Elita 5 del së shpejti me një album të ri
Vokalisti i grupit “Elita 5”, Arif Ziberi, duke folur për karrierën dhe sukseset e grupit muzikor, ka thënë se ata janë duke punuar edhe në një album të ri. “Jemi duke punuar për albumin më të ri të grupit, por para se të dalë albumi janë dy këngë që do t’i nxjerrim së shpejti në treg, të cilat do të jenë paralajmërim për albumin që do të vijë më vonë. Njëra këngë do të jetë më ritëm të shpejtë ndërsa tjetra do të jetë baladë. Njëra prej tyre tashmë është gati ndërsa tjetra është në përfundim e sipër”, ka theksuar Arif Ziberi. “Elita 5” tashmë është duke realizuar edhe disa koncerte nëpër Shqipëri, më shumë nëpër qytetet e bregdetit shqiptar. Por ajo që vlen të përmendet është edhe angazhimi në muzikë i vajzës së tij, e cila quhet Elita, për të cilën ndihet krenar që mban emrin e grupit.
2 Shtator 2010