E Diel, 1 Nëntor 2026

Teuta befason Tiranën, Kastrioti shpartallon Pogradecin

Durrsakët fitojnë falë golit të Markoviç, pritjeve të Rizvanit dhe traversave. Në Krujë nuk ka ndeshje, dy gola për çdo pjesë për vendësit

Teuta është ajo që e nis ndeshjen si lidere në fushë. Që në minutën e tretë durrsakët e Hasan Likës kanë në këmbët e tyre një mundësi të mirë për shënim, por Çota, ndonëse bën një depërtim manuali, nuk arrin të shmangë ndërhyrjen e një mbrojtësi që e devijon topin aq sa për ta nxjerrë jashtë kuadratit, me portierin Lika të mundur. Teuta duket se është në ditë të mirë dhe këtë e tregon Markoviç që rrëmben një top në mesfushë pas një gabimi të Situmës dhe gjuan diagonalisht, por topi përfundon jashtë. Reagimi i 24 herë kampionëve vjen pas goditjes së Gilman Likës që e detyron portierin Rizvani të bëjë një ndërhyrje spektakolare duke grushtuar në këndore. Sërish Tirana që provon me Balën, por gjuajtja me kokë e shkodranit n eutralizohet në mënyrë të shkëlqyer nga Rizvani. Kur duket se Tirana po futet në lojën e saj, ka mbërritur goditja e durrsakëve. Pepa shpërthen në të djathtë dhe pason për Çotën brenda zonës së rreptësisë, por sulmuesi nuk gjen hapësirën për të goditur dhe shërben saktë serbin Markoviç, që me portën e boshatisur nuk e ka aspak të vështirë për të shënuar golin e avantazhit. 1-0 për Teutën, që tani duket se ka krahë në vend të këmbëve. Ferraj do të harkojë në zonë pas nëj goditje dënimi dhe aty, Dushku godet me kokë, por topi stampohet në traversë. Rasti më i mirë për kryeqytetasit për të barazuar. Por Teuta nuk mund të heqë dorë lehtë nga trepikët. Çota bën një nga ato zbritjet e tij, por e mbyll keq aksionin me një gjuajtje të pasaktë. Bala kërkon të shënojë, por edhe njëherë Rizvani thirret në detyrë për të bërë një pritje të mrekullueshme. Një tjetër traversë në limitet e lojës për bardheblutë pas gjuajtjes së bukur të Ahmatajt, por Dushku, pak hapa larg portës, gjuan jashtë.

Kastrioti ka bërë një ndeshje të shkëlqyer në Krujë kundër Pogradecit të rikthyer pas shumë vitesh në Kategorinë Superiore. Krutanët nuk janë tërhequr aspak ndaj skuadrës së Ylli Çekiçit duke e goditur atë ashpër, sidomos në pjesën e dytë ku, ndonëse kanë shënuar vetëm dy gola, kanë “fluturuar” në fushën e lojës duke krijuar një pafundësi rastesh për shënim. Sulejman Hoxha, gardiani i liqenorëve, ndonëse e nga nxjerrë topin nga rrjeta katër herë, e ka shpëtuar ekipin nga një humbje me shifra dramatike. Dy gola të Ikangos dhe ata të Turdiut e Muçollarit u kanë dhënë krutanëve vendin e parë në renditje për shkak të golavarazhit.

Superliga – Java I

Vllaznia – Laçi 3-1

Bylis – Shkumbini 5-2

Skënderbeu – Tomori 0-0

Apolonia – Dinamo 2-0

Flamurtari – Kamza 2-1

Kastrioti – Pogradeci 4-0

Tirana – Teuta 0-1

Renditja

Skuadra N F B H Gol P

1) Kastrioti 1 1 0 0 4-0 3

2) Bylis 1 1 0 0 5-2 3

3) Vllaznia 1 1 0 0 3-1 3

4) Apolonia 1 1 0 0 2-0 3

5) Flamurtaru 1 1 0 0 2-1 3

6) Teuta 1 1 0 0 1-0 3

7) Skënderbeu 1 0 1 0 0-0 1

8) Tomori 1 0 1 0 0-0 1

9) Tirana 1 0 0 1 0-1 0

10) Kamza 1 0 0 1 1-2 0

11) Dinamo 1 0 0 1 0-2 0

12) Laçi 1 0 0 1 1-3 0

13) Shkumbini 1 0 0 1 2-5 0

14) Pogradeci 1 0 0 1 0-4 0

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›