Nishani: Kartat e identitetit të detyrueshme për qytetarët
Ministri i Bren-dshëm, Bujar Nishani, tha dje se kartat e identitetit do të jenë një dokument i domosdoshëm për qytetarët, ndërsa pajisja me to do të jetë e detyrueshme në fillim të vitit 2009. Sipas ministrit, zotërimi i një dokumenti të tillë do të krijojë lehtësira në raportin mes qytetarit dhe institucioneve. Kreu i Ministrisë së Brendshme, në një intervistë për TVSH, foli edhe për regjistrin elektronik të zgjedhësve dhe procesin e përgatitjes së pasaportave biometrike.
Jemi në fazën përfundimtare të regjistrit elektronik të gjendjes civile, pikërisht në fazën kur po trajnohen nëpunësit e gjendjes civile, të cilët do të kryejnë veprimet në regjistrin elektronik. Kur do të konsiderohet tërësisht i përfunduar dhe i testuar ky regjistër?
Ajo që është më kryesore dhe që mund t'ju konfirmoj juve dhe qytetarëve është se regjistri elektronik tashmë ka përfunduar. Ne tashmë kemi të prodhuar nga pikëpamja procedurale dhe teknike një regjistër të ri, që do të thotë se të gjitha të dhënat e shtetasve shqiptarë që janë të hedhura në sistem janë të lidhura me qendrën dhe ajo çka ne jemi duke kryer këto ditë është pikërisht testimi i funksionimit të këtij sistemi, pasi është e kuptueshme që të kryhet para se të fillojë aplikimi. Ne mendojmë që në ditët e para të muajit dhjetor të fillojë normalisht funksionimi i regjistrit të ri dhe deri atëherë jemi duke u marrë me testimin, pra prova të ndryshme të ndërlidhjes, të shkëmbimit të informacionit, të funksionimit etj. Së dyti, kemi realizuar trajnimin e të gjithë punonjësve të gjendjes civile, gjë që tashmë nga pikëpamja e projektit e kemi të përfunduar, të gjitha pajisjet në Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile janë të instaluara, po ashtu ndërlidhja është e realizuar në të gjitha zyrat e gjendjes civile në të gjithë vendin. Kemi arritur një standard që më parë dukej i parealizueshëm për Shqipërinë.
Me rëndësi të veçantë janë edhe kartat e identitetit dhe pasaportat biometrike, të cilat do të shërbejnë edhe si mjet identifikimi për votuesit. Kur do të nisë aplikimi dhe shpërndarja e tyre?
Procesi ka vajtur shumë mirë. Ka vajtur sipas të gjithë plan kalendarit që është parashikuar në zbatimin e projektit. Mund të them që, së pari, përfundimi i regjistrit të ri elektronik të shtetasve është hapi i parë i rëndësishëm në funksion edhe të prodhimit të kartave elektronike dhe pasaportave biometrike, sepse do të jetë baza e të dhënave nga ku do të gjenerojnë ato të dhëna që do të hidhen më pas në kartat elektronike dhe pasaportat. Ajo që është risi shumë e madhe, është mënyra e ndërfaqes, apo e komunikimit le të themi, midis procesit të prodhimit të letërnjoftimeve dhe pasaportave me regjistrin, pra marrja e këtyre të dhënave nuk do të realizohet më në mënyrë manuale, por do të realizohet në mënyrë elektronike, në mënyrë të drejtpërdrejtë, pra gjatë procesit të personalizimit të të dhënave që kërkon regjistri për prodhimin e pasaportës apo të kartës, apo të letërnjoftimit siç e quajmë, atëherë kjo do të marrë këto të dhëna nëpërmjet ndërfaqes që ne kemi krijuar tashmë sipas modelit austriak, në mënyrë të drejtpërdrejtë, në mënyrë on line, në mënyrë elektronike nga Regjistri i Gjendjes Civile. Është përfunduar dizenjimi total qoftë i pasaportës biometrike, qoftë edhe i kartës elektronike, këtu e kam fjalën për të gjithë elementët e sigurisë, por edhe elementët e tjerë vizivë apo ato jo të dukshëm. Pothuajse është duke përfunduar qendra kombëtare, që do të jetë në Tiranë, e personalizimit, por dhe e shtypjes dhe prodhimit të kartave dhe pasaportave. Janë bërë gati 200 milionë lekë investime nga qeveria shqiptare në të gjitha zyrat e rretheve ku do të bëhet aplikimi nga ana e qytetarëve shqiptarë. Të gjitha stacionet e aplikimit kanë ardhur tashmë në Shqipëri dhe janë të gatshme për t'u instaluar në të katërqind zyrat e aplikimit.
Konkretisht kur do të nisë aplikimi dhe shpërndarja e letërnjoftimeve elektronike dhe pasaportave biometrike?
Në janar të vitit 2009. Ne këtë e kemi deklaruar dhe i qëndrojmë dhe të gjithë ato hapa që ne i kishim parashikuar, që nga deklarimi i parë që kemi bërë deri më sot janë realizuar në kohë.
Përmendët pak më parë se do të përgatiten disa akte të cilat do të nxisin qytetarët që të pajisen me dokumentet e identitetit. Çfarë përmbajnë këto akte?
Përsa kohë ky akt nuk është miratuar nga qeveria shqiptare dhe nuk është bërë publik, unë nuk mund të bëj publike elementë dhe detaje, por sensi i këtij akti është pikërisht që së pari të krijojë lehtësira për qytetarët shqiptarë, lehtësira në infrastrukturë, por nga ana tjetër edhe për t'i detyruar qytetarët shqiptarë për t'u pajisur me karta identiteti.
Pak më parë thatë që dokumentet e identitetit do të jenë të gatshme para zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. A jeni të bindur për këtë?
Po, unë jam tërësisht i bindur për faktin se ky është një proces që qeveria shqiptare e ka nisur prej kohësh.
Marrë me shkurtime nga TVSH