E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dimër 2008, aksesorët më të modë për femrat



Aksesorët më të rëndësishëm për femrat janë këpucët dhe çizmet. Më të preferuarat për stinën vjeshtë-dimër janë cilësuar çizmet e gjata, me lidhëza, por edhe me mansheta. Ndërsa për çantat mbizotërojnë ato me përmasa të mëdha dhe ngjyra e theksuara. Një rikthim i lavdishëm është edhe pamja e femrës me shall mëndafshi, por në një version të modernizuar, me kordele, i cili krijon një balancë mes pamjes së çrregullt dhe tërësisë perfekte. Ja disa nga aksesorët më në modë për stinën e dimrit.
Këpucë dhe veshje të trikotuara
Një triko me motive dhe një fustan i thjeshtë është luku perfekt për një femër me shije, e cila dëshiron të duket sa më tërheqëse. Në të kundërt, kombinoni një fustan me motive ose dizenjo me një triko e cila duhet të jetë njëngjyrëshe, në varësi të fustanit.
Duhet të jeni të kujdesshëm pasi nëse vishni diçka me ngjyra të forta rrezikoni të bëni figurë të keqe. Hiqni nga gardëroba çdo veshje me stampime leopardi, me pika apo yje, pasi ato i përkasin një periudhe të vjetruar dhe ato zëvendësojini me materiale kashmiri sa më të thjeshta.
Çizmet
Çizmet e gjata deri në gju i janë rikthyer modës së këtij viti.
Nga materialet e buta deri te lëkura e ashpër, çizmet nuk mund t’i mungojnë pamjes suaj. Një tjetër model mjaft i preferuar janë edhe çizmet deri në nyjë, të cilat i nxjerrin këmbët më të gjata dhe sensuale. Ngjyrat e preferuara janë: lejlaja, e kuqja, bluja e errët dhe ngjyrat tradicionale e zezë dhe kafe.
Çantat dhe portofolat
Stilistët më të shquar kanë menduar edhe për çantat që shkojnë më shumë me veshjet dimër 2008. Bëni mirë të zgjidhni një çantë të madhe me doreza të shkurtra, pasi vetëm në këtë mënyrë do të dukeni se ndiqni modën më të fundit. Por të preferueshme janë edhe çantat me doreza normale dhe me shkëlqim. Në modë për sivjet është lëkura e krokodilit dhe përveç çantave me këtë lëkurë, preferohen edhe aksesorë të tjerë si portofolat, rripat dhe këpucët. Materiale të tjera të preferuara për këtë stinë janë dhe çantat prej plastmasi dhe metali. Kordelet e zeza do të mbizotërojnë kudo për një pamje sa më romantike. Ato do të përdoren sivjet edhe në portofola dhe çantat e vogla të dorës.
Kordelet dhe shallet
Dimri 2008 mirëpret kordelet dhe shallet e kokës. Kjo pamje është frymëzuar nga festat dhe evenimentet e ndryshme në të cilat përdoren gjerësisht këta aksesorë si në dasma. Kjo është mënyra më e mirë për të fshehur flokët e pakrehur duke qenë edhe trendi në të njëjtën kohë. Dimri është stina e shalleve të leshtë, por edhe të materialeve prej mëndafshi, të cilat u japin femrave një pamje më të re dhe joshëse. Përdoreni duke e mbështjellë përreth qafës në mënyra të ndryshme dhe asnjëherë njëlloj. Mënyra perfekte do të ishte që pjesën që mbetet, pasi e rrotulloni, ta hidhni në shpatulla. Edhe për shallet ngjyra perfekte për këtë stinë do të ishte ngjyra vjollcë dhe kumbull.
Bizhutë
Këta artikuj njihen si më të preferuarit nga femrat sepse ato përshtaten pothuajse për çdo moshë. Edhe adoleshentët apo fëmijët janë tepër të dhënë pas këtyre aksesorëve, pasi ngjyrat e ndritshme i bëjnë ato mjaft tërheqëse. Bizhutë përdoren nga të dyja gjinitë, si nga femrat, ashtu edhe nga meshkujt. Më të përdorshme janë unazat dhe orët. Ndërkohë femrat preferojnë varëset, vëthët dhe byzylykët për t’u dukur më tërheqëse.

22 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›