Si të lësh përshtypje të mirë për të qenë në qendër të vëmendjes
Të biesh në sy të të tjerëve, nuk është aspak e lehtë. Të gjithë duam të jemi në qendër të vëmendjes që të tjerët të na konsiderojnë të bukur dhe të mençur.
Disa njerëz, thjesht, janë plot vetëbesim dhe, përkundër faktit që nuk janë kushedi se sa të bukur e as nuk vishen sipas modës së fundit, gjithmonë janë në qendër të vëmendjes, kurse të tjerët, përkundër faktit që i kanë të gjitha premisat që të jenë të suksesshëm, kurrsesi nuk ia dalin që të vërehen nga të tjerët. Por, nuk është se nuk mund të bësh asgjë.
Si të flasësh
Duhet gjithmonë të flasësh qartë dhe me zë. Mos fol me zë të ulët, sikur nuk dëshiron që të dëgjojë askush. Vetëbesimi yt i ulët do të ndikojë që të tjerët të të injorojnë. Kur flet qartë dhe me zë, tingëllon më bindshëm dhe është më e këndshme për të tjerët që të të dëgjojnë. Mundesh edhe të ushtrohesh para pasqyrës. Shikoje veten në sy dhe fol diçka. Po ashtu, duhet t’i kushtosh kujdes edhe asaj që flet, duke zgjedhur fjalor të kuptueshëm për bashkëbiseduesit e tu. Nëse je e shkolluar, kjo nuk do të thotë se duhet t’i mërzisësh të tjerët me fjalorin tënd, me fjalë që nuk i kuptojnë shumica e njerëzve.
Sjellja
Kur je në një shoqëri më të madhe, trego interesim për atë që flitet, kyçu në bisedë dhe mos rri anash. Me këtë, do ta tërheqësh vëmendjen te vetja jote. Nëse, përpos kësaj, je edhe e sinqertë dhe e këndshme, nuk thumbon askënd me fjalë, me siguri që të tjerët do të të shohin si person pozitiv dhe të hapur. Pa marrë parasysh nëse gjendesh në një shoqëri të vjetër a të re, mundohu të jesh sa më e natyrshme, mos u shtir. Më mirë është që të jesh një origjinal i keq, sesa një kopje e mirë. Fundja, herët a vonë, do të dalë në shesh fytyra jote e vërtetë, nuk mundesh gjithmonë të jesh false.
Veshja
Vishu në pajtim me vendin ku do të shkosh (sipas vendit edhe kuvendi). Ky është rregulli themelor i stilit të mirë. Edhe grimin, edhe gardërobën, duhet ta përshtatësh me motin dhe stinën. Nëse shkon në shkollë me shumë grim dhe me minifund, është e vërtetë se do t’u biesh në sy të tjerëve por për të keq. Duhet ta dish se me anë të gardërobës, ne u dërgojmë sinjal të tjerëve. Nëse vishesh si e përdalë, të tillë do të të konsiderojnë. Përpos gardërobës, duhet t’i kushtosh kujdes edhe higjienës, madje ajo duhet të vijë në rend të parë. Përpos që duhet të jenë të pastër, flokët duhet të jenë edhe të prera mirë dhe të krehura.
Qëndrimi
Gjuha e trupit mund të flasë më shumë sesa gjuha e vërtetë. Personat që gjithmonë ecin me supe të lëshuara e me flokë të shpupuritur, doemos do të lënë përshtypje të keqe. Për këtë shkak, ec drejt, me supe të drejta. Kur t’i përshëndesësh të tjerët, buzëqeshu lehtazi; kur ta shikosh dikë, mos ki frikë nga kontakti me sy, por as mos ia ngul sytë. Me një qëndrim adekuat lë përshtypje se je e sigurt në vetvete dhe se di çfarë do. Nuk duhet të ngurrosh që t’i shfaqësh mendimet dhe ndjenjat. Trego keqardhje kur është rasti i tillë, por mos ngurro që të tregosh edhe kënaqësi kur dikush nga shoqëria arrin ndonjë sukses.
22 Nentor 2008