte ide e të tjerëve?
Ky grup u formua rreth meje. Në fillim isha unë vetëm me pianistin Colin Vallon. Doja të bëja diçka me të, se më pëlqente shumë si pianist. Ishte viti 2004, unë isha në përfundim të shkollës së lartë për xhaz, ndërsa dhe ai sapo e kishte mbaruar. Po shihej si gjeniu i shkollës dhe i Zvicrës dhe gjithë mediat po shkruanin për të. Dhe një ditë më tha: “Dëgjo, derisa ti je shqiptare, përse nuk bëjmë më mirë diçka shqiptare sesa standardet e xhazit”. Idenë ma dha Colin Vallon, sepse unë nuk e njihja fare mirë folkun shqiptar, njihja shumë pak gjëra. Kur isha e vogël në shtëpinë time nuk dëgjohej fare folk, sepse folku përdorej akoma atëherë si një lloj propagande nga pushteti. Dëgjoja më shumë këngë italiane, babai dëgjonte këngë greke, unë vdisja për Majkëll Xhekson. Por i thashë Ok. Shkova dhe gërmova ca kaseta të vjetra te Besa (mamaja Besa Myftiu), gjeta dhe disa disqe të vjetra dhe kaseta të Merita Halilit, ca këngë që ishin greke dhe arvanitase. Dhe në fakt u shokova nga bukuria e kësaj muzike. E ndjeva që në momentin e parë edhe pse nuk isha rritur me të. Kur fillova ta këndoj u çudita me natyrshmërinë me të cilën zëri im e këndonte këtë muzikë. Dhe atë dridhjen e zërit s’e kisha bërë asnjëherë ose e kisha bërë për të qeshur. S’i kisha marrë asnjëherë seriozisht gjithë këto melizma që vijnë nga orienti dhe s’e kisha menduar se një ditë do t’i bëja të miat. Unë sigurisht mund të këndoj edhe pa melizma. Por fillova të këndoj në këtë mënyrë, fillimisht “Duo” pastaj në grup erdhën edhe 2 të tjerët dhe më pëlqeu shumë si ide. Në fakt nuk ka shumë grupe që përdorin xhazin modern me këtë miksim të folkut ballkanas. Por ne jemi një kuartet i vërtet, në sensin që jemi të gjithë bashkë, nuk është se unë jam para dhe ata janë mbrapa dhe kjo ka qenë shumë interesante që në fillim.
Koncerti i parë në Zvicër. Si e priti publiku xhazin e miksuar me muzikën ballkanase?
Kjo ka ndodhur para shumë vitesh, por publiku zviceran është një publik i kultivuar dhe e priti që në fillim shumë mirë. Por unë besoj se diçka e vërtetë dhe autentike nuk ka sesi të pritet keq. Aq më tepër kur është diçka ndryshe, sepse njerëzit janë mërzitur duke dëgjuar gjithmonë të njëjtin xhaz (ndoshta këtu në Shqipëri nuk njihet shumë), por andej janë mësuar duke dëgjuar standardet e xhazit dhe kur del një këngëtar, që për më tepër nuk këndon anglisht, shfaqin habi. Unë vetë isha dhe pak kundër këtij lloj imperializmi të gjuhës angleze.
I këndoni në gjuhën shqipe këngët tona popullore?
Po, po, unë këndoj në 7-8 gjuhë. Këngët shqiptare i këndoj në shqip, këngët greke greqisht, turket në turqisht, rumunet në rumanisht, bullgaret në bullgarisht…etj
Më pak fjalë, publiku ndjen dhe kupton vetëm muzikën?
Sigurisht, por unë i shpjegoj gjithmonë fjalët para çdo këngë, ose i recitoj ato në mënyrë që publiku të krijojë një ide se për çfarë bëhet fjalë, por pastaj ajo që dëgjojnë janë ndenja, emocione dhe kjo është shumë e rëndësishme.
Po në Shqipëri, që folkun janë mësuar ta dëgjojnë në versionin origjinal, si e pritën për herë të parë Elina Dunin që e solli në versionin xhaz?
Hera e parë ka qenë në Festivalin e Xhazit në vitin 2007-të, ku organizimi ishte pak kaotik. E në atë mjedis nuk kishe mundësi të krijoje një lloj intimiteti me publikun. Pastaj kam ardhur me grupin në nëntor të vitit 2010, ku Shqipëria ishte një nga ndalesat e turit Ballkanik që zhvilluam. Koncerti në Tiranë ishte fenomenal. Për më tepër gjatë kësaj kohe njerëzit kishin filluar të më njihnin, sepse kishte një lloj jehone që vinte nga jashtë, kështu që të presin ndryshe kur kanë dëgjuar të flitet për ty. Në koncertin që dhamë te Akademia e Arteve jam prekur shumë. Mes publikut kishte njerëz që nuk kishin dëgjuar xhaz asnjëherë edhe u prekën shumë, sepse përmes muzikës folk ata kishin arritur ta ndienin dhe xhazin, sado i çuditshëm që mund t’ju dukej ajo lloj rryme. Ata e kishin shijuar atë, sepse folku ua kishte dhënë këtë mundësi, u kishte hapur një rrugë. Dhe unë besoj se rruga është shumë e rëndësishme, mënyra sesi një artist i ofron diçka tjetrit, me sa ndjenjë, emocion dhe me sa vërtetësi. Dhe mendoj se ky është dhe pak misioni im, sa herë që vij në Shqipëri mundohem të bëj gjëra të ndryshme dhe t’i hap rrugën dhe njerëzve të tjerë që duan të bëjnë gjëra të ndryshme. Për mua është shumë e rëndësishme që t’i ofrohet publikut një alternative ndaj muzikës, komerciales, ndaj asaj muzike që shfaqet nëpër televizione ose ndaj gjithë këngëtareve me gjoks dhe shalë përjashta.
Por ajo është treg muzike, që me sa duket e ka fitimin e shpejtë dhe të madh, prandaj dhe tundon. Ju vetë nuk jeni tunduar ndonjëherë nga kjo?
Unë jam rritur nga dy prindër artistë, që më kanë dhënë Balzakun dhe Dostojevskin në dorë që kur kam qenë 12 vjeç. Kam studiuar muzikë që në moshën 5-vjeçare dhe besoj se muzikën unë e ndiej te vetja. Kur ke studiuar Bethovenin, ke një ide se çfarë është muzika dhe mundohesh mos ta dhunosh atë. Por kultura është diçka shumë e madhe dhe mendoj se kjo që ndodh sot vjen ngaqë ka një mungesë të madhe kulture muzikore. Në Shqipëri ka zëra shumë të mirë por…
Po publiku në fund të fundit merr gjithmonë atë që i servilet...
Sigurisht. Megjithatë, ky është një problem që ekziston në gjithë botën, por ama në botë ka edhe rryma të tjera; është muzika klasike, xhazi është një lloj pop folku që nuk është shumë komercial, ndërsa në Shqipëri ka shumë pak nga këto, prandaj dominon muzika komerciale dhe pa vlerë, sepse publikut nuk i jepen alternativa të tjera. Është e vërtetë që publiku merr atë që i jep, prandaj dhe ke mundësi ta kultivosh.
E nisët karrierën muzikore në Zvicër dhe tashmë suksesi juaj ka mbërritur edhe në Shqipëri. Po anasjelltas a do kishte qenë e mundur për Elina Dunin?
Sigurisht që po të jesh e njohur jashtë e ke të lehtë në Shqipëri, por e anasjellta do të kishte qenë e pamundur, mendoj. Unë jam shqiptare-zvicerane; ajo që unë bëj është shqiptaro-zvicerane. Edukimin dhe formimin tim kulturor e kam marrë në Zvicër: mësimet e xhazit, studimet që kam kryer atje. Por këto, bashkuar me impulset e mia ballkanase, dhe sidomos shqiptare, më kanë bërë kjo që jam dhe punën time atë që është sot. Për mua është ky bashkim që më ka unifikuar gjithashtu. Kur emigron në moshën 10-vjeçare e kur rikthehesh pas shumë vitesh në vendlindje, ndihesh i huaj në vendin tënd, por gjithashtu e huaj ndihesh edhe atje ku je. Mua muzika më ka dhënë mundësi që të jem Elina Duni, sepse dhe ajo është një miksim i dy botëve të mia.
Ndihesh e huaj në Shqipëri?
Nuk mund të them se ndihem krejt e huaj; një pjesë e imja ndihet në shtëpi, ndërsa një pjesë tjetër ndihet ndryshe, sepse kam 20 vjet që jetoj në Zvicër. Unë nuk do të thosha e huaj, por mund të them se brenda meje janë dy personazhe që ballafaqohen gjithnjë njëri me tjetrin.
Sa herë që flet për mamanë tënde, i drejtohesh gjithmonë me emër, madje dhe kur e thërret, e thërret Besa. Duket më shumë si një marrëdhënie shoqesh dhe jo si nën e bijë...
Është e vërtetë që kemi një marrëdhënie shumë shoqërore. Lidhja jonë ka qenë që në fillim artistike. Kur mamaja ime (Besa Myftiu) u nda nga babai im (Spiro Duni) ajo u kthye të jetonte me prindërit. Rolin e mamasë apo funksionin e mamasë e mori gjyshja dhe tezja ime. Unë atëherë isha 4 -5 vjeç. Ndërsa mamaja mori rolin e motrës së madhe që më kultivonte. Mamaja ishte ajo që më çonte te Teatri i Kukullave, më lexonte mitologjinë greke e më sillte libra. Pra, ka qenë që në fillim një lidhje artistike, që më pas e kemi mbajtur, por njëkohësisht edhe një lidhje e fortë shoqërore. Unë mendoj se kam patur fatin që me të dy prindërit e mi të kem lidhje artistike dhe shoqërore, sepse kam bashkëpunuar me projekte artistike edhe me babanë Spiro Duni, dhe, t’i shoh ata jo vetëm si prindërit e mi por edhe si shokë dhe artistë, mendoj se është fat i madh.
Po me babanë, çfarë marrëdhëniesh keni?
E takoja shpesh dhe mbaj mend që shkoja në teatër gjithmonë pas shfaqjeve. Mbaj mend që kam qenë shumë e lidhur me botën e skenës dhe kam marrë shumë gjëra nga kjo botë, si një lloj karizmi skenik, që mendoj se e kam të trashëguar gjenetikisht nga babai. Ne jemi shumë shokë, madje për disa shfaqje më ka kërkuar ide muzikore dhe e kam ndihmuar me ide. Më pëlqen shumë të bashkëpunoj edhe me të dhe dua që së shpejti të bashkëpunojmë sërish. Para 10 vjetësh kemi sjellë në Teatër të dy bashkë Çehovin. Kam një lidhje shumë të bukur në fakt me të dy prindërit.
Po ndonjë projekt që të jeni të tre bashkë në skenë, e keni menduar?
Kjo është e vështirë, por tani jetës nuk i dihet kurrë. Por të tre bashkë nuk është planifikuar ndonjëherë. Me babanë e kam një projekt, por që është akoma herët, sepse jemi në kuadër të fjalëve dhe dëshirave të shprehura, kurse me Besën kemi që më 2008-ën që e bëjmë këtë spektakël në frëngjisht, por është hera e parë që e bëjmë në shqip. Dhe ndryshon në fakt, se unë ndihem ndryshe kur këndoj një këngë që të gjithë e kuptojnë, emocionet janë më të mëdha.
Jeni larguar shumë e vogël, vetëm 10 vjeçe, por gjuhën shqipe e keni ruajtur shumë të pastër, kjo falë kujt?
Falë mamasë sime, por edhe një mikeje shqiptare që e kam patur shumë gjatë. Por sidomos falë Ismail Kadaresë dhe Migjenit, që më pëlqejnë shumë. Dashurohem me shqipen sa herë që lexoj Ismail Kadarenë, madje u them gjithmonë francezëve sesa gjynah që ata nuk munden ta lexojnë Kadarenë në shqip.
Çfarë e dallon Elinën si shqiptare atje ku jeton?
Gatuaj ushqim tradicional shqiptar, më pëlqen. Në fakt, që kur kam filluar të vij shpesh e më shpesh në Shqipëri, ndiej dëshirë për t’u pispillosur. Por këtë lloj dëshire për t’u mbajtur e kanë jo vetëm shqiptarët, por të gjithë ballkanasit, mendoj.
Po miqtë, i ke të huaj apo shqiptarë?
Përveç grupit që i kam shumë miq, kam dhe dy miq të ngushtë shqiptarë në Paris. Njëra është Flonja Kodheli, vajza e Justina Aliajt. Sa herë që jemi mes shqiptarët gjithmonë është këndshëm, sidomos me miqtë e mi është fantastike, i dua shumë. Sa herë kthehem në Zvicër, më mungon ajo energjia që kam kur jam me ta.
Po të dashur, ka Elina?
Kam një të dashur që e dua tmerrësisht shumë prej shumë vitesh. Nuk është shqiptar, është i huaj, por nuk më pëlqen të flas më shumë për të, se kam frikë se ma marrin .
Amy Winehouse fjalët e fundit që i tha nënës
Vdekja e Amy Winehouse “ishte vetëm çështje ditësh” - shumë realiste kjo deklaratë e mamasë së kantautores, Janis dhënë për Daily Mirror. Edhe pse fjala e fundit i takon autopsisë, zonja Janis është e sigurt se droga dhe alkooli e kanë çuar vajzën e saj drejt vdekjes. “Vdekja e saj nuk erdhi si rrufe në qiell të hapur. E ndieja që ashtu do të përfundonte”, deklaroi ajo për Daily Mirror. Amy Winehouse është parë të premten në mbrëmje duke blerë kokainë, heroinë, ekstazi dhe ketamina në afërsi të shtëpisë së saj në lagjen Camden, diku në veri të Londrës. Edhe pse akoma autopsia nuk e ka thënë fjalën e fundit, kantautorja u gjet të shtunën pasdite pa jetë në shtëpinë e saj dhe mediat britanike që tani flasin se shkaktare ka qenë ovedroza. Një version që e konfirmon edhe tabloidi “People" nga një burim që sipas tyre e ka parë këngëtaren duke blerë droga të ndryshme. “Amy dukej e vendosur për të bërë festë të premten në mbrëmje - thotë burimi - ishte në një festë në lagjen Camden të premten në mbrëmje, por dukej se ishte e vendosur për ta transferuar festën në shtëpinë e saj. Asnjë prej nesh nuk di të thotë se kush ishte me të orët e para të së shtunës. Por që të kalonte një natë të çmendur atë të premte ishte i vetmi mendim që kishte”. Edhe një tjetër burim nga një pub në Camden, ka deklaruar për tabloidin se e ka parë këngëtaren duke blerë kokainë atë mbrëmje nga një shpërndarës që njihej në atë lagje. Sipas miqve të këngëtares, të kontaktuar nga Sunday Mirror, Amy mund të ketë vdekur nga një koktej droge dhe alkooli. Për herë të parë kanë folur edhe prindërit e këngëtares. E ëma kishte qenë e bindur se vdekja e vajzës së saj ishte thjesht çështje ditësh, pas takimit që kishte patur me të 24 orë para se ajo të gjendej e vdekur në shtëpinë e saj. Kështu shkruante dje Daily Mirror. Janis Winehouse shton se do t’i kujtojë gjithë jetën fjalët që i tha e bija 24 orë para se ajo të gjente vdekjen: “Mama, të dua shumë”. “Janë fjalë që do t’i mbaj me vete si një thesar”- shtoi nëna e kantautores britanike. “Nuk është e mundur. Jam tërësisht i shkatërruar”- tha mes lotëve babai Mitch, i cili sapo kishte mësuar vdekjen e së bijës, ishte kthyer nga Nju-Jorku. Miq të këngëtares rrëfejnë ndërkohë se Amy Winehouse kohët e fundit nuk bënte asgjë tjetër përveçse pinte gjithë ditën e ditës. “Ditët e fundit i ka kaluar duke pirë dhe gjithë kohës ishte e dehur, aq sa njerëzit thonin se ajo po ‘pinte’ vdekjen” - tha një mik i saj i afërt. “Amy ishte si një motër për mua, ajo ishte shpirti im binjak në muzikë. Është dita më e trishtuar e jetës sime”, tha Mark Ronson, producent i këngëtares në faqen e tij në Twiter.
Ndërsa burime nga BBC janë shprehur se autopsia do të bëhet sot dhe rezultatet do të bëhen publike të martën. Ndërkohë duket se nuk ka fund kordoni i gjatë i adhuruesve; lule, qirinj, bileta, arusha prej pelushi kanë mbuluar rrugën që të çon në shtëpinë e këngëtares në Camden Square në veri të Londrës. Amy Winehouse, 27 vjeç, vlerësohej për zërin e saj potent dhe të veçantë. Albumi me të cilin debutoi titullohej “Frank”, por ajo mori menjëherë famë në botë me albumin “Back to Back”, por për këngëtaren angleze mbetet padyshim hit kënga “Rehab”, që shënon rrugën e saj, karrierën e një ylli me periudha të errëta. Kënga flet për qendrat e rehabilitimit dhe insistimin e saj për të mos shkuar atje. Alkooli dhe droga për Ami Winehouse kanë qenë problemi i saj më i madh, që shpesh herë e vinin dhe në qendër të kronikave edhe pse këngët e saj vazhdonin të ishin në krye të klasifikimeve dhe të pëlqeheshin nga adhuruesit e muzikës. Mes përpjekjeve për të hequr dorë nga droga dhe alkooli, Amy Winehouse deklaroi në fillim të 2011-ës se do të niste një tur koncertesh në Europë. Por turi nuk do të bëhej kurrë më, pas dështimit të koncertit të parë në Beograd, ku ajo ishte gjatë gjithë kohës e dehur dhe nuk këndonte, por belbëzonte aq sa fansat e fishkëllyen deri sa ajo doli nga skena. Video e koncertit të saj në Begrad po bën xhiron e botës në Wb. Turi i planifikuar anulohet dhe koncerti në Beograd është dhe dalja e fundit e Amy Winehouse në publik.
Mallkimi i “Klubit 27”
Numri 27 kthehet sërish pas Jimi Hendrix, Janis Joplin, Kur Cobain dhe Jim Morrison mallkimi I 27-vjeçarëve merr me vete edhe rebelen Amy Winehouse, e konsideruar përfundimisht si e fundmit artiste e mallkuar. I pari që u godit nga ky mallkim ishte kitaristi i Rolling Stones, Brian Jones, që u gjet i vdekur në pishinën e tij më 1969. Një vit më pas këngëtarja Janis Joplin vdes si shkak i një overdoze në një dhomë moteli në Hollivud. Por viti ’70-ta është veçanërisht vit i zi, pasi dhe kitaristi Jimi Hendrix gjen vdekjen nga një overdozë. Një vit më pas është Jim Morrison, këngëtari idhull i Doors, që gjendet i vdekur në Paris nga një atak kardiak. Disa vite qetësi dhe më 1994 frymëzuesi i Nirvanave, Kur Cobain u vetëvra në shtëpinë e tij në Seattle. Edhe ai sapo kishte mbushur të 27 vitet. Këto janë emrat më të famshëm të “Klub 27”, në listën e gjatë të të cilit janë edhe këngëtarë e muzikantë të tjerë, si Linda Jones, Kristen Pfaff apo kitaristi I Hole. Kësaj liste i shtohet së fundmi edhe Amy Winehouse dhe të gjithë pyesin nëse bëhet fjalë për një mallkim apo për një fat të përbashkët: abuzim me alkoolin, drogën, seksin dhe ilaçet që përtej gjithçkaje është tipari dallues i këtyre yjeve.