E Shtunë, 31 Tetor 2026

Klodiana Shala, përfaqësuesja e 3 olimpiadave

Nga Aida TUCI
Klodiana Shala është e vetmja sportiste shqiptare që në karrierën e saj do të shkruhet gjithmonë e gjithherë "atletja që u përfaqësua në 3 olimpiada". Për herë të parë, Klodiana Shala u përfaqësua në Lojërat Olimpike në vitin 2000, që u zhvilluan në Sidnei, për të qenë pjesë e delegacionit olimpik dhe në dy olimpiadat që do të pasonin, "Athinë 2004" dhe së fundi në "Pekin 2008".
"Por a ia vlejti gjithë kjo sakrificë? Sigurisht që për mua si sportiste kjo është një arritje,"- përgjigjet Shala.
"Përvec kësaj, kur bëj bilancin e kaq viteve në sport, më lumturon fakti që tashmë jam një atlete profesioniste, që përvec titujve kombëtarë, rekordeve e shumë medaljeve ballkanike, renditem edhe mes më të mirave në rang-listën e Federatës Botërore të Atletikës (IAAF),"- shprehet Shala.
Atletja dhe femra supersticioze
Të gjithë ata që e rrethojnë, e njohin këtë "huq" të Klodianës.
"Nganjëherë sporti, i cfarëdolloji qoftë, përvec përgatitjes së lartë fizike, kërkon edhe pak fat. Fat që mund të sjellë momenti i garës. Unë gjithmonë në aktivitete ndërkombëtare kam "hajmalitë" e mia, që nuk i ndaj. Herë janë atletet, herë një bluzë që dikur më ka sjellë fat, e herë gjëra të tjera personale. Në Pekin, p.sh., do të garoj me atletet e mia. Në atletikë është shumë e rëndësishme "këpuca" që mbath. Mund të them se te rezultati yt ndikim ka edhe se sa rehat ndihesh me atletet që ke mbathur. Unë gjithmonë në gara preferoj të vesh atletet që i kam blerë vetë, të cilat kanë dhënë prova që më bëjnë të ndihem rehat." Para cdo gare bën të njëjtat veprime. Pavarësisht orarit kur është gara (mëngjes, pasdite apo në mbrëmje) Klodi asnjëherë nuk hyn në garë pa larë dhëmbët. Kjo mendon se i sjell fat. Kur del, nuk kthehet asnjëherë mbrapsht. Kjo mendon se mund t'i sjellë ters.
Gjithmonë ankth dhe emocione
"Jam njeri emotiv. Kjo sigurisht që është një minus për sportistin. Por kështu jam dhe nuk ndryshoj dot. Në fillim të cdo garë kam një ankth të paparë. Gjithmonë mendoj do të më dalë rezultati i stërvitjes apo jo. Por fatmirësisht kjo ndodh para garës, sepse në momentin që jam në start dhe jepet sinjali për të vrapuar, mendja ime sheh vetëm finishin dhe nuk më lejon të mendoj asgjë. Kësisoj ankthi dhe emocionet largohen. Por fatkqësisht rikthehen sërish kur rezultati që kam dhënë nuk është ai që prisja. Ndërsa në të kundërtën, kur rezultati është pikërisht ai për të cilin kam punuar kaq gjatë, clirohem totalisht dhe jam shumë e lumtur,"- rrëfen atletja.
Trajneri dhe bashkëshorti
Sukseset dhe mossukseset ata i ndajnë gjithmonë bashkë. Taulanti është trajner i ashpër, kërkues, që nuk toleron kur vjen puna tek rezultati. Dhe gjatë kësaj kohe, teksa përgatiteshin për në Pekin, ai ishte akoma më shumë kërkues në stërvitje. "Stërvitja është e programuar deri në detaje. Sipas programit, Klodi duhet të arrijë kulmin e saj pikërisht në ditët e garave në olimpiadë. Shpresoj që puna dhe stërvitja që kemi bërë të na shpërblehet të dyve me një rezultat pozitiv në Lojërat Olimpike të Pekinit. Unë gjithmonë kam pasur besim te Klodi dhe aftësia e saj dhe tani kam besim se përfaqësimi do të jetë dinjitoz,"- pohon Taulanti trajner.
Programi i stërvitjes ka qenë një alternim i studiuar prej tij, që sipas Taulantit janë si modele, janë marrë disa programe, europiane dhe amerikane, që ai i aplikon duke studuar dhe konstruktin fizik të Klodit. Ai përzgjedh elementet e përshtatshme për të.
Para cdo gare Taulanti rri dhe vëzhgon nga afër atletet, me të cilat Klodi vrapon. Para nisjes për në Pekin ka bërë të njëjtën gjë. Ka gërmuar në internet, duke studiuar të gjitha rivalet e Klodit. Ai është i ndërgjegjshëm se për kushtet e atletikës shqiptare medalja në një olimpiadë është si të kërkosh gjilpërën në kashtë, por ai kërkon që Klodi të arrijë rezultatet e saj. Sipas studimeve që ka bërë ai, nëse Klodi arrin rezultatin e saj, mund ta kalojë turin e parë kualifikues. "Klodi nuk bën garë me 10-50 atlete. Klodi përballet me 130 atlete në garën e saj,"- shprehet Taulanti.
Prindërit, ata që e ndjekin deri në Pekin
Gjatë karrierës së saj, një faktor pozitiv ka qenë pa dyshim mbështetja e prindërve. Ajo është shumë e lidhur si me mamanë, babanë, ashtu dhe me vëllanë e vetëm. Por kur vjen puna tek babai i saj, ajo pohon se raporti me të është disi më i vecantë. Familjarët janë dhe tifozët personalë të Klodit në cdo garë. Por tifozëria e babait për të i kalon caqet e një tifozërie të thjeshtë. Ai asnjëherë nuk mungon në garat e Klodit. Garën e saj në Pekin si mamaja dhe babai do ta ndjekin nga Greqia, aty ku prej vitesh jetojnë prindërit e saj. Ndërsa vëllai do ta ndjekë nga Amerika. "E di që do më shkojnë lekët telefon, se do të duhet t'i marr në telefon shumë shpesh kur të jem në Pekin. Mamasë duhet t'i jap "llogari" dhe për ushqimin dhe ujin që pi, ndërsa babait se si më shkoi stërvitja dje apo sot,"- thotë Klodi, teksa qesh kur kujton komunikimin që e pret me prindërit.
Në Pekin e shqetëson menuja që do serviret
Duke qenë sportiste, ka një regjim për sa i përket të ushqyerit. Ka një orar të caktuar për mëngjesin, drekën dhe darkën. Zakonisht, në menunë e saj është mishi dhe peshku, pa harruar dhe perimet, të gjitha të ziera. Para nisjes për në Pekin e shqetësonte shumë fakti se cfarë ushqimi do të servirej në fshatin olimpik, por kur lexoi se atje do të gjente të gjitha menutë, që nga menuja kineze, europiane, aziatike etj., u qetësua disi. "Kam lexuar se në Pekin bashkë me menunë të ofrojnë dhe informacion për kaloritë e ushqimit që të servirin. Kjo është dicka shumë e mirë për ne sportistët."
Tri përfaqësime në olimpiada
Kur e pyet se kur ka ndër mend t'i japë lamtumirën sportit, Klodi buzëqesh dhe ngre supet. "Në fakt, gjithmonë kam dashur që të arkivoj tri përfaqësime në Lojërat Olimpike dhe pastaj ta mbyll, por do të doja shumë që të mund të arrija pjesëmarrjen edhe në Lojërat Mesdhetare të 2009-s. Mendoj se kam akoma për të dhënë dhe tani për tani nuk e mendoj largimin. Ndoshta do ta mendoj pas 2009-s,"- hamendëson Klodiana. Ndihet shumë krenare që ka mundur të shkojë në tri olimpiada, edhe pse në të trija përfaqësimi i saj ka qenë me ftesë si sportisja më e mirë shqiptare. "Në Lojërat e Pekinit kisha synim përfaqësimim me normë kualifikuese. Në fakt, unë e kam arritur normën në vitin 2005, por atletika ka tjetër sistem kualifikimi. Rezultatin që arrita në 2005-n duhej ta konfirmoja dhe 1 vit para startit të lojërave, që të mund të shkoja në Pekin me normë kualifikuese. Garat e vrapimit janë disiplina shumë të ndryshme nga të tjerat, si kërcimet apo hedhjet. Është shumë më e vështirë të mund të arrish normën kualifikuese. Megjithatë, për mua e rëndësishme është që të jap maksimumin tim në Pekin dhe të bëj një përfaqësim dinjitoz. Në garën e 400 metrave, ku konkurroj unë, bëhet fjalë për t'u përballur me më shume se 100 atlete nga e gjithë bota. Nëse do të mund të kaloj turin e parë, do jetë sukses. Pas kësaj ndoshta mund të pretendohet edhe për një tur tjetër. Gjithcka do t'ia lëmë garës atje. Unë jam përgatitur për të dhënë më të mirën time. Jam stërvitur në Gjermani dhe në Greqi (sigurisht, me shpenzimet e mia personale) dhe uroj që stërvitja të japë rezultatin që presim unë dhe trajneri im,"- shpalos objektivat e saj Klodiana Shala.
Klodiana Shala
Datëlindja 22.08.1979
Vendlindja Tiranë
Sporti Atletikë (400m)
Gjatësia 163cm
Pesha 51kg
Rezultatet: Pjesëmarrëse në Lojërat Olimpike "Sidnei 2000", "Athina 2004"
2006 - Kampionati Europian i Atletikës Goteborg (gjysmëfinale) 52"86, Kampionati Europiani Sallave 54"21
Pjesëmarrja në "Pekin 2008": Me ftesë si sportistja më e mirë femër
Objektivi në "Pekin 2008": Kalim i turit të parë kualifikues, përmirësim të rezultatit personal

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›