E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Ikën" Henry Allingam, njeriu më i moçëm dhe veterani i luftës

Veterani i Luftës së Parë Botërore, që ishte njëherazi edhe njeriu më i moshuar në botë, ka ndërruar jetë në moshën 113- vjeçare. Henry Allingham ka vdekur në gjumë të shtunën, në shtëpinë e pleqve në Brajton, pas një jete të gjatë e me shumë peripeci. Ai ishte dhe një nga veteranët e fundit, ende gjallë të Luftës së Parë Botërore. Britaniku kishte hyrë në qershor në Librin e Rekordeve "Guinness", si njeriu më i moçëm në botë, pas vdekjes së "kundërshtarit" të tij, japonezit Tomoji Tanabe, që vdiq gjithashtu në moshën 113-vjeçare në Japoni. Kur e pyesnin se kujt ia atribuonte jetëgjatësinë, ai me shaka përgjigjej: uiskit, femrave dhe cigareve. Ai ishte shndërruar në një prej personave më prezentë në të gjithë përvjetorët përkujtimorë të Luftës së Parë Botërore. Ai është shprehur se, kur u regjistrua për të shkuar në luftë, nuk e kuptonte mirë realitetin, por kur përvoja e hidhur mori fund, ai u shndërrua në një njeri entuziast për paqen. Ai jetoi me bashkëshorten e tij Dorothy për 50 vjet dhe arriti të shohë dhe përkëdhelë stër-stër-stërnipat e tij. Pas lufte punoi në industrinë e makinave. Ai është gjithashtu fituesi i disa çmimeve e medaljeve të luftës e trimërisë jo vetën brenda Britanisë së Madhe. Që nga viti 2006 kishte humbur shikimin, por kurrë mendjen dhe memorien për të cilat ka qenë gjithmonë krenar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›