E Diel, 1 Nëntor 2026

Leonard Solis: “Opozita, teatër kukullash me regjisorë diletantë, qeveria bën punë e gafa të mëdha”

SHKRUAN: Ilda Lumani 09-08-2011 13:53

Ai është një nga personazhet më karizmatikë që politika shqiptare ka njohur në 20 vitet demokraci. Shtoi kësaj edhe ironinë, humorin dhe batutat që u vesh politikanëve gjatë kësaj interviste, do të thoshit sikur të kishim edhe disa të tillë në politikë. Por, derisa të dalin të rinjtë, le të ecim së bashku në këtë bisedë të këndshme me sekretarin e PBDNJ-së, Leonard Solis.

Zoti Solis, përse u divorcuat me politikën? Apo nga inati që nuk u bëtë deputet...?

Nuk jam divorcuar me politikën asnjëherë! Kam qysh nga viti 1992 që merrem intensivisht me politikë, por paralelisht kam kryer dhe shumë punë e studime të tjera njëkohësisht. Vazhdoj të jem sekretar jo-intensiv i PBDNJ. Kam treguar dhe demonstruar me punë, që di të bëj shumë mirë dhe punë të tjera, që lidhen me profesionin dhe menaxhimin. Këto dy vjet jam kthyer kryesisht në teknicien menaxher dhe mendoj se më ka vlejtur, kam dhënë shumë, por edhe përfituar shumë. Në spitalin supermodern “Hygeia” kam punuar me eminenca greke me eksperienca pozitive menaxheriale e formim të gjerë perëndimor. Jam mësuar mos jap urdhra imponues, por të argumentoj urdhrin dhe pasojat e veprimeve. Mund të them se tashmë kam një vështrim tredimensional të realitetit dhe realiteteve. Edhe politikën, pasi e kam parë për shumë kohë nga lart-poshtë e horizontal, po e shoh nga poshtë lart. Po perceptoj si duket politika për një teknicien nga poshtë-lart e veshur me minifund. Më besoni, jo mirë aktualisht! E pandërgjegjësuar për pasojat që shkakton në të gjitha sferat e tjera ekonomike, kulturore, ndërkombëtare etj. Një politikë ngërçi, si asnjëherë, shpesh e papërgjegjshme deri në destruktivitet, loja e një kalamani të zemëruar që i marrin lodrën e një diletantizmi dhe mungesë rregullash etiko-ligjore. I zemëruar se nuk u bëra deputet?! Politika ka "menstruacionet" e veta, që zgjasin 4-8 vjet!! Kjo dihet. Unë e di shumë mirë. Di dhe vështirësinë e një kandidati nga partitë e vogla. Të fitosh deputet me një parti të vogël, është përjashtim, të mos fitosh është rregull!! Të qenit në opozitë është një proces reparativ. Moment i artë reflektimi, çlodhjeje, riorganizimi, ndërveprimi dhe konstatim e pasqyrim i defekteve të qeverisjes. Kjo ndihmon rikthimin, ballafaqimin e mazhorancës me premtimet pre-elektorale, ndërgjegjësimin e publikut dhe leximin e veprimeve në dukje të palexueshme për masën e gjerë. Por dhe vendos mazhorancën në pozita pune dhe auditimi.

Po, jam i zemëruar me incestin elektoral të aleatëve të pakonsoliduar, që gëlltisin votat e aleatëve, në mungesë të ushqimit? Kjo po!! Është shija më e poshtër që nuk do ia uroja askujt, jo vetëm në politikë. I shqetësuar jam, po ashtu, kur do të vijë ajo ditë që të diskutojmë për përmbajtjen e rezultateve dhe jo për procedurën. Duhet të bëjmë dhe ne zgjedhje objektive, të besueshme e të pakontestuara nga asnjë palë.

Keni vendosur të bashkoheni sërish me politikën, pra. Këtë herë nga dashuria, malli, adrenalina që të fal, marrëdhënia me elektoratin? Afrimi i 2013-ës? Pjesë e çfarë aksioni politik do të jeni?

E vërtetë është që më pëlqen politika dhe sidomos ajo e shëndetshme dhe e përgjegjshme. Të gjitha ato shkaqe që më keni shkruar për afeksionin me politikën janë të vërteta.

Duket sikur më keni lexuar filxhanin e kafesë!! Gjithçka shumë graduale, gjithçka në kohën e duhur! Aktualisht jam atje ku ju thashë. Do të kontribuoj fuqimisht që PBDNJ të shtrihet e forcohet në çdo cep të atdheut, të merret më tepër me problemet kardinale që na shqetësojnë të gjithëve nga Vermoshi në Sarandë (e pashë Konispolin këtë behar e s'më pëlqeu fare), pa harruar të drejtat e minoriteteve. Do të shoh modifikimin e Kodit Elektoral e do angazhohem fuqishëm në procesin elektoral të 2013-s.

Një politikan mund të ndahet 100 për qind nga politika edhe kur largohet, si ju, prej saj?

Këto dy vjet, e thashë, kam rritur vlerat e mia profesionale e menaxheriale. Kam treguar se mund të qëndroj e të ndërtoj vlera të reja, duke qenë shumë i vlefshëm e konstruktiv edhe në sektorin privat, ku askush nuk të përkëdhel asnjëherë!! Pjesës tjetër iu përgjigja. Inshallah nuk vazhdon ky ngërç politik, sepse që këtej që e shoh unë... me duket sikur hyj nga ajri i pastër në kapanonin e zborit e më duhen disa kohë të mbaj hundën me dorë që të mësohem me erën e keqe, ose ta shtyj për një afat tjetër... Politikani hyn edhe për ta ndryshuar drejt përmirësimit...

Pas kaq vitesh, Himara i tha Jo Bollanos. Cila ka qenë ndjeshmëria juaj, duke qenë se ai ka qenë një kundërshtar i juaji?

Iku Bollano, ikën edhe Sabri Godo e Pëllumb Xhufi. Ata janë aty, por iu largua objekti i punës që i karikonte bateritë e patriotizmit lehtësisht të aplikueshëm nga ballkoni i shtëpisë e pa pasoja. Bollanon nuk e kam pasur asnjëherë armik. Kush e njeh nga afër, e kupton që e zmadhojnë artificialisht, sepse loja do dhe personazhe negative. Bollano ndenji dy mandate. Mendoj se shërbeu mirë ndaj qytetarëve të vet. Fantazia dhe kreativiteti vijnë duke u ulur, po ashtu dëshira dhe kureshtja. Shtohet eficienca dhe djallëzitë. Them se nuk është mirë për askënd e as për qytetin, të qëndrojnë kryetarët e bashkive duke u qelbur e ripërtypur programe pa fantazi. Pasojat bëhen me të dukshme, sa më i madh të jetë qyteti.

Zoti Solis, çfarë është bërë mirë dhe çfarë është bërë keq në politikë gjatë kësaj kohe që ju keni qenë në rolin e vëzhguesit?

Në çdo parti ka njerëz të mirë e të këqij, të aftë e të paaftë. Opozita ka qenë ineficiente duke harxhuar energji të nevojshme, në drejtime të panevojshme. Ka bërë shpesh teatre me regjisorë diletantë dhe me shumë aktorë të tillë, të mbledhur në ngut e sipër, por që dukeshin kamikazë të kryetarit. Ka ulëritur dy vjet për hapjen e kutive të votimit dhe dy muaj për mos-hapjen e kutive. Ka shfrytëzuar me rendiment të ulët gabimet e shpesh fajet e mazhorancës. Një opozitë jo energjike dhe jo e ashpër vështirëson dhe punën e qeverisjes së mazhorancës, duke e vendosur në pozita pune jo të mira. Mazhoranca ka bërë punë të mëdha dhe gafa edhe më të mëdha. Janë korrigjuar pjesërisht e sipas qejfit, sepse nuk kanë pasur presion. Të dyja kanë luajtur deri diku keq, por kombinimi i tyre ka qenë me katrorin e secilës veç e veç. Një përdhosje institucionesh, një mungesë bashkëveprimi dhe për problemet më kardinale, teatër me kukulla, ku kukullat kanë qenë dhe burra zakoni si Gramoz Ruçi me “lines” në gojë në Parlament. Ta shihje me rreckë në gojë e të mos e njihje, dukej sikur po e pengonin të thoshte xhevahire! Klasa politike shqiptare, një sistem që po humb respektin e besimin, një konsumim i politikës i shpërblyer me ulje të numrit të votuesve dhe shpesh kalon nga neveri ndaj politikanëve konkretë drejt neverisë për politikën e gjithë klasën politike. Mazhoranca dhe opozita shqiptare - dy zemërake që harrojnë përgjegjësitë e veta. Nga ana tjetër - analistët e hutuar që asgjë nuk parashohin dot, sepse tekat e politikanëve në një loje pa rregulla janë të paparashikueshme. Përjashtimi kthehet në rregull!

Cili është gjykimi juaj për procesin e votimit dhe më tej të numërimit të votave në kryeqytet?

Fakti që luhej për disa vota, tregon që po përmirësohemi. Ka ikur koha kur na humbisnin kutitë e votimit. Tani kërkojmë disa vota që bëjnë diferencën. Edi Rama ka bërë shumë për Tiranën. Unë mendoj se nuk duhej të kandidonte, për të menaxhuar partinë. Është e vështirë dhe e rrezikshme të jesh part-time Kryetar Bashkie i kryeqytetit dhe po part-time Kryetar i Opozitës!! Mendoj se Tirana aktualisht kishte më tepër nevojë për Bashën se për Ri-Ramën. Aq më tepër që ai dukej se nuk i interesonte bashkia, në funksion të qytetit të Tiranës, por në funksion të Partisë Socialiste. Shumë veta në PS pa dashje deklaronin se PS ngeli pa Bashki në Tiranë?!

E keni uruar kryetarin e ri të Bashkisë së Tiranës?

E respektoj dhe e kam uruar. Po ju riprodhoj dhe tekstin ... "Z. Basha, suksese!"

Është shumë shpejt të flasim. Njeriu dallohet si largohet nga posti bashkë me bilancin dhe më pak si emërohet apo zgjidhet. Predispozitë të mirë ka, le t'ia lëmë kohës bilancet.

Si janë marrëdhëniet tuaja sot me Edi Ramën?

Tepër korrekte, kur vjen rasti. Rasti ka ardhur rrallë. Çdo njeri është një figurë komplekse, po ashtu dhe marrëdhëniet janë komplekse. Unë kam miq shumë të mirë në gjithë spektrin e politikës shqiptare, që më vlerësojnë dhe i vlerësoj. Nuk i dua dhe respektoj njerëzit sipas përkatësisë partiake.

PS-ja kërkon ndryshime në Kushtetutë. Si e shihni këtë lëvizje dhe a mendoni se janë të nevojshme ndryshimet?

Po i jap një këshillë PS-së. Duhet të konsolidojë rregullat dhe jo të vendosë ndryshime "me të futur" ndaj asnjërit, sepse mund të jetë ajo që do ta hajë po ndryshoi drejtimi i lëvizjes. "Bëji tjetrit, atë që do të dëshiroje të të bënin ty". Duhet të vendoset detyrimisht korrigjimi proporcional me prag dhe të tjetërsohet administrimi i zgjedhjeve. Duhet edhe pak oksigjen për partitë e vogla, për të mos qenë spektri bardhezi. Duhen disa amortizatorë...

Është një debat disamujor tashmë regjistrimi popullsisë sipas fesë dhe etnisë. Cili është opinioni juaj?

Themi se Maqedonia ka 40% shqiptarë. Themi se serbët e Kosovës... Themi së shqiptarët e Preshevës dhe të Bujanovcit... Themi se shqiptarët e Malit të Zi... Regjistrimi është gjëja më normale. Nuk na gjen asgjë ta dimë sa përqind jemi muslimanë, sa ortodoksë e katolikë. Sa minoritet grek, serb e maqedonas. Këto janë çështje të rëndësishme edhe në kulmin e botës së zhvilluar. Vetëdeklarimi i kontrolluar është i rëndësishëm. Ne jemi krenarë për tolerancën fetare, por kjo nuk do të thotë të kooperativizojmë fetë. Unë shkoj dhe kënaqem në kishën Orthodokse. Më çlodhen nervat. Kam miq shumë të mirë që shkojnë në xhami për ngjarje të shënuara. I respektoj, por nuk kam hyrë kurrë, përveç në Stamboll në Xhaminë muze. Respektojmë njëri-tjetrin, duke njohur e toleruar veçoritë e besimet. Po ashtu, jemi shtetas shqiptarë të gjithë dhe natyrisht e duam vendin tonë. Unë kam kombësinë greke dhe jam krenar për të, por e dua Shqipërinë më shumë se pseudopatriotët ulëritës. Më vjen neveri nga pseudopatriotizmat e shpifura të njerëzve që duan të mbulojnë mëkatet me jorganin e nacionalizmit! Jam për regjistrimin e fesë dhe të kombësisë dhe nuk shoh asgjë të keqe. Kam besim te të gjithë shqiptarët se do vetëdeklarojnë atë që ndiejnë, sidomos pas liberalizimit të vizave. Mos ofendoni një popull të tërë!!

Përse ekziston një frikë te njerëzit dhe te disa nisma të shoqërisë civile për këtë çështje?

Thjesht për të fituar nga këto spekulime. Kam parë në TV disa rakitikë 1,56 m të gjatë, dhe me këmishë nr 35, numri i këmbës 38. Vetëdeklarohen heronj?! Këto nuk janë përmasa për të qenë hero. Përjashtohesh automatikisht!!

Meqë jemi në verë, a keni pushuar?

Po, pushova në një nga ishujt e Greqisë, me familjen për 7 ditë! Kusurin do e bëj çdo ëeek-end në Vlorë e Durrës!

Bashkëshortja, vajza dhe djali juaj si ju kanë parë gjatë kësaj kohe larg politikës?

Ju kam munguar shumë, dhe më kanë munguar po ashtu... sepse kam punuar me orar të zgjatur dy vjet rresht. Kam qenë disi larg politikës dhe larg shtëpisë...

Ju ka pëlqyer puna si drejtor mjekësor në spitalin Hygeia?

Është shumë vështirë, por ka dhe gëzim. Momenti më i vështirë kaloi. Spitali është forcuar e konsoliduar. Është fëmija i gjashtë i një zinxhiri në Greqi dhe Europë. Mjekët më të mirë qarkullojnë, bashkëpunojnë e asistojnë brenda këtij sistemi gjigant.

Rrallë i gjen kaq afër e të ngatërruar me njëri-tjetrin, gëzimin e hidhërimin e njerëzve, sa në një spital të këtij niveli. Në vend të luftës politike, aty luftohet kundër kancerit, sëmundjeve në përgjithësi. Aty qëndron shumë pranë vuajtjeve fizike, psikologjike, sociale e ekonomike. Vetëm se me këto halle kam qenë deri diku i "vaksinuar" e trajnuar, por kurrë jo mjaftueshëm... Nisur nga rezultatet e rekordeve të fundit në not të zotit Berisha, që çdo vit po sfidon veten e vet dhe moshën e perëndisë, dua ta mbyll këtë intervistë me një këshillë për Protokollin e Shtetit dhe Partinë Demokratike:

Vendosini Berishës një hudhër që mos e marrin më sysh!!

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›