E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elita politike iraniane, edhe më e ndarë: Kundërvënie ndaj Rafsanxhanit

Kleriku i lartë dhe ish-presidenti i Iranit, Rafsanxhani, e ka marrë menjëherë përgjigjen e tij për deklaratat në të cilat gjykonte veprimet e pamatura të drejtuesve të lartë të shtetit në situatën postzgjedhore. Një botues i vijës së ashpër dhe mbështetës i autoritetit më të lartë në Iran akuzoi Rafsanxhanin se po mbështeste "thyerësit e ligjit". Kjo ka nxjerrë në pah dasitë e mëdha që janë vënë re edhe më parë, por që janë bërë më të dukshme në estabilishmentin iranian. Botuesi dhe kryeredaktori i gazetës "Kayhan" kritikoi Rafsanxhanin, një nga rivalët më të fuqishëm të Presidentit Ahmadinexhad për deklaratën e tij të fundmit: "Irani është në krizë". Rafsanxhani, në kundërshti të plotë me linjën zyrtare të Liderit Suprem, Ajatollah Ali Khamenei, tha se vendi ishte në krizë të thellë dhe se menaxhimi i situatës pas zgjedhjeve presidenciale kishte qenë jo i duhuri nga forcat qeveritare. Fjalët e tij janë pasuar me demonstrata në rrugët e Teheranit dhe me përleshje të civilëve që kishin mbushur sheshet dhe forcave të policisë që përdorën gaz lotsjellës. Qëndrimi i prerë i Rafsanxhanit pritet që të sjellë kundërpërgjigje më të ashpër nga Lideri Suprem,të cilit në rastin e këtij sulmi të drejtpërdrejtë, i duhet të mbrojë pozicionin e tij me një kundërakuzë, përndryshe do të shfaqej i dobët në sytë e njerëzve dhe liderëve të tjerë politikë dhe fetarë. Ka shumë të ngjarë që pas kundërpërgjigjes së parë në një gazetë të vijë edhe një deklaratë e drejtpërdrejt nga vetë Lideri Suprem ndaj ish-presidentit, Rafsanxhani që është edhe kreu i një organizmi shumë të fuqishëm fetar, një nga pushtetet e të cilit është edhe vetë shkarkimi i Liderit Suprem. Ndërkohë në artikullin e tij, botuesi dhe kryeredaktori i së përditshmes iraniane tha se Rafsanxhani, nga ana e tij, nuk kishte bërë asgjë për të parandaluar mbledhjen e opozitarit Mousavi dhe protestuesve jashtë Universitetit të Teheranit dhe se kishte përfituar nga çdo mundësi për të sfiduar përfundimin e zgjedhjeve presidenciale. Për gazetarin ishte e pafalshme që Rafsanxhani jo vetëm që nuk i kishte kundërshtuar protestat, por i kishte mbështetur ligjthyesit. Botuesi është një nga njerëzit më besnikë të Liderit Suprem, figurës më të rëndësishme në vend, të cilit i takon edhe fjala e fundit për të gjitha çështjet brenda vendit.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›