Qeveria miraton listën e personave që ndihmojnë terrorizmin
Këshilli i Ministrave miratoi gjatë mbledhjes së djeshme, në bazë të ligjit për “Për masat kundër financimit të terrorizmit”, listën e personave që ndihmojnë financiarisht terrorizmin. Në listën e personave të shpallur si financues të terrorizmit sipas rezolutave të Këshillit të Sigurimit të miratuar pak kohë më parë nga Këshilli i Ministrave, shtohet edhe lista e individëve anëtarë ose bashkëpunëtorë me talebanët, sipas shtesave dhe ndryshimeve që janë bërë në listën e konsoliduar të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për personat që janë anëtarë, bashkëpunëtorë apo financues, për talebanët dhe Al-Kaedan. “Në fund të shkronjës ‘c’, ‘Lista e individëve anëtarë ose bashkëpunëtorë me organizatën Al-Kaeda’ shtohen personat e renditur në listën ‘b’, ‘Lista e individëve anëtarë ose bashkëpunëtorë me organizatën Al-Kaeda’, që i bashkëlidhet këtij vendimi, sipas shtesave në lidhje me listën e konsoliduar të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, për personat dhe kompanitë që kanë lidhje me talebanët dhe Al-Kaedan, si dhe personat, organizatat dhe kompanitë të cilat rezultojnë si financuese apo që ndihmojnë terroristët dhe organizatat terroriste”, - përfundon vendimi i qeverisë.
2 Shtator 2010