E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elionor Ostrom, zonja e parë e "Nobelit" në ekonomi

Elionor Ostrom është gruaja e parë që është nderuar me çmimin "Nobel" në ekonomi, së bashku me kolegun tjetër amerikan, Oliver Williamson. Arsyeja është analiza e qeverisjes ekonomike, rregullave përmes të cilave njerëzit ushtrojnë autoritet te kompanitë dhe sistemet ekonomikë. Ostrom është gjithashtu edhe gruaja e pestë që është nderuar me "Nobelin" këtë vit. Ajo është 76 vjeçe dhe kolegu i saj Williamson, 77, do të ndajnë 1.4 milionë dollarët e çmimit. Ostrom është një shkencëtare politike në Universitetin e Inidanës dhe përmes studimit të saj ka treguar se si pyjet, peshkimi, fushat e naftës dhe tokat mund të menaxhohen në mënyrë më të suksesshme nga njerëzit që i kanë në përdorim, se sa nga qeveritë, apo kompanitë private. Williamson, një ekonomist në Universitetin Berkley të Kalifornisë, e përqendroi studimin e tij në dallimin mes firmave dhe tregjeve për sa i përket mënyrave me të cilat ata i zgjidhin konfliktet. Ai ka zbuluar se kompanitë janë shumë më të afta dhe më të zonjat në zgjidhjen e konflikteve në krahasim me tregjet në rastet e konkurrencës së kufizuar. Akademia norvegjeze nuk ka specifikuar krizat financiare, por pjesa më e madhe e problemeve në zemër të tyre si bonuset, kompensimi i drejtuesve të lartë, ndërmarrja e risqeve e të tjera si këto, përbëjnë në vetvete një mungesë të organizmave rregullatorë nga ana e zyrtarëve të qeverisë, apo e bordeve të korporatave. Çmimi i djeshëm ka qenë veç të tjerash edhe një tërheqje vëmendjeje ndaj rolit të madh të institucioneve mbikëqyrëse dhe rregullatore që duhet të luajnë një rol shumë më të madh në botën financiare, në mënyrë që të shmangen krizat. "Ka pasur diskutime të mëdha në lidhje me veprimet negative dhe shkatërrimtare të bankave të mëdha të investimeve, bosëve të tyre që e kanë keqpërdorur pushtetin, besimin e aksionerëve dhe këto diskutime janë në një linjë me teoritë e Wiliamson", ka deklaruar anëtari i komitetit të çmimit, Per Krusell. Ostrom, ndërkaq ia ka kushtuar karrierën e saj studimit të ndërveprimit të njerëzve me burimet natyrore. Vepra e kësaj zonje ka sfiduar rregullat konvencionale, duke treguar se burimet e zakonshme mund të menaxhohen me sukses edhe pa rregullat e privatizimit, apo ato të qeverisë. Për të shpjeguar idetë e saj, akademia ka cituar një shembull në lidhje me digat në Nepal, që Ostrom e përdori në librin e saj të vitit 1990: "Qeverisja e të zakonshmëve: Evolucioni i Institucioneve për Veprim Kolektiv". Vetë Ostrom u shpreh e habitur për çmimin, të cilin nuk e priste. "Ka shumë njerëz që kanë punuar shumë, shumë për të merituar një çmim të tillë, sa për mua, jam ende pak e tronditur", ka thënë ajo kur sapo e ka marrë vesh. Ndërsa Williamson tha se ishte shumë i nderuar për përzgjedhjen dhe se shpresonte që në të ardhmen organizatat e ndryshme do t‘i kushtonin më shumë vëmendje studimeve ekonomike. Çmimi "Nobel", me përjashtim të çmimit për ekonominë, është krijuar nga Alfred Nobeli, shpikësi suedez i dinamitit, i cili e la të shkruar vullnetin e tij në testament. Për sa i përket çmimit të ekonomisë, ai u krijua në vitin 1968 nga Banka Qendrore e Suedisë në kujtim të "Nobelit".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›