E Shtunë, 31 Tetor 2026

Korçë-Vlorë, aksi i nxehtë i kampionatit

SHKRUAN: Jeton Selimi 15-02-2011 12:15

“Pritna Korçë, se po vijmë!” Ishte një prej pankartave të shumta që ishin vendosur dje në tribunën përkarshi të stadiumit “Flamurtari”. Edhe tifozët vlonjatë nuk kanë ngurruar që të bëjnë thirrje për një udhëtim masiv drejt Korçës, aty ku do të ndahet një pjesë e madhe e titullit kampion. Nga ana tjetër, bardhekuqtë kanë preferuar që ditën e djeshme të bëjnë një stërvitje shkrydhëse, duke anashkaluar ndeshjen e rivalit direkt për titullin kampion…

Situatë e tensionuar apo jo? Në fakt, aktorët po bëjnë çmos që të ulin presionin e ndeshjes, duke filluar që nga presidenti kuqezi, Shpëtim Gjika, që pas fitores kundër Vllaznisë nuk ka dashur të mendojë për Skënderbeun, teksa ka kërkuar të shijojë më parë triumfin ndaj shkodranëve. Por e vërteta është krejt e kundërta. Të gjithë e ndjejnë këtë përballje sepse e dinë fare mirë se çdo të thotë fitore apo humbje. Ana më e rëndë e peshores është kah Skënderbeut, pasi Flamurtari ka në “xhep” dy rezultate, fitoren dhe barazimin. Dështimi i kuqezinjve do t’i linte ata në avantazh të 4 pikëve, por më shumë sesa një dëm pikavarazhi, do të shkaktonte një dëm moral, ndërsa korçarët nga ana tjetër do të jenë bërë “me krahë”.

270 ditë kampionat vërtiten rreth këtij 90-minutëshi. Korçarët kanë një impenjim të radhës, kundër Besës në Kupën e Shqipërisë, ndërsa kuqezinjtë, të eliminuar nga Bylisi, do të kenë në dispozicion të tërë javën për të përgatitur ashtu siç duhet përballjen e vitit. Një fazë më parë, Flamurtari e shkatërroi Skënderbeun 4-0 në Vlorë, rezultat shokues ky për miqtë, që do të kërkojnë hakmarrjen në Korçë. Në krye të dy ekipeve janë Gugash Magani e Shkëlqim Muça. I pari, legjendë e futbollit peqinas, po bën një punë të shkëlqyer te Flamurtari duke e shndërruar skuadrën vlonjate nga një ekip që luftonte për zonën europiane, në një ekip të denjë për titull. I dyti është një nga ata që titullin kampion e ka për zanat. 5 herë kampion me Tiranën dhe 3 herë kampion si trajner (2 herë Tirana dhe një herë Dinamo), bëjnë që eksperienca të jetë në Korçë. Por duhet diçka më shumë sesa trajneri për të bërë bashkë një ekip që është mbledhur në çastet e fundit përpara startit të kampionatit dhe që ka ndryshuar fytyrë edhe në merkaton e janarit. Këtë luks e ka Gugash Magani, që stërvit të njëjtin grup lojtarësh të përforcuar nga Xhafaj-Devolli-Plaku, me të cilët synon trofeun e parë në karrierë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›