Magani jep dorëheqjen, Flamurtari pa trajner
Pas largimit të Daniel Xhafajt, Julian Ahmatajt, Bledar Devollit dhe Sebino Plakut, Flamurtari ka humbur dhe timonierin e tij. Gugash Magani ka dhënë dorëheqjen e parevokueshme nga detyra e trajnerit të kuqezinjve për “arsye familjare”, dorëheqje e cila është pranuar nga presidenti Gjika. Ende pa u përhapur mirë lajmi i largimit të Maganit, në Vlorë kanë filluar zërat për zëvendësin e tij. Bëhet fjalë për Shkëlqim Muçë, ish-trajner kampion me Tiranën e Dinamon, por që dështoi sezonin e shkuar te Skënderbeu.
Magani largohet pas tre humbjeve radhazi në Kupat e Europës. Flamurtari i tij arriti një fitore të bujshme kuindër Buduçnostit në Podgoricë, por u mund në Vlorë dhe më pas në të dyja sfidat me çekët e Jablonecit. Duket se kanë qenë këto arsyet e vërteta të largimit të trajnerit peqinas, që në qytetin bregdetar ka bërë vërtet një punë të admirueshme, sidomos në sezonin e shkuar ku u rendit i dyti në kampionat me skuadrën e tij. Megjithatë, një tjetër ngërç që e ka detyruar ish-lojtarin e Shkumbinit që të dorëhiqet nga detyra e tij ka të bëjë edhe me ndryshimin e objektivave të klubit. Në tre sezonet e fundit Flamurtari e ka nisur kampionatin si pretendet për të dy trofetë, por ka mundur të fitojë vetëm një Kupë Shqipërie. Kulmi ka qenë në sezonin e shkuar kur vlonjatët e dominuan kampionatin për pjesën më të madhe të tij për ta humbur vendin e parë vetëm në 5 javët e fundit ndaj Skënderbeut. Presidenti Gjika vendosi pak ditë më parë se “do të luajë me një skuadër modeste”, çka do të thotë një formacion jo kompetitiv, gjë që nuk është kapëdirë nga trajneri i mësuar me qetësinë e financave të shëndosha në Vlorë. Kjo ka bërë që Flamurtari të humbasë katër titullarë, Xhafajn, Devollin, Ahmatajn e Plakun, që përkthehet me një rënie të ndjeshme të cilësisë. Pas largimit nga Vlora, Magani duket se po bëhet gati për një tjetër aventurë. Mund të duket e çuditshme, por peqinasi ka një ofertë të majme nga Nexhat Bizhdili, presidenti i Besës së Kavajës që do të kërkojë ta kthejë ekipin mes më të mirave të Shqipërisë pas rënies në sezonin e shkuar në kategorinë e parë.
Muça zëvendësuesi?
Në Vlorë e më gjerë po përfliet se Shkëlqim Muça do të jetë trajneri i ri i Flamurtarit. Në fakt, ish-trajneri kampion me Tiranën e Dinamon do ta kishte të vështirë që të ambientohej në një qytet ku të gjithë e konsiderojnë “armik” dhe mbi të gjitha me politikat e reja të klubit. Nëse Muçës nuk i garantohet financat për të fituat titullin, duket e vështirë që ai ta pranojë detyrën.