Berisha: Bëni gati buxhetin për 2010
ADI SHKEMBI
Në kulmin e debateve dhe akuzave të opozitës për manipulim të procesit zgjedhor, kryeministri Sali Berisha duket se nuk po mendon më për 28 qershorin, por për katër vitet e ardhshme. Pasi ka marrë garancinë e kryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta dhe me afro 75 vota, dilema më e madhe e kreut të demokratëve pritet të jetë vetëm përbërja e qeverisë së re. Në mbledhjen e radhës së qeverisë u miratuan disa prej premtimeve elektorale, të cilat Berisha i lançoi gjatë takimeve me grupet e interesit apo edhe në mitingjet nëpër sheshe. Brenda një mbledhje u miratua vendimi për rimbursimin e TVSH-së, uljen e moshës së pensioneve të minatorëve, vendosjen e taksës 1 euro për tabelat si dhe futjen në treg të letrave me vlerë për procesin e legalizimeve. Premtimet e bëra publike gjatë fushatës u kontestuan nga opozita, e cila e akuzoi qeverinë për pamundësinë e realizimit të tyre. Por veç miratimit të këtyre ligjeve, kryeministri Berisha duket i vendosur të mos humbasë asnjë ditë për sa i përket vitit të ardhshëm buxhetor. Në pjesën e dytë të mbledhjes së qeverisë, ku mediat nuk ishin të pranishme, kreu i ekzekutivit i kërkoi ministrave që deri në fund të korrikut të kenë gati projektbuxhetin për vitin 2010. Miratimi i tij në qeveri gjatë muajit gusht dhe kalimi në Parlament gjatë muajve shtator-tetor, do të bënte që ky ligj të jetë në fuqi nga dita e parë e vitit të ardhshëm. “Gjatë mbledhjes se qeverisë, kryeministri Berisha udhëzoi ministrat e kabinetit qeveritar që deri në fund të muajit korrik të finalizohet projektbuxheti i vitit 2010. Lidhur me këtë, kryeministri Berisha kërkoi që ky buxhet do të jetë buxheti i antifragmentarizmit”, thuhet në njoftimin e Këshillit të Ministrave. Kryeministri theksoi se, “është mjaft e rëndësishme dhe duhet të jetë e prerë, që në këtë buxhet të ketë përqendrim në projektet më të mëdha dhe qenësore, në mënyrë që të mos shkohet në fragmentim. Fragmentimi është një dukuri që e avullon buxhetin dhe e bën atë të pandjeshëm”. Në të njëjtën kohë Berisha kërkoi nga ministrat e kabinetit qeveritar shkurtim të shpenzimeve operative në masën 10 për qind, në një kohë kur ekonomia botërore po kalon një krizë financiare. Gjithashtu kryeministri u shpreh se në hartimin e projektbuxhetit të vitit 2010, ministritë e kabinetit qeveritar do të asistohen në çdo hap dhe në mënyrë permanente nga Ministria e Financave. Por një risi e mbledhjeve të ardhshme të qeverisë do të jetë pikërisht mënyra e miratimit të projektvendimeve dhe projektligjeve. Vizita e fundit në Estoni dhe Letoni ka bërë që Berisha të lançojë projektin më të fundit e-kabinet. Kështu duke filluar nga muaji shtator të gjithë ministrat do të kenë përpara në tryezën e mbledhjeve të qeverisë nga një laptop, nga ku do të mbrojnë vendimet që kanë propozuar. Vendosja e ligjeve në këtë variant e bën më të lehtë ndryshimin e tyre, pa pasur nevojë që nëse ka një propozim gjatë mbledhjes së qeverisë, projekti të rikthehet sërish në ministri për t’u punuar. Vendosja e aparaturave të reja bën që zyra e mbledhjeve të qeverisë të kalojë sërish në sallën ku bëhen konferencat e shtypit me delegacionet e huaja.