"Lisbona" vonohet sërish nga Klaus Qeveria çeke i jep kohë Presidentit
Kriza për firmën e fundit për Traktatin e Lisbonës është përshkallëzuar dje pas një krize mes qeverisë që është pro firmosjes dhe Presidentit euroskeptik të vendit, Klaus. Pas një mbledhjeje urgjence të kabinetit qeveritar, Jan Fischer, Kryeministri i vendit, tha se ai do t‘i bënte thirrje Klaus që ta kishte zgjidhur çështjen e vonesës deri në takimin e ardhshëm të BE-së më 29 tetor. Ky veprim, në fakt, është një tjetër fitore e euroskeptikut çek, që është edhe njeriu i fundit që mban peng Traktatin e Lisbonës, pas ratifikimit të tij nga 26 vendet e tjera anëtare të Bashkimit Europian. Njëherazi kjo tregon qartazi edhe se qeveria çeke nuk ka shumë stomak të fortë për të luftuar me një ekonomist euroskeptik, si Klaus. Ky veprim gjithashtu lë hapur edhe mundësinë e një ratifikimi të mundshëm të Traktatit nga ana e Çekisë vitin e ardhshëm, çka do t‘i jepte mundësi David Cameron që të fitonte zgjedhjet e përgjithshme në Britaninë e Madhe dhe të thërriste një referendum për Traktatin. Ky vendim do ta çonte sërish problemin në Bruksel, te liderët europianë, të cilët ka kohë që po shpresojnë të festojnë më në fund. Megjithatë Kryeministri vazhdon që të shpresojë në një firmosje të marrëveshjes, por tashmë mungesa e vullnetit të Klaus duket se ka nervozuar liderët e BE-së, veçanërisht Francën dhe Gjermaninë, të cilat e nxitën shumë miratimin e Traktatit. Ajo çka kërkon Klaus është një rishikim, apo shtesë në kartën e të drejtave themelore të traktatit. Sipas tij, kjo pjesë mund të hapte shumë telashe mes çekëve dhe gjermanëve.