E Diel, 1 Nëntor 2026

Elis Guri "prenoton" medalje edhe në Lojërat Olimpike 2008

I buzëqeshur dhe me medaljen e bronzit të varur në qafë. Elis Guri po e shijon maksimalisht momentin e tij të lavdisë, pas paraqitjes shumë të mirë në Evropianin e zhvilluar në Tampere të Finlandës, ku u klasifikua i treti në mundjen klasike për peshën 96 kilogramë. Pas mbërritjes në Tiranë, 23-vjeçari është shprehur i lumtur për rezultatin e arritur, teksa ka deklaruar se fillimisht nuk mendonte se do të ngrinte flamurin shqiptar në podium. Kjo edhe sepse triumfi ka ardhur në sfidën përballë mundësit nga Estonia, Heiki Nabi, që në "CV"-në e tij ka edhe një titull kampion bote. "Jam i lumtur për medaljen e fituar", tha Guri. "Të them të drejtën nuk e prisja që të merrja medalje, megjithatë ashtu si rrodhën ngjarjet, mendoj se mund të bëja edhe më shumë". Në Tampere, përveç konfirmimit të gjendjes së mirë fizike, sportisti shkodran ka thyer edhe një rekord familjar. Atë të babait të tij, ish-mundësit të mirënjohur, Iliaz Guri, i cili në Evropianin e Finlandës e kishte mbyllur garën në vendin e shtatë. "Arritja më bën dyfish të lumtur edhe për një ‘sfidë‘ brenda familjes, vazhdoi fituesi i medaljes së bronzit. Me paraqitjen time, theva rekordin e babait tim. Në periudhën kur ishte mundës, ai (Iliaz Guri) ka konkurruar në Evropianin e zhvilluar pikërisht në Finlandë dhe ishte pozicionuar në vendin e shtatë".

Gjithsesi, 23-vjeçari ka pranuar se deri diku medalja ka ardhur edhe si një surprizë e bukur. Guri, së bashku me mundësin tjetër shqiptar, Sahit Prizreni, janë kualifikuar për të marrë pjesë në Lojërat Olimpike, "Pekin 2008" dhe aktiviteti kontinental ishte planifikuar të shërbente më shumë si testues. Por, ndryshe nga Prizreni, që është eliminuar në turin e dytë të Evropianit për peshën 60 kg. (një fitore dhe një humbje), Guri shkëlqeu. "Faktikisht, më shumë isha i përqendruar te Lojërat Olimpike që do të zhvillohen në Pekin, përfundoi sportisti i Vllaznisë. Ky rezultat i arritur në Tampere më jep më shumë moral për evenimentin që do të zhvillohet në Kinë. Në "Pekin 2008" do të jap maksimumin që të marr një rezultat sa më të lartë, mundësisht të përsëris medaljen e Evropianit".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›