Pensionet e minierave, pranga katër zyrtarëve
Dashamir Biçaku
Katër ish-zyrtarë të minierës Mushqetas dhe Institutit të Sigurimeve Shoqërore, u arrestuan të premten me akuzën për korrupsion dhe falsifikime në dosjen e 200 pensionistëve. Dy prej të arrestuarve vazhdonin të punonin në strukturat shtetërore, përkatësisht në Ministrinë e Ekonomisë, pranë Albminierës dhe në Institutin e Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor në Tiranë. Agim Mema, ish-kryetar i degës së kuadrit në minierën e Mushqetas, aktualisht specialist në Albminiera në Ministrinë e Ekonomisë si dhe anëtar i kryesisë së Sindikatës së Minatorëve, është vënë në pranga me akuzën e shpërdorimit të detyrës nëpërmjet falsifikimit të dokumenteve. Bashkë me të u arrestua edhe ish-përgjegjësja e zyrës së Sigurimeve për Tiranën, Fatbardha Sela, 57 vjeçe dhe ish-inspektorët e drejtorisë rajonale, Flora Ceka, 41 vjeçe dhe Zija Mema, 70 vjeç. Burimet zyrtare thanë se e arrestuara Flora Ceka kryente detyrën e specialistes së verifikimeve, ndërsa Zija Mema, 70-vjeçar, ka kryer rolin e inspektorit. Ish-përgjegjësja e degës së Tiranës deri në vitin 2005, Fatbardha Sela, edhe kjo e arrestuar, kryente funksionin e specialistes pranë Institutit të Kujdesit Shëndetësor (ISKSH) në Tiranë. Katër personat ranë në pranga gjatë operacionit të koduar "Dosja e Hapur", me akuzat e "shpërdorimit të detyrës nëpërmjet falsifikimit të dokumenteve zyrtare", "korrupsionit aktiv të personave që kryejnë funksione publike". Aksioni është zhvilluar nga sektori i Antikrimit Ekonomik në policinë e Tiranës, ndërsa hetimet janë kryer nga Zyra Task-Forcë Antikorrupsion në Prokurori. Hetuesit thanë se zyrtarët dhe ish-zyrtarët e arrestuar kanë kryer manipulime në dosjet e 200 personave, me qëllim që ata të përfitonin pension pleqërie si ish-minatorë. Përfituesit e pensioneve të parakohshme të pleqërisë, falë dokumentacionit të hartuar nga të arrestuarit, ishin shpërngulur nga rrethe të ndryshme të vendit vitet e fundit dhe ishin "vendosur" në Tiranë. Por në borderotë e përpiluara nga ish-kryetari i degës së kuadrit në minierë dhe ish-funksionarët e Sigurimeve Shoqërore, "pensionistët" e rremë figuronin sikur kishin vite që kontribuonin në minierën e Mushqetas. Secili prej 200 personave që ka përfituar pension, sipas burimeve të policisë, ka paguar tek katër të arrestuarit një shumë prej rreth 1.5 milionë lekë të vjetra në formën e ryshfetit. Pensioni "aprovohej" brenda muajit nga momenti i dhënies së ryshfetit, ndërsa përfituesve u jepej edhe adresa ku duhej të tërhiqnin pagesën për "vitet e punës" në minierë. Manipulimi dhe falsifikimi i dosjeve, sipas burimeve të policisë, ka nisur që prej vitit 2000, kohë në të cilën personat e arrestuar ishin punonjës në Sigurimet Shoqërore. Policia dhe Prokuroria kanë administruar si prova regjistra borderosh të minierës së Mushqetas dhe Institutit të Sigurimeve Shoqërore në Tiranë, për të verifikuar manipulimet që janë kryer nga të arrestuarit.
Të arrestuarit
Fatbardha Sela, 57 vjeçe
Ish-përgjegjëse e zyrës së Sigurimeve Shoqërore në Tiranë, aktualisht specialiste në Institutin e Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor Tiranë
Flora Ceka, 41 vjeçe
Ish-inspektore e verifikimit të Pensioneve në Institutin e Sigurimeve Shoqërore Tiranë, aktualisht ekonomiste në një firmë private
Zija Ramiz Mema, 70 vjeç
Ish-inspektor pranë Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore Tiranë, pensionist
Agim Mema, 57 vjeç
Ish-shefi i kuadrit në minierën e Mushqetas, aktualisht detyrë punonjës i Albminierës në Ministrinë e Ekonomisë dhe funksionar në Sindikatën e Minatorëve.
Akuzat
"Korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike"; "Shpërdorim detyre në bashkëpunim";
"Falsifikim dokumentesh në bashkëpunim më shumë se një herë".