Elis Bakaj, gol si Zidan Rumania përkëdhel lojtarin
Elis Bakaj ka shënuar golin e parë në debutimin e tij me skuadrën e re, Dinamon e Bukureshtit, në një miqësore kundër Andijan të Uzbekistanit. I ndodhur në Antalia, ku po kryes fazën përgatitore me skuadrën e tij, Bakaj është aktivizuar në 45 minutat e dyta të ndeshjes nga trajneri Ioan And one dhe i kanë mjaftuar vetëm 7 minuta lojë që të shënojë një gol spektakolar nga jashtë zonës, një lëvizje të cilën shtypi rumun e ka krahasuar me të legjendës franceze, Zinedin Zidan. Por komentet pozitive nuk ndalen këtu. Prosport dhe Sporturilor, dy gazetat më të mëdha në Rumani, i bëjnë elozhe të gjithë paraqitjes së ish-lojtarit të Partizanit dhe Dinamos, që ka iluminuar me veprimet e tij. Elis Bakaj ka mbajtur në shpinë numrin 5 në fanellë, sikundër edhe Zidan te Real Madridi, çka ka frymëzuar gazetarët rumunë për krahasimin. Godet nga jashtë zonës duke shmangur dy mbrojtës me gjuajtjen e tij dhe duke e dërguar topin aty ku portieri uzbek nuk mund ta arrijë dot. Më pas, inspiron veprime të shumta duke lëvizur nga e majta dhe duke depërtuar në qendër, madje duke shërbyer saktë me të dyja këmbët, çka është edhe një nga cilësitë teknike më të mira të tij. “Unë u habita sesi u prit goli nga shokët dhe trajneri. Faleminderit. Na duhet kohë që të përshtatemi sa më mirë dhe do të bëjmë çmos që të sjellim trofe te Dinamo”, ka deklaruar për Prosport pas ndeshjes Elis Bakaj. Tejet i frymëzuar ka qenë edhe trajneri Ioan Andore, që bën një batutë një lidhje me talentin e Bakajt. “Bakaj mund të luajë edhe në Kongë. Duket sheshit cilësia që ka”.