E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elisi i zhdukur, 9 ditë mes të ftohtit e urisë

 

DURRES/ OERD ULQINI

Merr fund ankthi në familjen e 14-vjeçarit të zhdukur nëntë ditë më parë në Durrës. Elis Fusha u gjet dje shëndoshë e mirë në Vlorë. Ai kishte sajuar strehë në pallatet ende në ndërtim në zonën e Skelës, duke përballuar të ftohtin e natës dhe urinë. Agjentët e policisë së Vlorës, pas informacionit të marrë nga policia e Durrësit, bashkangjitur edhe me fotografinë e djalit të zhdukur, nisën kërkimet. Shkak u bënë edhe informacionet e qytetarëve, të cilët bazuar në fotografinë e tij sinjalizuan blutë se e kishin parë të miturin në disa zona të Vlorës. Pas marrjes së informacionit, policia nisi kërkimet. Drejt Vlorës u nis edhe Leonard Fusha, babai i fëmijës. Prej ditësh familja e tij ishte në ankth. Ai u nis vetë drejt qytetit ku policia i kishte bërë të ditur se kishte sinjale për vendndodhjen e 14-vjeçarit. Leonard Fusha rrëfeu për "Panorama" gjendjen e djalit, dhe njëherazi shkakun sipas tij që e detyruan atë të merrte trenin e linjës Tiranë-Vlorë. 
Z. Fusha, si është gjendja e djalit pas ditës së nëntë ku ai konsiderohej i zhdukur?
Gjendja është e mirë. Ka jetuar në kushte tepër të këqija dhe as vetë nuk e di se si ka mundur të mbijetojë, megjithatë Elisi tani është mirë.
Ku kishte qëndruar gjatë këtyre ditëve?
Ka qëndruar nëpër pallate që janë në ndërtim e sipër. Gjatë ditës dilte nëpër qytet apo ku të mundte, ndërsa në darkë ai shkonte dhe strehohej skutave, ku të mundte. Kishte sajuar me sa duket ndonjë vend ku nuk rrihte era, dhe aty ka qëndruar me ditë të tëra.
Si arritët të binit në gjurmët e tij?
Policia kishte marrë informacion nga qytetarë të ndryshëm për të. Pasi mori informacion se fëmija mund të gjendej në Vlorë, nisën kërkimet. Policia më vuri në dijeni edhe mua, ndaj u nisa menjëherë bashkë me të afërm të mi drejt Vlorës. Në bazë të të dhënave të siguruara nga agjentët e policisë, arritëm të gjenim vendin ku ishte.
Si reagoi kur ju pa?
Tentoi të largohej, si duket i vinte rëndë nga unë...
Po më pas?
Filloi të qante dhe më kërkoi falje. Madje nuk po gjente fjalë se si të më justifikonte veprimin që kishte bërë. Gjithë këto ditë familja ime ishte në ankth. Ai e dinte shumë mirë këtë, ndaj edhe më kërkoi falje.
Ju thatë se gjatë ditës ai dilte nga "strehëza". Ju keni biseduar me fëmijën? Si kishte mundur t'i mbijetonte urisë?
Nuk e di këtë. Ai është ushqyer ku ka mundur, por nuk e di me saktësi se si. Sapo e kam gjetur fëmijën dhe nuk e lodha me shumë pyetje.
Cili ishte veprimi i parë që bëtë ju?
Po unë e dija se ai mund të kishte uri, ndaj sapo e gjeta, menjëherë i bleva ushqim. Ishte i uritur...
Nuk arriti t'u thoshte diçka se si e kishte kaluar kohën?
Po gjatë ditës, duke qenë se nuk kishte para me se të ushqehej, ai kishte nisur të kërkonte punë. Mbase një punë çfarëdo të ishte, mjafton të merrte para aq sa për të mbijetuar.
Me çfarë kishte udhëtuar deri në Vlorë?
Duke qenë se nuk kishte para për furgona, me tren.
Ju tha shkakun pse ishte larguar?
Unë e kam thënë dhe më parë, fëmija im u akuzua në shkollë për ca lekë... sedra e tij bëri që ai të largohej. Ai u akuzua me të padrejtë dhe nuk mund ta mbante këtë barrë në sy të shokëve të tij.

I mituri u largua pas akuzave në shkollë

Policia e Durrësit u sinjalizua nga familja e Elis Fushës për zhdukjen e djalit plot nëntë ditë më parë. Sipas tyre, 14-vjeçari iu kishte lënë një letër dhe u thoshte të mos e kërkonin më. Familja Fusha akuzoi drejtuesit e shkollës 9-vjeçare "Nënë Tereza" ku ai studionte, të cilët sipas tyre e kishin akuzuar Elisin për vjedhjen e një sasie parash. Duket se kjo akuzë e kishte prekur jashtë mase djalin, derisa ai vendosi të largohej nga shtëpia, për të mos shkuar më në shkollë. Por pretendimi i familjarëve të Elis Fushës u hodh poshtë nga drejtori i shkollës, Petro Lafo. Sipas tij, në këtë shkollë nuk ishte bërë asnjë "gjyq" për humbjen e 3 mijë lekëve të reja. Për nëntë ditë policia zgjeroi kërkimet në disa rrethe, fillimisht në Durrës, më pas në Rubik, por edhe në Shkodër e Vlorë. Pas sinjaleve, policia e Vlorës arriti të lokalizojë vendin ku ndodhej i mituri, duke ia dorëzuar më pas prindërve të tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›