Temë e lirë për strip dhe karikaturë
Shoqata e Strip-artistëve kosovarë ‘Xhennet Comics’ ka filluar intensifikimin e përgatitjeve për organizimin e edicionit te shtatë të Festivalit Ndërkombëtar të Stripit dhe të Karikaturës, i cili do të mbahet në javën e parë të muajit tetor në Prizren.
Në edicionin e shtatë, drejtuesit e festivalit përsëri do të sjellin risi. Përveç ekspozimit të Stripave dhe Karikaturës, do të ketë punëtori nga artistët mysafirë dhe vendas. Në këtë edicion do të ketë një pjesë të veçantë për heroin e popullarizuar italian Zagor, i cili është i popullarizuar edhe për publikun kosovar. Dy mysafirë të Shtëpisë Botuese Sergio Bonelli do të mbajnë seancë të posaçme për 60 vjetorin e Zagorit, dhe Festivali do te hijeshohet me më shumë se 50 punime origjinale të Zagorit.
Këtë vit është planifikuar që në festival të marrin pjesë 17 mysafirë të huaj dhe 5 vendorë. Nga mysafirët vendorë do të kenë prezantimet e tyre posaçërisht artistë të rinj me punimet e tyre të reja.
Organizatorët e këtij festivali, përmes një komunikate për shtyp, kanë njoftuar se nga artistët e huaj deri më tani, përpos dy mysafirëve special nga Italia nga shtëpia Botuese Bonelli, pjesëmarrjen e tyre e kanë konfirmuar edhe artistja nga Shqipëria Gerta Oparaku, artisti nga Rumania Ardian Barbu, ai nga Bullgaria Bob Klisourski, artisti nga Turqia Cem Ozurdu, i cili është me prejardhje nga Kosova, artisti francez Leo Philip etj.
Organizatoret kanë thënë po ashtu se me organizimin e festivalit janë duke u përpjekur që të krijojnë një urë lidhëse ndërmjet artistëve vendorë dhe atë botëror.
Vitin e kaluar në festival ishte një nga njerëzit kyç për bashkëpunim.
Këtë vit tema do të jetë e lirë si për strup ashtu edhe për karikaturë. Ndërsa punimet mund të jenë të krijuara nga një apo më shumë artistë. Data e fundit për dërgimin e punimeve është 25 shtator 2011.
Edicionin e shtatë të festivalit e kanë mbështetur Ministria e Kulturës, Departamenti i Kulturës i Komunës së Prizrenit, Arti i Shtatë (Kroaci) dhe Strip qendra e Maqedonisë.